Shtëpia Botuese “ADA” publikon romanin “Meteori Ndëshkues…” të autorit Setki Q. JASHARI
Titulli: Meteori Ndëshkues…
Autor: Setki Q. JASHARI
Redaktor: Dr. Hajri Mandri
Botimi i parë: 2022
Formati : 14x20cm
Të gjitha të drejtat i takojnë autorit
Përgatiti për botim: Roland Lushi
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7
www. botimetada.com
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, tetor 2022
Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA
CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Jashari, Setki Q.
Meteori ndëshkues… : roman / Setki Q. Jashari
red. Hajri Mandri. – Tiranë : Ada, 2022
452 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-362-73-5
1.Letërsia shqipe 2.Romane
821.18 -31
PARATHËNIE
VEÇORI ARTISTIKE TË RRËFIMIT TE ROMANI “METEORI NDËSHKUES” I SETKI Q. JASHARIT
Pas shembjes së komunizmit, periudha e tranzicionit eksplodoi me gëzimin e lirisë dhe çlirimin e energjisë së ndrydhur të shoqërisë shqiptare, shoqëri e izoluar për një kohë të gjatë, por dhe nga pritshmëria sociale për lumturi të menjëherëshme, do të zhgënjejë mjaft anëtarë të shoqërisë që kishin vështirë përshtatjen dhe pranimin e sfondit anarkik. Në shkrimet letrare filloi epoka e re e pasqyrimit me realizëm të jetës shoqërore, jashtë skemave ideologjike. Prozatori, Setki Q. Jashari, i cili iu përkushtua demokracisë dhe përparimit shoqëror, po bënte një jetë dinamike, brenda dhe jashtë Shqipërisë duke njohur nga afër peripecitë dhe vuajtjet e emigrimit të paligjshëm. Kjo përvojë i dha autorit mundësi të mëdha njohjeje dhe lëndë të begatë për t’u përkthyer në vepra letrare. Setki Q. Jashari e çel siparin e tij të rrëfimit në prozën e gjatë me romanin “Emigranti fisnik”, ndërsa romani i tij i dytë “Meteori ndëshkues”, paraqet pikërisht momente psikomentale të fazës më të vështirë të tranzicionit shqiptar. Te personazhi kryesor i romanit, Ramires Isaros, gjejmë të mishëruar përfaqësuesin tipik të intelektualit të ri, që nuk bën kompromis me dukuritë negative të kohës, dhunimin e të drejtave njerëzore dhe duke e vënë atë përballë ndryshimeve të mëdha, autori ia ka dalë të zbërthejë një sërë konceptesh dhe alternativash krijuese, që adaptohen në kontekstin e ri shoqëror dhe politik, në kushtet e lirisë dhe të ruajtjes së balancës midis traditës, si kod nacional dhe atij moralo-shoqëror në transformim. Estetikisht, autori nuk pajtohet me krimin dhe korrupsionin, i cili duke abuzuar me lirinë, tenton në çdo fushë të jetës, të instalohet në sistem. Vlerat morale dhe tradicionale shqiptare autori i shikon të lidhura ngushtë me vlerat e reja qytetëruese dhe liberale por gjithmonë duke i parë në një kohezion të brendshëm të traditës tonë fisnike dhe humane. Personazhet që autori sjell në këtë vepër janë përfaqësues të veçantë të grupimeve shoqërore, në sjellje të përkundërta, në përplasje deri në konflikte të hapura dhe hakmarrjeje, si motive të dobëta shoqërore që prodhon konteksti social në tranzicion, sidomos kur shteti dobësohet dhe krimi e korrupsioni i mbivendoset sistemit ku grabitësit dalin në rrugë ditën për diell. Dilemat dhe iluzione të ndryshme lindin në psikologjinë dhe mënyrën e të menduarit. Është një revolucion i vërtetë psikomoral që përfshinë shoqërinë, ndaj ngjarjet në roman janë mjaft intensive dhe me të papritura. Vihet në diskutim vlera morale e individit dhe integritetit të tij kulturor. Demokracia është përmbajtje, ajo thellon humanizmin dhe respektin e dinjitetit të njeriut dhe nuk është thjesht, një klishe numrash që përbëjnë turmën, ku gjashtë budallenj vlejnë më shumë se pesë të mençur. Duke ndjekur episode në roman, ku jepen me një intensitet veprimi dhe ndërthurje elegante në ligjërimin letrar dhe dialogun e gjallë të autorit, kuptojmë se pati mjaft njerëz, që u zhgënjyen në ëndrrën e tyre për një jetë të lumtur dhe të begatë. Një vend të rëndësishëm në këtë metarrëfim është emigracioni si rrugëdalje nga varfëria dhe shuarjes së oreksit që të hap bota e re dhe moderne demokratike. Rreziku që i kanoset njeriut në një vend ku zotëron anarkia dhe mungesa e shtetit ligjor, është një linjë dominuese që e përshkon romanin në dy pjesët e tij. Ngjarjet zhvillohen në Shqipërinë e tranzicionit demokratik. I riu shqiptar u përball me sfidën e ndryshimeve të mëdha konceptuale, për të ndërtuar një raport human me prindërit dhe botën që na rrethon, por konteksti shoqëror konfliktual nuk e favorizon këtë gjë. Personazhi kryesor i cili bart mesazhin kryesor në roman manifeston një liri të brendshme shpirtërore, brenda sinqeritetit, humanizmit dhe fisnikërisë së tij, por shpesh ndjenjat hakmarrëse e bëjnë atë konfuz. Kjo i jep romanit vërtetësi pasi në periudha të veçanta, tranzicioni te mjaft njerëz ushqehen dilema dhe iluzione. Përbuzja ndaj keqbërësve shoqërorë shndërrohet në kompleks dhe delir refuzues e mospajtues deri në hakmarrje. Boshti qendror i romanit voluminoz është rrëfimi shoqëror i dhënë në mënyrë lineare pa ndërlikime duke mbajtur sensin e zhgënjimit të ëndrrës së moshës rinore, gjatë periudhës së tranzicionit demokratik të shoqërisë, të dalë nga nga izolimi i gjatë dhe hapja në emigracion, e cila u pasua me vuajtje cfilitëse të refugjatëve, të udhëtimeve aventurore maleve, me dëmtime fizike dhe morale të të rinjëve dhe deri edhe të humbjes së jetës e përjetime tragjike me fatkeqësi të mëdha. Episode dramatike me plot ngacmime dhe pickama të jetës, ku zgjedhjet vijnë nga shtysa motivacionesh të imponuara nga varfëria dhe gjendja pa rrugëdalje, deri në reagim të ashpër ndaj gjendjes kontekstuale të mungesës së rregullit dhe ligjit. Trillet artistike mbërthehen në situata të befta me plot të papritura, që krijojnë shanse për emocion tek lexuesi. Vlerësimi, argumenti dhe analiza, zënë vend në veprime dhe gjykime që shpeshherë vijnë si rrjedhojë logjike e veprimit të shpërfaqur, kryesisht përmes dialogut të shkathët midis miqve që mblidhen për të darkuar. Me thjeshtësi aty, narrativa e veprimit shndërrohet në reflektim, konlkuzë, mesazh. Autori orvatet në modelin e rrëfimit tradicional. Meritë e tij është përshkrimi i detajeve jetësore, temave të vogla dhe ideve që zbulohen krejt natyrshëm, pa shumë bujë e zhurmë. Personazhet janë të miqësuar rreth qëndrimeve dhe vlerave morale të individit dhe familjes duke i kundërqëndruar erozionit moral të keqbërësve të shoqërisë, duke i dënuar ato me rreptësi dhe duke ndjerë edhe dëmin moral të shkaktuar nga mungesa morale e individëve të rrebeluar të shoqërisë. Romani, nuk është në rrymën moderne të shkrimeve në prozë, në formë eseistike, pa fabul. Pikërisht, romani është realist pasi bazohet në fabul, në analizë psikologjike të fortë të karaktereve, me rrjedhë të natyrshme të zhvillimit të ngjarjeve, në lidhjet e tyre shkak-pasojë, ku shkrimtari depërton thellë në shpirtin e njeriut duke kundruar e skanuar, se si rritet dhe zmadhohet ndjenja e hakmarrjes tek njeriu, ndërsa në zgjidhjen dhe vlerësimin e situatës, shpeshherë autori e lë lexuesin të gjykojë vetë, pa dhënë konkluzione të gatshme skematike. Mendojmë se një nga vlerat më dominante të këtij romani është rrëfimi i drejtpërdrejtë dhe thellimi në gjendjen psikologjike të personazheve, të cilët dialogojnë në mënyrë mjaft të natyrshme dhe me një gjuhë të gjallë, plot kolorit dialektor ku krijojnë situata ligjërimore me ngjyrime emocionale. Stili i të shkruarit të autorit shkon drejt prirjes së romanit eseistik dhe garanton tërheqjen e lexuesit të sotëm, të cilit i përputhen interest estetike me konstruktivizmin, si filozofi e ndërtimit të ideve të reja shoqërore dhe humane. Urojmë që autori të thellojë modelin e tij krijues në psikanalizë, duke depërtuar përmes rrëfimit dhe shembëlltyrave, për të shpërfaqur refleksionin e brendshëm të personazheve, të cilët kërkojnë të bëjnë zgjedhjet dhe zgjidhjet, duke u vetëpërmbajtur nga trishtimi dhe ligësia që në raste të veçanta të ofron jeta, duke i zgjidhur ato në koherencë me normat e reja morale dhe ligjore të shoqërisë demokratike.
Dr. Hajri Mandri




























Leave a Reply