Zhgënjim në emër të artit / Nga: Agron Shele

Agron Shele (2)

Agron Shele

Zhgënjim në emër të artit

Nëse shikon me vëmendje emrat e fituesve të projekteve për sponsorizim të veprave letrare nga Ministria e Kulturës por edhe nga ministria Kumbaro ( thënë më mirë, kumbarja e tyre), mendja të shkon te historiku i dekadës më të fundit, ku emra dhe personazhë të njëjtë, që luajnë përbrenda klientelizmit, i shikon përherë: ose si fitues çmimesh letrare nga kjo Ministri, ose si përfaqësues shoqatash, pra për çdo vit përthithin fondet e taksapaguesit shqiptar për Kulturën Kombëtare; ndodh edhe t’i shohësh në parakopertina ose paskopertina të detabesteve, broshurave dhe projekteve të famshme. Përfundimi është gjithmonë i njëjtë, zhurmnajë pa fund, tymnajë e hedhur sfondeve gri të kulturës që po e tresin artin deri në palcë. Përpjekja për të maskuar këtë realitet kulturor të trishtuar nëpërmjet përdorimit apo hapjes së listës me autoritete të vërteta krijuese nuk mund ta kthjellojë dot mjegullën e hedhur syve ose listimin formalizues të gati një liste të tërë shoqate. Edhe tragjedianët e mëdhenj grekë nuk kanë qënë kurrë aq të zotë sa të fitonin për çdo vit agone-në dramatike të teatrit të Athinës! Përkundrazi, këta dishepuj të rinj duket të kenë gjetur sekretin e suksesit nëpërmjet mënyrash dhe fushash të tjera. Pavarësisht këtyre pazareve (sikurse e kanë etiketuar më së shumti autorët e ndryshëm), ose edhe listimit formal të tyre, të cilët nuk përfaqësojnë asgjë me rëndësi në kulturën e madhe letrare kombëtare, thelbi i qëllimit të këtij shkrimi nuk është mënyra,  kriteret apo rezultati i këtij  projekti, por hartimi dhe motivimi i zhvillimit të tij.

Natyrshëm lind pyetja:

Mos ndoshta kemi të bëjmë me një përpjekje për decentralizim të artit?

Është ende i freskët takimi i Kryeministrit të vendit me artistët, ku në skenë u vu re thjesht një auditor partiak të cilët, me gjithë spektaklin e prezantuar, nuk arritën dot të realizonin qëllimin e mbrapshtë, atë të rreshtimit të artit përkrah politikës. Së fundi, vjen nisma tjetër e cila nuk sjell asgjë të re, përveçse betonon paktin e të njëjtave figura me instuticionin, në emër të artit, për artin, por pa art.

Është fyes por dhe shumë denigrues për një autor konkluzioni i jurisë, i cili të kujton format bolshevike, ato të inkurajimit, ecjes përpara, përsosjes së një arti të ri dhe së fundi tutela që kërkon ta mbajë të lidhur me instuticionin.

Janë konkluzione që nuk kanë nevojë për koment:

“ Juria gjithashtu vëren me keqardhje se pati edhe ndonjë autor që nuk arriti të përfshihej në dhjetëshen fituese ndonëse prurjet ishin interesante. Vlerësimi është kryer në respekt të pikëzimit dhe të metodologjisë së vlerësimit vetëm të vlerës së projektit letrar dhe jo të CV letrare të aplikantëve.

Një dukuri e tillë nuk mund të shmangej dhe ajo tani dëshmon që procesi i vlerësimit dhe i përzgjedhjes ka qenë më objektivi i mundshëm. Po kështu Juria i inkurajon autorët jo fitues të vijojnë me shkrimin e teksteve letrare duke premtuar kështu krijime të suksesshme.

Juria dëshiron të përgëzojë autorët për cilësinë e drafteve të paraqitura në konkurim dhe uron 10 fituesit me bindjen se do të arrijnë të çojnë deri në fund projektet e tyre dhe t’i japin lexuesit vlera letrare të mirëfillta.  “

Në mbyllje, si në çdo formë realizmi kemi të bëjmë me arritje, përgëzime, përpjekje dhe rritje të moralit, për të mos u dorëzuar kurrë, por për të ecur përpara drejt fitoreve të reja.

Përse ka nevojë  arti sot?

E shtroj këtë pyetje jo pa qëllim, pasi dinjiteti i krijuesit sot vazhdon të nëpërkëmbet, të keqpërdoret, pse jo dhe në shumë raste edhe të manipulohet, sikurse këto farsa, sa censuruese, po kaq dhe intriguese. Konkretisht, ato që duhet të shqetësojnë Ministrinë dhe ministren Kumbaro janë: statusi i artistit, rregullimi i kuadrit ligjor për funksionim sa më të mirë të ligjit kontraktual Shtëpi Botuese – Autor, zbatimi i ligjit të mbrojtjes së të drejtës së autorit (pasi plagjatura është shndërruar në modë), krijimi i mundësive të barabarta për të gjithë botuesit në publikim dhe reklamim, rritja e niveleve standard për marketingun e librit.

Një shoqëri e hapur, ka nevojë për shërbimin etik dhe qytetar në gjithë hapësirën e artit, kudo që ajo gjendet aktive, ka nevojë për partneritet të qëndrueshëm me gjithë vlerat dhe burimet që e përfaqësojnë edhe pse ndodh që ato të mbivendosen apo kundërvihen, ka nevojë për angazhim dhe përgjegjësi maksimale dhe për më tepër ka nevojë për mendësi të lirë, të hapur, pa komplekse, bashkëkohore dhe progresive.

Duke shpresuar që fanfara të tilla të mos ndodhin më, urojmë që ky institucion t’u rikthehet detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, të shndërrohet në tempull pankombëtar kulture, ku të gjitha akseset dhe aktorët e artit të gjejnë veten, si edhe t’u rikthejë besimin e humbur artistëve të vërtetë, atyre idealistëve të mëdhenj, të cilët në themel të jetës së tyre kanë vendosur shërbimin pa kushte ndaj atdheut, kulturës së tij dhe identitetit kombëtar.

Bruksel,  15 Gusht 2015

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s