Henry Wadsworth Longfellow
Kalendari poetik: Henry Wadsworth Longfellow (1807-1882)
Më 27 shkurt 1807 u lind Henry Wadsworth Longfellow, poet, shkrimtar dhe përkthyes amerikan. Qe nga të parët shkrimtarë amerikanë që bëri emër në botë. Si përkthyes, ishte i pari që përktheu në SHBA ‘Komedinë Hyjnore’ të Dantes. Mbështetës i zjarrtë për heqjen e skllavërisë. Në Shqipëri u bë i njohur prej poemës Scanderbeg, poemë që u shqipërua mjeshtërisht prej Fan Nolit.
Sot, në 216 vjetorin e lindjes së Longfellow-t, sjell këtë shqipërim:
AGIM
Era që nga deti u lëshua
Dhe tha: “Mjegull, hapma udhën mua.”
Pastaj detarët përshëndet e flet:
“Nata kaloi, dilni shpejt në det.”
Në tokë u hodh edhe bërtiti:
“Zgjohuni shpejt, se dielli lindi!”
U turr nëpër pyje dhe i shkundi:
“Gjethet si flamurë, shpejt t’i tundni!”
Preku flatrat e zogjve që flinin:
“Hë, çohuni dhe këngës t’ia mirrni.”
Shkoi nëpër fshatra: “Zgjohu këndez,
Bjeri burisë tënde, është mëngjez.
Shkoi nëpër fushat plot me drithë;
“Përkulni kryet, nderoni ditën.”
Në majë të këmbanares u ul:
“Zgjohu, thuaj sa ësht’ ora, o tunxh.”
Shkon te varrezat, psherëtin lehtë:
“Ësht’ ende herët, flini të qetë!”

© shqipëroi Maksim Rakipaj




























Leave a Reply