Tregim nga Janaq Jano

ZJARRI QË ECTE MBI ZJARRE

Udhërëfyesi po ecte nëpër rrugën e tij të pashkelur më parë, si një shpend krahëlehtë. Rruga ngrihej e ulej, sikur donte t’i tregonte të parit që e kalonte atë, se është e vështirë të dalësh në anën tjetër të botës. Fillimisht toka, nga renkimet e vdekjeve, po çahej dhe nga zgavrat po kundërmonte mjegulla e vjedhur nga mëngjeset e luftrave. Por udhërëfyesi nuk kishte ndërmend ta ndalonte hapin.
Retë e nxira, kur panë të vetmin kalimtar që do kalonte në anën tjetër të botës, shkarkuan rrufetë, duke e shndërruar në zjarr. Kushdo që kapërcente këtë zjarr, përballej me stuhitë dhe rebeshet inatçore të reve dhe më pas shndërrohej në zjarr. Rruga po mbushej me zjarre dhe askush s’po dilte i gjallë në anën tjetër të botës – botës së ëndrrave dhe të mrekullive. Kushdo që do merrte guximin të kalonte, do haste vështirësi, pengesa dhe në fund, zemërimin vdekjeprurës të reve.
Njerëzit kureshtarë shëtisnin rrugën e ndriçuar nga zjarret, por duke ditur që asnjë njeri nuk kthehej gjallë, shikonin botën e mahnitshme të ëndrrave dhe ktheheshin përsëri në vendin e tyre. Bota e ëndërruar po shndërrohej në iluzionin më të madh të kohërave. Çdo gur në rrugën e trazuar shndërrohej në stranicë vari, si të përmendte kujtesën e fshehur. Njerëzit vodhën këngët e poetëve dhe kur i këndonin, lëshonin shkëndija zjarri nga goja.
Njeriu që vendosi të dalë në anën tjetër të botës, ishte poeti. Të gjithë e shikonin si të marrë në misionin e tij të aventurës.
— Digju, shkihu, përvëlohu dhe ti, o poet, — i drejtoheshin atij me qesëndi.
— Po, do më shihni në anën tjetër. Do ta hap rrugën për ju, që edhe ajo botë, kur të vini ju, të marrë zjarr.
I urritur, gëlltiti urrejtjen, i bashkoi me ëndrrat dhe u shndërrua në zjarr.
Një këngë po dilte nga thellësia e shpirtit të tij dhe atij i dukej sikur e gjithë bota po mbante frymën për ta dëgjuar:
“Kjo botë, kjo botë, flakë do marrë sot…
Kjo botë, kjo botë, flakë do marrë sot…
Nëpër kodra, nëpër brigje,
Digje zemrën, o poet… digje…”
I zjarrtë dhe i etur për ta parë atë botë iluzionesh, nisi rrugën mes zjarresh. Gurët po lëshonin klithmat e harruara të vdekjes.
— Mos kalo! — ulërinte njëri. — Ku vete? Ajo nuk është bota reale, ajo është bota e vdekjes! — thërriste tjetri.
Por poeti i shndërruar në zjarr nuk ua kthente fare kokën. Gurët ishin kthyer në njerëz dhe poeti shihte fytyrat më të çuditshme të botës. Çfarë brengash kishin tretur këta, që në qenien e tyre për poetin ishin një botë e gjallë dhimbjesh? Zemra e tij, së fundmi, mori zjarr, duke i djegur plotësisht brengat e çdo gur-njeri mbi këtë rrugë.
— I ka hipur vetja në qejf! — hajde… të presim, mik i dashur! — po e qesëndiste një gur i mprehtë me majë, që poeti e rrëzoi me shpejtësinë e hapave të tij.
Retë shkarkonin pandalim rrufetë. Pluhuri i ngritur nga stuhitë dhe rebeshet nuk mundën ta ndalonin.
Zjarri që ecte mbi zjarre, po i përshëndeste në anën tjetër të botës, duke pritur që retë e egërsuara të qetësoheshin dhe të largoheshin nga qielli i uzurpuar.
Nga ana tjetër e botës, vinte një erë e lehtë me fllad kujtimesh. Qielli blu u ndriçua nga dielli më i bukur i botës, që sot po bashkonte dy botë, ku netët ndriçoheshin nga zjarret e ndezura në çdo cep të saj dhe zemrat, ëndrrat e iluzionet e kësaj bote.
Kur njerëzit arritën kureshtarë në botën e ëndrave, poeti ishte zhdukur. Ai si një vezullim i ndritshëm, vështronte lartë në qiell se si po vraponte çmendurisht kjo botë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

2,300,766 hits

April 2025
M T W T F S S
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

← Back

Thank you for your response. ✨

ARCHIVE

Terms List