Poezi nga Eva S. Ceca
SHËRIMI
“Shëndeti i një pjese varet nga paqja e tërësisë.”
Platoni
Mos m’i trajto sytë, nëse mendja m’është lodhur,
shikimi nuk shkëlqen, kur brenda ka trazirë.
As kokën mos e prek, kur s’di trupit ç’i ka ndodhur,
dhimbja shpërthen ku gjen boshllëk e ftohtësirë.
Trupin mos ma shëro, nëse shpirti më ka plagë…
Asgjë nuk gjen qetësi, kur brenda ka stuhi.
Njeriu nuk është kurrë veç një organ i ndarë,
por një brilant i tërë, krijuar në harmoni.
Në gjunjë mund të ndjehet një dhembje pa ndalesë,
por ndoshta s’e shkakton asnjë rënie, asnjë plagë.
Është një mendim i errët, një kujtim i pabesë,
që qetësinë e shpirtit e gërryen, i lë vragë
Platoni na mësonte, me mençuri hyjnore:
se pjesa nuk shërohet, pa shëruar tërësinë.
Shëruesi që sheh plagën nga lart, sipërfaqësore
nuk e gjen dot burimin, që jeton thellë me njerinë.
Kujdesu për Të Tërën: për trupin, mendjen, zemrën,
për fjalën që s’u tha, për lotin që s’ka zë.
Vetëm në atë paqe kur qetësia merr emër,
shëndeti lartësohet dhe jeta fillin zë.
© Eva S. Ceca







![Aleksandra Vujisić [Montenegro]](https://atunispoetry.com/wp-content/uploads/2026/11/928261973_2350572135758012_1943544403215100046_n-2.jpg)



















Leave a Reply