Poezi nga Edmond – Andrea Shallvari


Sokrat!

Më jep pak helm dhe mua, i dashuri Sokrat
Nuk të kërkoj më shumë, mjafton dhe vetëm kaq
Apologjinë e di, përmendësh, fjal’ për fjal’
Me të mëngjesit zgjohem dhe fle me të çdo nat’.

Megjithatë çuditem me botën shurdhamane
Një vesh e ka për hyrje, një tjetër ka për dalje
Në njërën dorë thikën, në tjetrën mban medalje
Të vret e të nderon, me varret piedestale.

Më jep Sokrat pak helm, të tërin mos e pi
Njëlloj do bëjë efekt, në trup edhe në shpirt
Të ikim, të shpëtojmë, aty ku s’ka njeri
Njeriun të kërkojmë, të jetë vërtet’ Ai.


SHFORMIM

Ajri thërmuar në cifla pasqyrash
Vetja shformuar pasqyrimesh pa fund
Njeriu cifluar mijra fytyrash
Mijra deformimesh në shpirt e në trup.

Shikojmë e shikohemi kaq të shumuar
Kaq të coptuar njëri-tjetrit përballë
Jo vetëm përballë, por kaq të rrethuar
Nga të vdekshmit e dukshëm, të padukshmit e gjallë.


Jetojmë

Jetojmë shekullin
Ku vdesim të gjallin
Rivdesim të vdekurin

Jetojmë çastin
Ku tallim të sotmen
Të nesërmen vrasim

Jetojmë absurdin
Ku gëzojmë fitoren
Sa herë e humbim

Jetojmë fatin
Ku jemi dyzuar
Me engjëllin dhe djallin


Kaq më duhet

Më shiko si diell behari
Kaq më duhet këtij dimri
S’ka nevojë të ndizet zjarri
Shkuar zjarrit është shikimi.

Puthmë si herën e parë
Kaq më duhet çdo gjëmimi
S’ka nevojë për asnjë fjalë
Shkuar fjalës është shijimi.

Xhvishmu si pema në vjeshtë
Kaq më duhet në çdo stinë
S’ka nevojë për asnjë fletë
Ku të shkruaj poezinë.


ME MUZGUN…

Me muzgun më lidh e njëjta moshë e sotme
E sotmja moshë më ka lidhur qysh në lindje
E ku ta dija unë sa do t’i ngjaja asaj kohe
As muzgu asaj kohe që do më ngjante s’e dinte

Të paditur që të dy, qysh atëhere të paditur
Takuar çdo pasdite, si gjyshi me nipin
Ai mbeti gjysh, sepse gjysh paska lindur
Unë shkova drejt tij, duke lënë pas të miturin

Pas duke lënë mëngjesin e moshës
Mesditën e moshës duke lënë pas
Muzgu si çapkëne më takoi kohës
Kohës kur u dashurua me sytë sa më pa

Dhe qysh atëhere tjetër botë më rrefeu
Botën e fshehur mes shpirtit të tij
Atë botë ku dhe ëndrra rinisë ma fshehu
Ndaj jetën jetoja pa muzgun në shpirt

Tani s’ka enigma, mistikë më s’ka
Tani iluzionet janë thjesht poezi
Me muzgun takohem në të njëjtin orar
Pastaj e përcjell, bashkë me hijen e tij

Bashk’ me hijen time më përcjell miku muzg
Me frikën mos natës, udhën time humb

@Edmond-Andrea Shallvari

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

2,304,323 hits

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

← Back

Thank you for your response. ✨

ARCHIVE

Terms List