Poezi nga Gentjan Hasanas
***
Asnjë portë s’iu hap
lypsarit të vonë.
Që mbrëmë natën
Troket, derë më derë.
Trembem…
Dikur isha biri i shiut.
Mallit foshnjor
mes pëllëmbëve
e prisja ke pragu
Si At-in tim sa herë
kthehej i lodhur vonë.
Trak e truk…
Hije të ujshme
më varen në ballkon
Kush të jetë vallë…?!
E dashura më la..
para pak ditësh
At-i im, para dy vjetesh
gjithashtu…
Rrojtarët e vetmisë
Ka kohë që më mbajnë kyçur
Mes kater mureve të bardha
“Spitalit psikiatrik”
Nëse përpiqem të lëviz,
E di, do më pushkatojnë me frikë,
Pastaj, kush e di
ku ma hedhin kufomën
Në një vend
Që s’ka kush të më qajë
Në një vend
Që s’bie as shi…
***
Një pemë ndërroi jetë
nga hapësirat e pyllit,
në tavolinën time.
Ne njerëzit zakonisht,
ua plotësojmë dëshirat frymorëve,
pas vdekjes
me një përkujdesje delikate.
Duke dyshuar brenda vetes
se unë jam vrasës,
ndez një qiri
ndër këmbët e bijës së vogël të bredhit,
ndërsa drita vezullon
ndër qerpikët e saj halorë.
Diku aty…
kërkoj të gjej dy sytë e fshehur.
Ndiej mallin
dhe pikëllimin e një shikimi
që duhet t’i them,më fal!
Ty dhe pemën,
me dashurinë time ju kam vrarë!




























Leave a Reply