Ka dalë gjizë… / Tregim nga Sabina Darova

Ka dalë gjizë…
 
 
Tregim nga Sabina Darova
 
Është ora tre e mbasdites e një dite të nxehtë korriku. E nxehtë, nga ato që po ta vendosësh një shalqi të papjekur mbi gur, nga avulli që lëshon, jo vetëm që piqet në çast, por edhe çahet në dysh e rrjedh lëng të kuq.
Shtrirë mbi divan, në gjumin e mbasdites , ndjej njëkohësisht një zë nga jashtë dhe një dorë mbi sup që më tund. Me sytë gjysëm të mbyllura,perceptoj që ashtu, si zëri që qëndron afer meje, domethenë im atë, ashtu edhe zëri i mprehtë i një gruaje që vjen nga jashtë, shqiptojnë të njëjtën shprehje:
– ka dalë gjizë!
– Zgjohu Rita, zgjohu! Shpejt e në “ushqimore” se ka ardhur gjiza. Sa pa ardhur njerëzia e rritet radha, nisu, he bijë! Merr dy tasa, ndoshta ti japin nja 2-3 kg.
Fërkoj sytë e bezdisur, por nuk mundem të kundërshtoj. Një shplarje fytyrës me ujin nga kovat, ato që rrijnë në radhë si ushtare të bindura në banjë, për të shuar zjarrin që ndez vapa. Tërheq dy tasa, të kuq e të verdhë, gishtat e këmbëve në sandalet plastike dhe ngutem për të dalë jashtë. Nuk jam vetëm. Nga hyrja e pallatit dhe të pallateve përkarshi, shoh gra dhe fëmijë si unë, që dalin me tasa ndër duar. Ndërsa ecin, ju thërrasin dhe të njohurve të tjerë, Sanije, Bedrije, Halim, Murat, Agim, Mimoza e me radhë, për të njoftuar lajmin e gëzueshëm dhe tronditës : ” ka dalë gjizë”. Ishte ngjarje e pazakontë.
Kish kaluar një muaj nga hera e fundit. Mbi fytyrat e njerëzve lexohet ethja e urisë, e dëshirës që përpunon në mëndje ndjesinë e kënaqesisë që jep shijimi, ndërsa përfytyrojnë veten me një fetë buke me gjizë sipër që e mbllaçisin nëpër gojë dhe, mungon guximi ta shtyjnë poshtë. Grada e kënaqësisë rritet ende më shumë, kur imagjinohen specat e mbshur dhe të skuqur mbi tigan. Aroma e këndshme që lëshon, është marramendëse. Hapat shtyhen vetë në ecje e pa mundim.
Nxitojmë të gjithë në një drejtim. Kush e kush ti afrohet më parë dyqanit të ushqimores. Poshtë këmbëve kërcasin guralecët e rrugës, të cilët kërkojnë të pengojnë marshimin e forcës blerëse. Por, penguesi i vërtetë eshtë një urë e formuar nga një kollonë betoni, i cili lidh rrugën e pa asfaltuar me atë të asfaltuarën, e cila kalon mbi shtratin e një përroi. Aty bëhet serioze situata. Fëmijëve, ndodh që ju rrëshqasin këmbët nga sandalet apo shapkat, të shkaktuara nga djersa. Lëkunden mbi këtë urë dhe klithmat e trembura të grave i trembin akoma më shumë. Ndodh, që rrëzohen e nuk mungojnë këmbët e ndrydhura apo të thyera. Sipër kësaj ure kalon vetëm një person, dhe kur dikush është i kujdesshëm në hapat qe hedh, dëgjohet një hakërrim i ndonjë burri, që kërkon të kalojë sa më pare dhe fillon me të sharat nga nëna në shkallë fisnore. Kjo, sepse njihemi të gjithë midis njëri-tjetrit. Kemi hyrë në të njëjtën sallë radiografie dhe i njohim brinjët shoku-shokut. Interesante bëhet kalimi i të ashtëquajturës urë, kur bie shi apo dëborë. Balta e rrugës të përqesh nga mbrapa për të të sfiduar. Ndjehesh një akrobat cirku që kërkon të mbash ekuilibrin…
Mbasi ke kaluar pengesën e fundit, o burra e me vrap mbi asfalt, ku këmba shkel e qetësuar dhe e gëzuar, sepse bie në terren të rehatshëm. Aty, shpejtësia rritet dhe bishtat e syrit ndjekin hapat e tjetrit që nxiton po ashtu si ty dhe rrit apo pakëson ritmin. Zemra fillon të rrahë në hapat e fundit drejt dyqanit, sepse aty kupton nëse ke arritur në kohën e duhur e fillon të sqarosh me mendje, mundësitë që ofrohen, për ti mbushur apo jo tasat me gjizë, apo të kthesh thembrat andej nga ke ardhur.
Dhe ja, arena e luftës së gladiatorëve, të shfaqet përpara. Syri kap një numër njerëzish përpara derës së dyqanit, në të cilën është vendosur një banak druri. Mbi të një peshore hekuri e ndryshkur. Përballë qëndron shitësja me llërët e bardha dhe të shëndosha. Në krah i qëndrojnë një apo dy fuçi të mbushura me lëndën gjizë. Me djersët që i shkojnë çurk lufton me garuzhdet që mbushin plasmasët, tenxheret apo tasat e njerëzve. Pyes kush është i fundit. Më takon një vajzë moshatare.
Pyetja e parë është sa fuçi kanë ardhur. Përgjigjen e marr nga njerzit që kanë bërë të njëjtën pyetje përpara meje. Atyre ju përgjigjen fatlumët që dalin nga radha me fytyrën që ju shkëlqen nga gëzimi, sepse në krahët e ngritur qëndrojnë tasat e mbushur me kremin e bardhë. Mbasi kam bërë shpejt e shpejt disa llogari, mendoj të qëndroj e të mos zmprapsem. Ndërkohë nuk mungojnë të shtyra brinjësh nga e majta në të djathtë, nga njerëzit që sapo kanë blerë dhe prej atyre që shtyjnë, të shkojnë përpara në avancim dhe, as që e kanë ndërmënt të hapin rrugë. Pra, vështirësia më e madhe qëndron jo të arrish pranë banakut, por si të dalësh që aty.
Dikush kërkon të futet me hile përpara dhe të sharat marrin rrugë. Ai apo ajo hilanjosja, mundohet të zbusi gjendjen, e përdor fantazitë për të mashtruar apo justifikuar veprimin. Dhe ja, mbas dy orësh, gjendem triumfuese përpara banakut me tasat përpara.
– të lutem, teta Bukurije, mundet të më japësh tre kg gjizë?- e pyes me sy të lodhur.
– ajo më shikon ngrohtë dhe tund kokën në shenjë aprovimi. Ndërsa ngre garuzhden ju hedh një sy njerëzve dhe flet:
– e shihni, fëmijë ështe, por e edukuar. Jo si ju që bërtisni. Merrni shembull.
Njerëzit që kam në krah tundin kokën e i përgjigjen:- po ç’pret ti nga copa e kalamanit?
Unë ul sytë përdhe e kënaqur nga lëvdata e shitëses duke menduar që tashme 3kg gjizë i kam të siguruara.Marr tasat e mbushur dhe bëj të kthehem. Por stepem. Gjendem e rrethuar nga të gjitha anët nga duart që zgjaten përpara banakut
– më jep dhe mua, më jep dhe mua…
Ashtu e vockël, mbulohem prej trupave të tyre, ku fillon e më zihet fryma. Nuk arrij të shoh asgjë, përveçse trupave të djersitur që mbysin me erën e tyre.
Nga tmerri filloj dhe bërtas:- më mbytët, më mbytët…
Akoma pa e kuptuar se nga, dhe e gjendur në panik, ndjej nje dorë që më mbërthen dhe më ngre hopthi. Kështu, njeriu i mirë, bën rrugë dhe arrin të më nxjerrë nga vorbulla e njerëzve së cilës, as që i shkoi nëpër mënt që jeta e një fëmije kish rrezikuar jetën, mes asaj turme të çmëndur. Po te mos kish qënë ai, a do kisha dalë e gjallë prej aty? (Ngritja hopthi mbi turmë do më bëhej vazhdë më pas në radhat që do vijonin akoma për disa vjet me radhë…) .
Ndjej fustanin të lagur nga djersët ngjitur për trup, flokët të qullur e shpërndarë si bari i lagur, fytyrën që djeg nga vapa dhe lotët që përthahen nga i nxehti i faqeve dhe i kripës së tyre që krijojnë kore.
Rimarr rrugën për t’u kthyer në shtëpi. Tek ec, ndjej vështrimet e grave të lagjes që lakmojnë tasat e mbushur. Ngjis shkallët gjithë gëzim dhe vendos gjizën mbi tavolinë.
“Do na bëni byrek?” , pyes.
Ime ëmë, tund kokën në shenjë aprovimi dhe provon të ngjyejë gishtin për ta shijuar. Shtangem nga strembësira e fytyrës që vizatohet përpara vështrimit tim.
“po kjo qënka zeher me bijë”, Bërtet.
” Ç’është ky tmerr qe na paske marrë, Ajo e komshies ishte gjalpë…”
” jemi pa fat “- hidhet im atë , “fuçia e keqe do i ketë qëlluar kësaj” dhe më vështron me ton qortues, sikur faji të jetë i imi.
E rraskapitur lëshohem mbi karrige dhe mbyll sytë. Skena e lumtur transformohet në hidhërim. Heroizmi im, humb në çast, vlerën e e tregimit të luftës që sapo u zhvillua pranë një dyqani. Sepse ajp nuk ishte një radhë e zakonshme, por ishte një luftë për të siguruar mbijetesën. Ishte luftë në të cilën moshat e popullsisë nuk diferencoheshin; ata ndjeheshin të gjithë mitur.
Botë e mallkuar i them vetes, dhe ndjej brinjët që kërcasin duke aaprovuar mallkimin që mëndja lëshon në heshtje.
*. * *
 
Ishte viti 77’… Akoma sot, mbas 40 – vjetësh, kur syri kap kutitë e bukura me gjizë, kujtesa më merr përdore në ato vite të rënda, kur në fytyrat e njerëzve nuk lexohej gjë tjetër përveçse fjala URI…
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s