Poezi nga Petraq Risto
***
Gjethet si kujtimet: bien dhe lulëzojnë te i njëjti dru
Mbaj mend të qeshurën tënde: gurgullim i një burimi
Dhe dënesën tënde nga i njëjti burim: dënesë blu.
Në burim ra një gjethe, vetëm një
Pa fjalë, e heshtur, si takimi një s’u bë. Vetëm një.
Jam mes një pylli të vogël, buzë një burimi të vogël
Me buzët në burimin e vogël…
Vë gjethen në buzë e puthem me të… Vetëm një.
***
…Jetoj në një karusel të braktisur ngritur pranë një udhëkryqi
Me katër rrugë që s’dinë se nga vijnë.
Rrotullohet udhëkryqi dhe gjatë rrotullimit unë prek Historinë.
Të vërtitesh i vetëm nën një qiell të temperuar mes rrufeve dhe shirave
Në një gjeratore kujtese, pranë tokës
ku gjarpërinjtë e sapozgjuar nga gjumi i gjatë
Zvarriten në sipërfaqen mes barit të gjallesave
Në pyllin e madh me gjëagjëza zogjsh shumëngjyrësh
Me ëndrrat e dhelprave dhe ingranazhet e gjinkallave
orën e pyllit të kurdisësh.
Të vërtitesh i vetëm, të ngjitesh lart si një pastrues qelqesh
qiellin mos ta gërvishtësh
Dhe po munde nga skena e Hënës
një princeshë qiellore
në karuselin tënd të zbresësh.
Me karuselin e madh Dashurinë e Botës të vërtitësh…
Radiografia e vjeshtës
Në qiell ka mbetur radiografia e vjeshtës: re dhe shira.
Pika shiu, kollitje resh
qiell i mërzitshëm si azil pleqsh.
M’u kthye dhoma në burg të madh
jashtë shiu ruan si një gardian.
Në vetminë time qielli rrudhoset nga pleqëria
dhe Hëna rëndon si gur varri.
Dihet: çdo gjë që vdes te vetmia
dhe njeriu, dhe toka, dhe bari.
Ndaj thyeji dyert e burgut dhe gjithë dritaret e burgut, thyeji
s’ka gjë pse mund të thyhet ndonjë eshtër
dhe plaga s’ka gjë pse të lëndon përsëri
vetëm një gjë të ndodhë patjetër: kurrë në vetmi!
Jashtë! Jashtë! Jashtë!
Sot dhe hënën dhe vetëtimat do t’i thyej në gjunjët e mia!
Nuk dua të plakem brenda një nate
E dashur, ku je?
Ti kërkon që të rrëzojmë nga froni mbretin budalla të shirave
të vishesh bukur me një fustan pasioni nën një qiell të kaltër prej dëshirave!?
Jashtë! Jashtë! Jashtë!
Te ty e dashur po vij
lart qielli bubullues ngjan me një çmendi!
Shiu shigjeton vetminë time, breron mbi supet e tua të njoma
Dil në parvazin e vetëtimave mbreti budalla i shirave,
Shikona!
Ne jemi dy buzë
në një gojë dashurie!
(Nga cikli “Poezi të adoleshencës”)




























Leave a Reply