Poezi nga Nurie Baduni
AMFITEATRI I I SHEKUJVE
Butrint!
Përballë shkallareve,
Të rri varur heshtja,
Si një mozaik ankesash,
Krijuar kohërave.
Amfiteatri i shekujve,
Dëshmon për një teatër të ri…
Personazhe dramatik mbushin skenën.
Shfaqja fillon.
Unë spektator i vetmuar,
Mbush shkallaret e boshatisura…
Gjëmon nëntoka nga thirrje pellazgësh,
Trokitje demonësh ndjejnë në sfond…
Qetësinë e bekuar,
Prej shekujsh,
Rëndë po e shkelmojnë.
Mbetjet kockore,
Klithmojnë për historinë e shprishur,
Që në koka politikash rëndon.
Koka të shpërndara,
Që shekujsh rënkojnë nën ritme
barbarësh.
Vishen rrënojat,
Me jehona zërash të mekur,
Perëndive ju thërrasin për ndihmë…
Frigohet Dea nga historiani përdhunues,
Mbuluar me veladon të zi.
Paradoksin ndjen ndër deje,
E luanit i struket në gji.
E unë,
Një Dea e mbitokës thërras me forcë:
“Hej ju, që Butrintin tim,
Kërkoni të përdhosni me duar të ndyra,
Mendësi të huazuar mbartin për të,
Ndaj mos u bëni pre e mashtrimit!”
Butrinti ynë,
Tokë e të parëve ngulçon…
Dhe shfaqja e sapofilluar,
Vazhdon e vazhdon…
Fundi nuk dihet…
A do të dëgjohen zërat autoktonë,
Apo zëra të rinj koha do fundosë?!
Ah Butrint, Butrint,
Rënkon e rënkon…
Brendësisë sonë.
N. Baduni 31.07.2022




























Leave a Reply