Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

PËRQAFUAR ME ERËN

Nëse ka një “hiç”
dhe njëherësh gjithçka,
që e dua instinktivisht
dhe më do,
me shtysë të vetvetishme,
që më bën të mendoj për të
e për çdo gjë që ka,
era është ajo,
era e kudogjendshme,
era me furtuna,
me tufane të stuhishme…

Mua shpesh më fluturon mendimi
te krahët e saj transparent,
te flatrat e saj pa kufi,
te liria e saj pa porta,
te fiziku me formë të ndjerë,
te lëvizja e padukshme,
te vrapimi pa frerë,
te fuqia kolosale e erës…

O, jam përqafuar marrëzisht me erën
dhe me vetitë e saj fluide!
Edhe kur rend,
edhe kur çlodhet hë për hë,
era është brenda meje,
përhapur deri në inde
dhe unë i zhytur i tëri
brenda në të…

Ose, ne jemi brenda njëri-tjetrit
dhe duart e saj
herë delikate,
herë të freskëta,
herë përkëdhelëse,
janë brenda jetës sime,
brenda intimitetit,
në lëvizjen e madhe,
në vërtitjen e përjetshme.

Duke gëlltitur bujarinë e saj
gjashtëdhjetë herë në minutë,
kam harruar,
se poezia ime e parë,
me një dashuri,
më të madhe se për zemrën,
duhej të kishte qenë,
për lidhjen e pandërprerë,
asnjë sekondë me erën,

Që më dëbon vdekjen,
me frymën blu të qiellit
dhe më frymon jetën,
me rrezatimin e diellit…

 

NËNA E UJKUT TË QYTETIT

Thuhet s’ka nënë, të urrejë djalin, 
por kjo e mallkon shtatë herë në ditë:
Më mirë të kisha bërë një ujk për malin,
të shqyente ndonjë nga bagëtitë;

Sesa linda ty, ujk për në qytet,
të shqyesh xhepat e ndonjë plaku.
Oh, ajo buka e pensionistit të shkretë,
t’u bëftë diarre në zorrët e barkut!…

Ai përgjon si ujku, nuhat nëpër erë,
në autobus, ulet pranë të sëmurit,
të depërtojë gishtat, pa u ndjerë,
në çantën e gruas, xhepin e burrit.

Më keq, te arka e pagave të pakta,
shpesh i bën plakat të qajnë me lot,
rrëmben në çast nga duart e ngathëta,
tufën e pensionit, për një muaj plot.

Pastaj në birrari me qofte e merluc,
ha e pi paradhënie të ardhmen e vet,
pa menduar për hekurat, në birucë,
ku do dergjet, pa gishtat e mprehtë.

Nëna e tij është gati kurdoherë,
të dhurojë stolitë e saj të floririt,
vetëm t’i dalë, gruas së mjerë,
dikush, që i heq vesin të birit…

Por në vend të shpirtit, ai ka shkarpë
në vend të zemrës, ka gur të zi.
Kthehet me xhepat plot në darkë,
teksa nëna e heton tinëz, në sy:

Si s’më tregon mua, që të lutem,
ku i gjete ato para, more ditëzi?
Se i them dheut, hapu të futem,
po të thirrën prapë në polici!…

Tani s’të falin, ty burrë nga trupi,
kur duhet të punosh, po punë s’ka.
Unë dridhem, si purtek nga turpi,
dyshoj i ke zhvatur prapë, ato para!….

Por ai, pa çarë kokën për nënën e tij,
trullosur nga pija, bie fle në darkë.
Nëna s’ka shpirt kallëzues për polici,
derisa ujku i qytetit, ra vetë në çark…

 

LUFTA E TROJËS BRENDA KOKËS

Mbrëmë, brenda mureve kockore
të kokës sime,
bëhej luftë, si brenda mureve
të kështjellës trojane.
Akejtë e tërbuar të tregut
kishin qiellëzuar çmimet,
sapo kali i votimeve
kapërceu portën qeveritare.

Hekuba ime u kthye e pikëlluar
nga pazari mesdhetar,
ku ca mikenas të babëzitur,
i kishin zbrazur krejt kuletën,
për pak barishte stine,
spinaq, karota e panxhar,
sikur ishin desh me brirë,
të kërcyer nga dheu përpjetë…

E frikësuar nga zemërimi im,
për atë boshatisje kulete,
ajo mendoi se unë, Priami,
do bëja sherr që bleu karota.
Por megjithëse i thashë:
“Paratë na marrshin të keqen!”,
gjëmimet e luftës, më shpërthyen
gjithë natën tym nga koka…

I vrarë egërsisht nga harxhimet
e muajit të mëparshëm,
kundroja gruan me dhimbje,
tek sillej rreth kuzhinës mjerane,
duke menduar, se deri
te mini pensioni i ardhshëm,
kështjella e kokës do më bëhej
gërmadhë e luftës trojane.

Ndërkohë mbretërit e akejve,
të sapozbritur nga kali,
festonin me bujë
fitoren e hapjes së portës,
nga tradhtarët trojan,
të detyruar nga halli
të shtypen më keq,
pas shitjes varfanjake të votës…

 

BISEDA E ZOGJVE

M’u desh të mësoj
gjuhën e zogjve për disa vjet,
t’i jepja vargut poetik
ëmbëlsinë e bilbilit këngëtar.
Sot dëgjova si bisedonte
zogëza me zogun e vet,
teksa cicëronin duke plapuritur
krahët fluturimtarë:

“Çudi, tha zogëza, këta njerëzit,
dashurohen marrëzisht,
por grinden shpejt
dhe ndahen si skifterë të egër,
pasi kanë ndërtuar folenë
të dy bashkërisht,
lënë të vegjlit jetim,
ende pa dalë nga vezët…

Ndoshta, tha zogu, kanë marrë
zakonet e qyqeve vajtimtare,
për t’i lënë vezët
në fole të tjera, aty këtu,
këndojnë, si ne bilbilat,
për dashuri familjare,
po s’jetojnë dot pa çuçuritur,
si beqarë dru më dru…

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s