Poezi nga Lumo Kolleshi
Nga libri me rubai “Në kulmin e diellit e dritë të mos kesh”
***
Më ndodh ajo që s’duhej të ndodhte kurrë:
Me qumësht zanash rrit natën një ëndërr.
Në mëngjes shoh veten rrëzuar nga një urë
Dhe lumi vet me ikën shtrembër.
***
Nuk di pse m’u kujtove sot,Marathonomak,
Ndoshta nga ata që gëzojnë fitoren mbi makina.
Do t’u thosha veç shputat në tokë vini pak,
Prapë mbetet larg në këmbë Atika nga Athina.
***
I gjithë problemi ynë:
Thellë brenda vetes e kemi një gjarpër nën gur.
Kënaqemi dhe shpesh i shkelim syrin,
Helmin tonë e mbështjellim shpesh me flamur .
***
Paska shumë të rënë dhe paqja,
Erërat gati t’i shkulin ullinjtë.
Në çdo kohë,të lindurit nga macja,
Do luajnë e pastaj do t’i mbytin minjtë.
Fabul në vapë
Gangësterët e botës u mblodhën në Hagë
Dhe gishtin e vunë për paqen mbi plagë.
Se paqja e brishtë nuk do kollotumba,
Vetëm uranium,raketa dhe plumba.
Dikur dhe greku një film e ka pas:
Në vrimën e fundit shtrëngo rripin,Thanas.
Ilaçet dhe shkollat tani hidhi në erë,
Se kemi një tufë delesh dhe pse gangësterë.
Kaq tha Ezopi e në përtejbotë shkoi urtë e butë:
Tani do mbretërojë një paqe e plumbtë!
Komedi në kohë dëbore
Skena?
Ajo që ka qenë këtu e mijëra vjet.
Personazhet?
Zylot me më shumë pushtet.
Subjekti?
Secili çon ujë me shoshë në mullirin e vet.
Komedia fillon e mbaron në aktin e parë:
Turfullojnë e gjelërojnë si kalorësit tempullarë,
Pastaj bëhen fëmijë,luftojnë me topa bore,
Në fund gjithë dëborën e kthejnë në akullore.
Pikërisht këtu çahet diga e ujërat tërbohen,
Mblidhen shemrat e shtrigat e nata egërsohet,
Podiumet zënë heronjtë tanë të e katundit.
Në horizont secili nga Zylot
Nga themeli kërkon t’i heqë tjetrit gurin e fundit.







![Aleksandra Vujisić [Montenegro]](https://atunispoetry.com/wp-content/uploads/2026/11/928261973_2350572135758012_1943544403215100046_n-2.jpg)



















Leave a Reply