Unnur Benediktsdóttir Bjarklind
Kalendari poetik: Unnur Benediktsdóttir Bjarklind (1881-1946)
U lind më 6 gusht 1881 poetja dhe shkrimtarja islandeze, që përdorte si emër arti Hulda. Njihte shumë mirë gjermanishten, anglishten, frëngjishten, gjuhët nordike, kështu që pati mundësi të njihej mirë me letërsinë evropiane. Ja një poezi prej saj:
DËSHIRË
Oh, flatrat e tua të kisha moj erë,
Të fluturoja, pa menduar dy herë
E di për ku do të merrja fluturimin.
Dhe të ulesha mbi atë re të bardhë
Të rendja nëpër gjithësinë e kaltër
E di se ku do ta hidhja vështrimin.
Me zërin tënd, burim, të bëja një këngë,
Sa gjithkujt t’i rridhnin lotë, aq të ëmbël,
E di për kë do ta këndoja këngën time.
Të buzëqeshja si yll që shkëlqen
Me buzëqeshje të ngrohtë që mallëngjen;
Atij t’i falja buzëqeshje dashurie.
Ta kisha dorën të ngrohtë, të magjishme
Që me ledhe mërzi, dhëmbje të hiqte;
E di unë kë do të ledhatoja.
Shikoj, ndjej ku shpirtit i pëlqen të shkojë
Dëshir’e zemrës ta kishte në dorë;
E di, drejt gjirit tënd do të fluturoja.

© shqipëroi Maksim Rakipaj




























Leave a Reply