Poezi nga Riza Çato
Perëndimi i Artë
Me javë të tëra s’ia ndava diellit sytë,
e prisja si perëndonte i lodhur mbi male.
Nga dielli i mëngjesit një shëmbëllim i dytë,
i përflakur si një lulëkuqe e madhe.
I habitur ngela,kur rrezet e ti laheshin në dete,
zhyteshin e dilnin si delfinë akrobatë.
Ditën e tërhiqte dhe e merrte me vete,
natës i linte hënën dhuratë.
E shikoja Diellin si ja puthte buzën malit,
si foshnja gjoksin nënës në shtrat.
Një nga një po çelnin si lulet e majit,
dëshirat e mia për këtë perëndim të art.
Shëtita natën pa hënë
(Gurra e Prodanit)
Shëtita natën pa hënë,
malin, gjumi e kish zënë,
era kishte nisë një këngë,
për një hall e për një brengë.
Kënga që prishi qetësinë,
ndezi flakë dashurinë.
Gjezdisa malet në këmbë,
nata fliste nëpër dhëmbë,
putha yjet hijerëndë,
që më zbukuran vëndë.
Yjet o yjet në qiell,
zemrën ma mbushën me diell.
Ec e ec brinjë më brinjë,
qerpiku nuk e mbyll synë,
shokë pash një gjeraqinë,
një lule, një trëndelinë.
Aman ti me ato hire,
seç më lodhe, seç më ngjirre.
Nata veten po largonte,
agimi nis të agonte,
zemra nisi të më shponte,
se çfarë kishte nuk tregonte.
Ç’ke moj zemër ,moj e shkretë,
merre jetën qetë-qetë.
A doni të dini?
A doni të dini,për një plak të vetmuar?
Si i kalon ditët, si i kalon netët?!
Mbi sofat të portës trupin ka lëshuar
dhe i shikon pemët, si u bien fletët!
A doni të dini si e dredh cigaren?
Si i meket goja, si i pikon syri?
Si rrudhat e ballit gjer në tokë i varen,
me shpresën e plotë se do t’i vijë i biri?!
A doni të dini si e mban kapelen?
Si e mban xhaketën mbi trupin si drapër?
Si ëndrrat e gjata fole zogu ngelen,
si qeni shtëpisë plakun mban me hatër!
A doni të dini dhe gjëra të tjera,
për plakun e vetëm si oxhaku i nxirë?
Në faqet e tij si ka ngrirë pranvera,
për barkun e tij,pa ngrënë e pa pirë?!
Ja po ua tregoj ku fle e ku ha?
Kush merret me të, kush i vjen vërdallë?
Si me macen qesh,me të bën shaka,
a doni të dini sot a jeton vallë?!
Plaku i vetmuar e ndryshojë shtëpinë,
pa i thënë askujt,iku nëpër natë.
U ngjit lartë në qiell të zbuloi çudinë
përse ngeli vetëm,kur s’kish atë fat?!
Plaga e kurbetit varrin ta lë thatë!







![Aleksandra Vujisić [Montenegro]](https://atunispoetry.com/wp-content/uploads/2026/11/928261973_2350572135758012_1943544403215100046_n-2.jpg)



















Leave a Reply