Poezi nga Vullnet Mato
AI QË ZBRITI ZOTIN NË TOKË
Ai me daltën, penelin dhe penën magjike,
bëri shkëmbinjtë të flasin me gjuhë hyjnore,
bëri tavanet, të reflektojnë parajsën biblike,
bëri muret të tregojnë historitë e shenjtorëve.
Ai bëri madhështinë monumentale të Moisiut, dijetar,
bëri shëmbëllimin e vetëmohimit njerëzor, të Krishtit,
bëri Shën Pjetrin, të emëruar nga Jezusi, Papa i Parë,
bëri emblemën mashkullore, me trupin e Davidit;
Bëri Krijimin e përbotshëm, në qiellin e kupolës Sistina,
bëri muralen gjigante të mëkatarëve: “Dita e zemërimit”
bëri “Gjykimin e fundit”, ndarjen e dritës nga errësira,
me përmbysjen tragjike, nga Apokalipsi i shkatërrimit.
Ai bëri Shën Pjetrin, në Vatikanin e prehrit të perëndisë,
bëri të gjallojnë apostujt, nën rrezatime dritash të arta,
bëri “Mëshirën” me trupin e Jezusit, në prehër të Marisë,
bëri të gjitha bukuritë klasike, me përsosmëri të larta.
Ai krijoi në tokë, me lëndë jetësore, parajsën hyjnore,
duke ngjyrosur frymën e treqind personazheve të shenjtë.
Solli kumtin me yje të zjarrtë, në hapësirën tokësore,
dhe u ngjit në Olimpin e famës, për tetëdhjetenëntë vjet.
Ai me gjenialitetin e tij të rrallë, zbriti në tokë, Zotin…
Skulptori, piktori, poeti, arkitekti titanik, i klasicizmit,
kolosi i Rilindjes evropiane, Mikelanxhelo Buonaroti,
që u bë i pavdekshëm, si simbol i përjetësisë së artistit…
PIRATËT E DAMKOSUR
Piratët e damkosur
në ballë,
në një bashkësi,
janë vënë në radhë.
Pasi kanë bërë
dikur batërdinë,
duan së fundi
të bëjnë dhe lemerinë…
Por të vdekurit
klithin nga varri:
nëse u kanë vënë
tru gomari,
do kullotni,
veç livadhet me bar,
si në fusha sporti,
barin artificial!…
Thasët e rrenave,
të piratëve provuar,
kot mbajnë gjallë,
shpresën rizgjuar.
Premtimet në erë,
bien ngahera,
si balona letre,
kur pushon era!…
BANESA NË “UDHËN E QUMËSHTIT”
Bëra vilën e përtej jetës, me mjegullat që mbesin,
në “Udhën e Qumështit”, te bishti i galaktikës sonë,
aty ku disa yje barinj, me shishe kometash, shesin,
qumështin e “Arushës së Madhe”, me këlyshë të vonë.
Katër jashtëtokësorë, me kokat si shtamba balte,
mjeshtër, të një kompanie ndërtimesh kozmike,
nga Mjegullnaja e Andromedës, sollën të gatshme,
muret mbushur me mjegull, në forma plastike.
Banesa ime qiellore, stil venecian, ka shkallë harkore,
dritare transparente, të bëra prej heliumi të kaltër.
Ka kullë vrojtimi, me pasqyra refleksesh rrethore,
për të soditur anijet kozmike, që fluturojnë afër.
Kur vizitorët kozmonaut, kalojnë pranë me raketa,
më kanë dërguar në internet, urimet e tyre flesh.
Madje një kozmologe e re, për studimet e veta,
më kërkoi shtatzëni hapësinore, në kushtet pa peshë.
Tradhtinë bashkëshortore, kundërshtova me frikë,
se do bëhesha nismëtar i prostitucionit hapësinor.
Gruaja do më shfrynte përditë: ”O kurvar kozmik,
më nxive fytyrën, te shoqet e planetëve qiellor!”
Por mendova të mos kem, fëmijë jashtë martesës,
se mund të kërkonin trashëgim, prej kësaj shtëpie,
siç u dhashë fëmijëve të Tokës, dhomat e banesës,
dhe hyra në bunker parafabrikat, lënë prej sime bije.
Këtu veç kredisë, paguaj dhe siguracione kozmike,
për ta ruajtur vilën nga rreziqet, vitet e ardhshëm.
Ndonëse gruaja mërzitet, e shpesh bëhet nevrike,
që s’kemi bërë në dhoma, mobilim të rehatshëm.
Hamë tërshërë, të derdhur prej kuajve asteroid,
të mos shtojmë peshë, që rëndon vilën mjegullnajore,
se mund të bjerë, kur përplasen fort dy meteoritë
dhe mbetemi pa strehim, si në tërmetet tokësore.
Kursejmë ujin, që vjen me raketa çisternë nga Toka,
e u ndahet qiellorëve, mjaft shtrenjtë e me racion.
Lahemi të fërkuar me shtypë, nga këmbët te koka,
megjithëse këtu nuk ka pluhur, se smogu mungon.
Ashtu si kozmonautët e stacionit planetar hapësinor,
urinën ditore, të distiluar në frigorifer, pimë dhe ne.
Sepse këtu, nuk ka asnjë ujësjellës, me matës ujor
dhe kemi shpëtuar, nga pagesat e faturave aforfe.
Energjinë elektrike, na fal dielli, me bujari të pasosur,
në panelat e vendosur, mbi krejt mbulesën e çatisë.
Kemi shpëtuar nga rreziku tokësor, për t’u burgosur,
për ndonjë vjedhje nga fqinjët, në telat e energjisë.
Jam i vendosur plotësisht, të mbijetoj dhe në qiell,
me qindarkat, nga shitja online e lirikës së shkruar,
për të paguar kredinë ndërtimore, nga goja kursyer,
por shpresoj, telebingoja e Ufove, të më bjerë mua…
BUKURIA E TRANSFORMUAR
Ne të bukurit e dikurshëm,
burra e gra,
publikojmë në foto
pamjen e hershme
duke bërë përpjekje virtuale të mëdha,
të mos u tregojmë plakjen të tjerëve.
Na ndodh thjesht
si në tërheqjen e litarit,
nga njëra anë,
pamja e kohës së shkuar,
tërheq fort rrudhat e ballit,
me foton e hershme, duke i mbuluar.
Mirëpo rinia tërheq litarin me forcë
dhe nxjerr vjetrimin
në skenën e vërtetë.
Po të na shohë tjetri sot,
thotë: ky qenka prindi i fotos së vet.
Ne na shkoi jeta me shumë mungesa,
bashkë me të
na iku dhe rinia
me atë shpejtësi që ikën vesa
dhe na mbeti pas fotografia.
Ata që ishim dje,
nuk jemi sot,
kur ikja e padëshiruar na trishton.
Por meqë nuk po e ndalim dot,
fotografia e saj na ngushëllon.
Megjithatë, kushdo që na sheh tani,
duhet të dijë
se bukuria e moshës së shkuar,
na ka pasuar
transformim në cilësi,
në bukuri shpirtërore na ka kaluar…



























Leave a Reply