Legjendë nga Dardan BERISHA
BESA përtej BJESHKËVE me NAM
“M’ka zan vorri o me besë të dhanë” – rapsodí
Ishte fundi i vjeshtës kur erdhën Princi i Tejmalit, me babain dhe vëllaun për të treguar se në Kullën e tij, defi i parë i dasmës rrahë në mbrëmjen e së mërkurës së ardhshme. Nanmadhja, nëna e nëntë djemve dhe një vajze i priti mirë me të gjitha zakonet dhe traditat e vendit dhe kombit. Erdhi dita e përcjelljes së Besës, vajzës së vetme në këtë familje, siç thotë populli Shqiptar: Çika të shkojë në shtëpinë e saj; në atë shtëpi e familje që kurrë nuk i kishte parë, biles as folur “bjeshk’ më bjeshkë”, siç komunikojnë malsuert. Sot po largohej nga shtëpia “e huaj”, nga ajo shtëpi që erdhi në këtë botë; do të largohej nga prindërit e saj që të bëhej strehë e një familje tjetër; do të linte prapa vëllezër të një palë prindërish e të përqafonte njerëzit “e vetë” në një familje që nuk i kishte as n’gjak e as n’fis. Do lë këtë kullën me oborrin, ara e livadhe ku kishte nisur jetën, ku kishte hedhur hapin e parë, ku kishte vrapuar e punuar, kënduar e vallëzuar, për të njohur një famije të re, sipas zakonit shqiptar, familjen “e saj”. Nanmadhja hyri në Odën e Burrave. Oda ishte e mbushur skaj më skaj me farefis e miqësi. I shikoi të gjithë me një shikim shumë të theksuar, pastaj dha urdhër: Tesh asht koha me ardh krushqnia, kush i nep fjalën Besës se ka me iu gjet n’dit t’mira e t’kqija, le t’del n’Log t’Zjerrmit kush nuk ásht i’zoti m’e dhanë fjalën, e aq ma keq m’e dhanë fjalën e mos m’e majt, ma mir mos të dali prej Odet! – tha preras dhe doli. Në oborr të Kullës dolën vetëm nëntë djemtë; i’madhi te dera e oborrit, e vargu i tyre mbaroi te pragu i kullës, aty ku Nanmadhja i kishte njërën këmbë në verandë e tjetrën n’kullë duke këshilluar vajzat si ta nusëronin Besën, ndërkohë edhe djemtë si me i pritë krushqit. Disa të rinj e të reja i këshillonte ta pregadisnin Kalin e Besës dhe ta ngarkonin gjithë pajën. Nuk guxon të harrohet qoftë edhe një rruzë. Djali i vogël, Krashniki u duk pak i prekur nga këshillat e tepruara të Nënmadhes:
– Nanmadhe, na jena t’rritun. Kemi ba kaq shum lufta…
Nanmadhja e shikoi rreptë:
– Ju jini rritun n’lufta me armiq, por lufta ma e madhe asht me i njoft’e zbatue ligjet e zakonet kombtare. Djelt e nan’s, nuk asht kollaj me ken malsuer. Erdhën krushqia të marrin nusen. Kali i Besës, i madh e më i bardh se bora, qëndronte palëvizur me Besën në shpinë dhe gjithë pajën e saj. U dha urdhëri me u nisë. Kalit iu rrokullisën dy pika të mëdha lotësh, si shkëmbinj bjeshke, e u përplasën në kalldrëmin e udhës së fortë që e nxirrte Besën jashtë këtij oborri e kësaj krahine. Flamurtari me flamur dhe një shqiponjë që e kishte lidhur në majë të shkopit të flamurit, bëri hapin e parë… Kryeplaku i Krushqnive mbeti i fundit. Sipas zakonit kishte për të marrë një porosi nga Krushka: – Simas zakonit, sod tre muej, ma përcillni çiken! Kryeplaku tundi kokën në shenjë pohimi, dhe u kap pas karvanit të krushqnisë. Kolona u largua, e në largim u zvoglua si një gjarpër që dukej sikur zvaritej me shpejtësi deri në pëhumbje. Andej nga shkuan ata, andej ishte perëndimi i diellit. Sonte ndodhi perëndimi i parë pa Besën.
***
Kaluan trembëdhjetë javë. Nanmadhen e kishte ngrënë malli për t’bijën, e kishte bërë si Hënën e Re. Dukej si kasir. Hynte e dilte nga kulla si një hije që nuk pengohet nga pragu as nga doreza e derës. Shqetësimi i madh për t’bijën e kishte tkurrur e lehtësuar si një pupël. Nuk duroi dhe u ngjit në Odën e Burrave dhe iu drejtua djemve: Shkoj koh e g’jat e miqt nuk na prun çiken… Asnjëri nuk foli. Më vonë foli Krashniki, djali më i vogël,:
– Nanmadhe, t’kam dhanë besën…
– Krejt e kini dhan besën! – ushtoi kulla nga thirrja e Nanmadhes – Djemt e mi, kur jepet besa, duhet t’mahet! Ni her ka ba vaki, e ka zanë vorri njanin me bes t’dhanun, krejtve nuk na nxè. Ndoshta edhe na nxè, por nuk ásht mir me i msue vorret tona me na pranue mrén e me na mlue dheu i mamëdheut me bes’ t’zanun…!
– Po presim edhe nji muej, po s’erdhen, n’diten tjetër, un kam me ta prua pa ra terri i rand – Krashniki mendoi se me kaq e mbylli këtë çështje. Nanmadhja nuk e duronte gropën që iu kishte bërë në bark dhe, pa një pa dy, u pregadit vetë. U vesh trash me ç’gjeti. Xhubleta ishte pjesa më e rëndë e veshjes, por s’kishte udhë tjetër, sepse dimrat në malësi janë të rëndë, e shumë më të rënda janë në majet e Bjeshkëve me Nam. 2 Mori bohçen me bukë, djathë bjeshke, hirrë dhe pak gjalpë. Për ta ndihmuar dhe shoqëruar udhës deri te kulla e miqëve, mbahej në një shkop thane të gjatë. Herë shkopi printe para saj, herë këmba i printe shkopit. Për pak ditë arriti në majën e bjeshkëve. Shikoi vargjet e bjeshkëve që i rrinin përballë. Kishte për t’bërë edhe shumë rrugë. “Edhe n’krist’e n’bubulloft, fjalën tane mos e shkel!” – mërmëriti brenda vetes derisa kalonte shkëmb’e shkëmbinj, thepa e thëpinj.
***
Krushka nuk deshi të hyjë brënda. Qëndroi me njërën këmbë në oborr e me tjetrën brënda pragut të kullës së Krushkut:
– Krushk, mua nuk m’bájn kamt me hy n’kullen tande pa i dritsue do sene. Na, para se m’u nis karvani i krushqnive me bijen teme e nusen tuej, patëm nji llaf bashk…
– Po, bre, Krushk’, por knej nga ant tona ra mortaja dhe na faroi shum prej njerzvet, bagti edhe shpendi…
– Edhe na nuk e patem ma leht. Kemi luftu dymij vjet, kurr pa ndal, por besa asht besë. Veç ate e kemi ma t’fort se secilën luft’e virtyt tjetër. Çikën, asht dasht m’e nisë…! E ke marr me shtatqind krushk’.
– Mortaja i ka farue…
– Dikush asht dasht m’e majt besën. Poplli jon ka zakonet dhe virtytet ma t’mirat n’botë, o Krushk! K’to na majn neve…
– Nuk e kena ditë se krushqit duhet me dhan besë…
– Jemi ni popull, e duhet me pas vetëm ni traditë – drejtoi gishtin nga Bjeshkët e Namuna – E di se na kena tan’ kto bjeshk mes nesh, por traditat nuk i ndajn as bjeshkt, as detnat. Pse ana jon duhet m’e dit, e ju mos m’e ditë se nuk guxon kush m’u kap’ n’vargoin e krushqnis pa dhan besë? Kush kapet n’krushqni, duhet m’e dit se edhe duhet me dek n’betej, n’se e don nevoja?! Ku asht Besa, tesh?
– Ma lujte trunin Krushk’, e desh harrova me t’kallxue se Besa asht nis. E ka marr i’vllai, sa kemi hi n’muejin e katër… Krushka bëri një llogari në kokën e saj: – Don me m’diftue, se Besa me njanin prej vllazn’vet t’vet kenka nis mbram?
– Dje, pak pa rá dilli. Krashniki erdh vetëm me kalin dhe jataganin e tij.
– Mir metçi, Krushk! – Përshëndeti Krushka dhe mori rrugën e kthimit. Ndërkohë u çua një fërfllazë dhe u prish moti. Ra borë e madhe, stuhi e papërballueshme. Kur u ngjit në majën e parë, vendosi pëllëmbën mbi vetulla dhe shikoi rrugën kah do të kalonte. Udha iu duk shumë e gjatë, por ia shkurtonte shpresa se do ta shihte Besën. Pas tri javësh arriti në Gurin e Nuses, i cili ndante dy krahinat. Në këtë vend kishin mbetur vdekur dy palë krushqëri dhe dy nuset. Vetëm kuajt kishin shpëtuar dhe ishin kthyer në oborret e tyre shalëzbrazët. Dikur pushoi bora. Retë morën ikjen. Dielli u tregua i plotë, por dhëmbët i kishte shumë të gjatë e të mprehtë. Filluan ngricat të shtangin gjithë çfarë ishte mbi dhé. Plaka mbeti e ngrirë pranë Gurit të Nuses, së cilës këtu toka i kishte marrë trupin, e qielli i kishte shenjtëruar shpirtin. Plaka mbeti me njërën këmbë andej nga perëndoi dielli, dhe me tjetrën këndej nga kishte për të aguar në mëngjesin e ardhshëm. Acari shpejtë ia ngriu edhe palcën e eshtrave. Në agoni, vetëm sytë lëvizi, dhe zëri që uroi bjeshkët i doli shumë i zbehtë: – Ju nuk keni faj. Fajin e mbaj unë, o bjeshkt me nam!
***
Djemtë pritën një javë…
Dy javë…
Tre javë…, Besa nuk u duk.
Iku muaji i parë. Djali i Vogël, Krashniki, i hodhi kalit dori postaqinë e Ugiçit. Për vete vendosi silahin, brezin, gozhupin, dy jatagana, mashën, qystekun, qefinin, tri thika dhe vezmën, pastaj hodhi mbi supet e tij një lëkurë dashi, u hodh mbi kalin dori, dhe u bënë erë…
***
Krashniki, bashkë me motrën, Besën në shpinën e kalit dori, morën përpjetëzen e Bjeshkëve të Namuna. Niveli i borës ishte shumë i lartë, por edhe ngrica e madhe nuk e lejonte kalin me ecë shpejtë. Kaluan gjashtë bjeshkë e katër liqej. Kur arritën në majën më të lartë, shikuan anën tjetër të vendit. S’kishte bjeshkë tjera, por edhe tre liqej i shikonin që shtriheshin të qeta në fund të bjeshkës e deri n’Rrafshin e Dardanisë. Kali lëvizi. Në hapin e parë zuri n’thua. U tund aq shumë, sa gadi u rrëzua. Krashniki shikoi me habi vendin ku kali zuri n’thua. Një, si formë tume. Guri i Nuses ishte trembdhet hapa ma andej. Kur bini kjo?! Pyeti veten, dhe vazhduan rrugëtimin tatëpjetë bjeshkës. 3 Ecën tre ditë e dy netë, derisa në mesnatën e tretë arritën në oborrin e Kullës tij. Dera e Kullës e hapur. Çdo gjë e metaltë ishte e ndryshkur dhe e harruar, druri ishte shumë i vjetër. Kishte marrë ngjyrë të thellë kafeje dhe të zezë. Kulla dukej fare zbehtë. Ishte gjysma e natës dhe hëna ishte si një krrabëz gjysmë e lakuar. Krashniki u kthye në shtratin e tij bashkë me kalin dori dhe ranë si një pelerinë pluhuri më i hollë se mëndafshi, ndërkohë Besa iu afrua pragut të Kullës, por në prag u ndesh me Nanmadhen që erdhi si erë për ta përqafuar… dhe kështu n’prag të Kullës u krijua një tumë e re…
Shkëlqimi i hekurt dhe shumë i ftohtë i Hanës, tregoi pragun e kullës që vuante nga një tumë…
06.07.2024, Prishtinë




























Leave a Reply