Poezi nga Rami Kamberi
DASHURITË, E MËDHA…
Dashuritë e mëdha i pi tradhtia
Mbeten mes ëndrrave e shpresës s’koti
Tradhtohen keqas nga lumturia
Si uri të shtruara në sofrat, me pika loti
Kafshohen mes vete, si jeta me vdekjen me egërsi
Trishtohen kur shikohen e mbeten, si statuja të ngrira
Kërkohen, për t’u gjetur e për t’u kafshuar, përsëri
Tradhtohen e tradhtohen, qajnë, t’u buzëqeshet fytyra
Dashuritë e mëdha i pi tradhtia
Linden si xixa zjarri, me shikimin e parë
Tradhtohen keqas nga lumturia
Vrapojnë pas shpresës, që i tërheq zvarrë.
E IMJA, DASHURI…
Besa e madhe është e imja dashuri
Mbi tokë rëndon, sa malet e Sharrit, plak
Burimin e ka lum si gurrat lumturi
Mbi gurët e shtratit jehon, si xixa në flak’
Lundron e po lundron, deri në detin Mesdhe
Si penat pa emra, mbetur, në bibliotekën Aleksandria
Ligjëron e po ligjëron, dituri, për jetën mbi dhe
Si kokat e jetëshkronjës, deri atje ku më s’duket Iliria
Liria ku ishte shenjtëri e plisat e kishin atdhe
Besa e madhe është e imja dashuri
Flet me gjuhën e perëndive, tash sikur dukur
Burimin e ka lum si gurrat lumturi
Faqe e abetares së shkruar me thonj mbi gur.
FATPRERA NË DASHURI, MË THA…
Kur sytë të puthin e ti frikësohesh
Merr ikjen rrugëve, sikur do, të harrohesh
Sytë e tjerë të presin, ti trishtohesh
Flet me veten, kërkon strehë të strehohesh
Me cilët sy kërkon të dashurohesh
U kthehesh udhëve, përsëri, sytë e parë i kërkon
Sy e sy të shikojnë e të puthin, ti mbetesh në kërkim
Ata sy, që i do ti, si stuhitë terse, dikush i trazon
Nga ëndrra e dashurisë, rrugës së fatit, që s’ka kthim
Kur sytë të puthin e ti frikësohesh
Udhët e jetës, të duken si fatet e prera, në besë
Sytë e tjerë të presin, ti trishtohesh
E merr udhën e kërkimit i pafat dhe pa shpresë
Për sytë që kërkon të dashurohesh.




























Leave a Reply