Poezi nga Sokrat Habilaj
DY FJALË PËR VETEN
Tridhjetë vitet e parë, m’i morën ca të tjerë,
Tridhjetë të dytët ca të tjerët m’i zunë pritë.
Dhe tani vetja më duket si një trung i prerë,
Gjysma ime çapitet mbi dhè e gjysma meit.
Jeta ime ndarë me vijë gjaku në dy gjysma,
Ku njëra më baltoset e tjetra prodhon baltë.
Po unë nuk e di cila pjesë është më e trishta,
Dhe rri i vështroj pa mundur të them:-Mjaft!
Nuk di pse të paktën s’i bashkoj në një kohë,
E më pas baltën nga fytyra të nis e t’ua heq.
Ndoshta s’u flas dhe as s’do mburrem me to,
Por nuk kam pse të skuqem, a të ndihem keq.
BURRAT
Burrat bëjnë paqe, burrat bëjnë luftë,
Burrat vrasin, burrat dhe i vret plumbi.
Burrat zënë pusi, burrat bien në kurth,
Burrat ikin heronj, burrat i mbyt turpi.
Burrat dashurojnë, burrat lëndojnë gra,
Burrat lidhin pakte, burrat prishin ura.
Burrat nuk qajnë, burrat lotojnë si ata,
Ndërsa gratë…? Gratë lindin burra.
DASHURITË NUK VDESIN DUKE IKUR
As unë nuk kam ikur nga ti,as ti nuk ike,
As te njëri-tjetri nuk e gjejmë ndonjë cen.
Ndërsa tymi i cigareve si e vetmja lidhje,
Mbulon ndarjen tonë, mbase dhe e bren.
Të dy dukemi si palë që kishin një pakt,
Por pakti mbaroi e ne ndihemi ngushtë.
Sepse gabuam të dy, gabuam në atë çast,
Kur mosikjen kishim vendosur si kusht.
Po ndoshta ky pakt me kohë duhej grisur,
E të shkruhej ndryshe mbi letrat e bardha.
Dashuritë nuk vdesin kur janë duke ikur,
Të gjitha dashuritë vdesin nën gërmadha.
SHKRUAR NË UDHËTIM
Ne po largohemi pak nga pak nga njeri -tjetri,
Hipur mbi trena të ndarë, endemi pa adresë.
Shinat kafshuar nga trenat pas çdo kilometri,
Ngjajnë si dy skeletet tona të këputur në mes.
Ndoshta isha unë që e shtrova skeletin i pari,
E tani si i kapur në kurth rri e kafshoj buzën.
Shpirti bëhet dhe shina që të rikthehet malli,
Dhe prapë ndodhka që malli e humbet udhën.
Dy trenat tanë klithin nëpër stacione dhe ikin,
Por ai që shpiku stacionet e ka ditur me siguri.
Nëse malli nuk zbret një çast e lodh shpirtin,
Ndërsa ti loton tej xhamit se nuk e pret njeri.
Në një stacion të panjohur nëse ndihesh keq,
Se dashuritë e tua kanë mbetur pas të gjitha.
Fshije vragën e lotëve e hidhi sytë mbi qelq,
Do shohësh mua si statujë, thinjur nga pritja.
Po mos më pyet si të ndoqa pas çdo kilometri,
As si u gjenda për ty rastësisht në atë stacion.
Shuhen dashuri të mëdha nëse vdesin tek tjetri,
Kur tjetri është brenda teje vdekja s’ekziston!




























Leave a Reply