Poezi nga Myrteza Mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

VETËM KËNGA

Çdo gjë, dihet, e ka një fillim
Dhe një fund e ka patjetër.
Botën e ndrit dielli në agim
Perëndimi e le atë të verbër!

Çdo gjë e ka dhe një emër,
E ka një ditënatë kur ka lindur.
Doemos e ka edhe një zemër,
Siç ka dhe një fund të hidhur!

Nuk mund të ketë fund të bukur
Fundi i fundit është harrimi i madh.
Ju lutem, njerëz, jini të lumtur
Kjo jetë e shkurtër e ka një prag!

Lumturia vjen mbi një re besimi,
Dhe po aq shpejt mund të tretet.
Prej saj pikon frut i amëshimit,
Prej saj rrjedhin burimet e jetës.

Ju lutem, njerëz, ejani me poetët
Për inat të vdekjes të këndojmë!
Dashuria të bënë të pavdekshëm,
Dhe vetëm këngët na zbukurojnë.

 

SI E KA MBIEMRIN E VËRTETA

Ka plot mënyra të tjera
për të thënë të vërtetën,
le të jetë e hidhur 
si mjalti i premtimeve.
Shtigjet e honeve
kanë aromën e vdekjes,
vela të grisur në gjoksin e stuhive.

Është me e shkurtër udha
mbi vahun e guximit,
ura e postës i vonon letrat e shkruara.
Nuk është e vështirë
të grisësh firmën e betimit,
më mirë kështu se me fjalë të arnuara!

Vetëm këngët poetëve s’lodhen
për të bindur botën
se ka dhe dashuri të përjetëshme.
Ah, martirët e gjorë ëndërrimtarë,
si don Kishotë,
kamikazët e bukur të vetvetes.

Është e vështirë, besa sot,
Romeo e Zhuljeta
s’do kenë ekzistuar në këtë jetë.
Janë trille të shkrimtarëve
të na bindin se për dashurinë
mund të vdesësh dhe shpallesh profet.

Në udhëtimin e amëshimit
zgjedhim dy katetet e shkurtëra,
hipotenuzat janë të pjerrëta.
Nëse gjatë viteve të udhëtimit
dimë vetëm të grindemi,
s’kemi për të gjetur kurrë
si e ka mbiemrin dashuria dhe e vërteta!

 

PËR TY IA VLEN

S’mbaj inat, nëse zemrën e asaj
e hapi një zemër tjetër,
as ngushëllohem “ky ishte fat!”,
sipas fabulës së dhelprës.

Do bind veten se nuk isha “Ai”,
as “Ajo” për mua, natyrisht
Sepse s’u bë dot Perëndi,
as unë për atë s’u bëra Krisht.

Atë e verbonte pranvera,
unë isha i tëri vjeshtë,
Ajo i kthente shpinën erës,
unë erën e kam shpresë.

Tani jemi si dy të huaj,
në skajet e një dimri
Nuk kam të drejtë ta kërkoj,
nëpër udhën e harrimit.

Do iki larg, larg prej këtej,
në gjurmët e një ëndrre,
atje ku qielli ka dy diej
pentagram të ndezur kënge.

Oh, kur të ulem në gjunjë
dhe sytë mbyllen një çast,
do bindem që s’jam në gjumë
sado që mund të jetë natë.

Pres një zë të më thërras në emër,
pret ëndrra mua,
Në dorë do kem fenerin e zemrës,
gjysmë i verbuar.

Dhe do ikim, vetëm të ikim
nën çatinë e yjeve të qiellit
Nata do tretet nga dita,
bekuar qofsh o drita e diellit!…

Kur ta përqafoj do më mbijnë yje në sy
dhe në syt’e asaj, natyrisht.
E shenjta ime si Perëndi:
Për Ty, po! Ia vlen të bëhesh Krisht.

 

E DI

E di që do vuaj gjatë, shumë gjatë
(Kështu e paskan dashuritë e zjarrta!)
Në fund të fundit edhe ky është fat
Udhët për tek dita kalojnë nga nata.

E di që do lodhem, edhe do djersitem
(E thiktë udha për tek zjarri i buzës)
Duhet të bjesh dhe sërish të ngjitesh
Nga pas, si manare, urtësia e muzës.

E di që do pikoj shpesh dhe trishtim
(Kurrë s’do e le kupën të mbushet plot)
Do e hedh si fugë, tutje në greminë
Besoj në besë, besoj edhe në Zot!

Sepse ti luhatesh si varka mbi dallgë,
(Koha e egër është vërtet si një det)
Bij’e stuhisë është zogu pulëbardhë
Dhe ne zogj qielli jemi në këtë jetë.

Nuk ndjej të lodhur, s’më sosen fjalët
(Shfletoj albumin plot me përbetime)
Sikur lexoj njëmijë e një përrallat
I gëzohem besës dhe firmës së betimit.

 

MOS MË LER TË LODHEM

Mos më ler të lodhem kurrë,
Nga përkëdheljet dhe fjalët e ëmbla
Për ty, çdo fjalë që më çel në buzë
Është notë e shkëputur nga zemra!

Është pasthirma e shpirtit binjak
Mbi krahët e mallit të përlotur
S’t’i pashë një herë sytë me natë
Veç diell mbi diellin e botës!

Nëse bëhem zog në sy të dritares
Dhe trokas në ëndrrat e tua të blerta,
Aty gjej të ndezur mijëra zjarre
Aty më presin buzët e nxehta!

Ti je e urtë, si një urë guri
Të ndrisin yje në gushë e në ballë
Dhe unë mar zjarr, zjarr prej burri
Dhe ti bashkë me mua në zjarr!

Të përkdhel si fëmijë, ti je mësuar
Më dhuron jetë vetëm me buzëqeshje
Unë, ”adoleshenti yt i pandryshuar”
Me jetën tënde nuk e njoh vdekjen!

Kurrë nuk lodhem, përse të lodhem?
Përherë gërmoj në fjalorin e shpirtit
Nga fryma jote dehem e shlodhem
Dhe s’dua të di për vitet që ikin!

Mos më ler të lodhem, të lutem
Edhe ti mos u lodh nga ledhatimet
Si gamile e heshtur eci, nuk ngutem
Po u lodha, vdeksha pa ditëlindje!

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s