Poezi nga Rakela Zoga
Puthja parajsë!
Një copëzë puthje mbaj ende zgjuar.
Natën i lutem mos guxojë të më flasë.
Po ajo, nuk i kupton ngjyrat e ëndrrës,
Një gjysmë do të mbetet edhe në parajsë.
Nuk munda të të shuaj, të gjithin atëhere.
Në zjarrin e flakës, ti mbete i hirtë.
Puthjen e mbështolla tek thëngjilli i fundit.
Të më jepte në shpirt e në zemër dritë!
Heshtja ulërin!!
Mbrëmja fllad, unë ulur me ty.
Loti i kristaltë, të puth në sy,
Nuk je prej vërteti, je ëndërr magji,
Dasmorë të vetmuar, muzgjet pa ty.
I them, të dashures time natë:
Portën e zemrës mos e hap.
Kërkomë, me vështrimin e mbetur në shpirt,
Në atë mbrëmje zjarri, mbytur ëndërrim.
Zgjat duart, më prek me ngadalë,
Vitet prej lecke, i gris si në përrallë
Bën zhurmë vetmia, heshtja ulërin
Dhe pse është një çast, ti më bëhesh kthim…
***
Po nisem drejt ajrit…
Të puth endrrën lënë në qiell
Në tokë ndjeva puthjet e mallit…
Ti lashë peng…
Dhe nëse kurrë s’do kujtohesh për to
Më mirë të thara, në rrugë.
Në vjeshtë të lagura me lot…
Po nisem drejt qiellit.
Në fluturim të kaltërt, por dhe blu…
Mike me erën dhe renë…
Me shpirtin e bukur furtunë…!
Gjethet e shpirtit!
I kam mbledhur gjethet e vjeshtës në shpirt.
Zemra ti lëshojë në ditën, kur ti të më ikësh.
Atë çast e di, do të rrjedhë shumë shi,
Por ti mos harro të kthehesh, me dritën në sy.
Pikëllimin e trishtë, do mbajë vështrimi yt.
Kurrë s’ të kam parë, ndonjëherë të përlotur.
Sa do të doja të të puthja atë çast,
Por në gjumin e thellë do ketë rënë loti.
Ulu aty, ku më përcolle atë ditë.
Me gjethet puthje mbështetur në prag.
Vjeshta e kuqërremtë ende zgjuar rri,
Të prekë ata sy e të mbulojë ato krahë.
Kur ti të më kesh ikur, as unë s’do të jem,
A nuk më the, se do më marrësh me vete,
Po ti mos harro më parë, mblidh gjethet atje.
Në buqeta puthjesh falja vjeshtës!!
Kam ëndërruar!
Ti je fshehur diku, po unë do të gjej.
Aty në breg të detit shfaqu,
Ngrije një dallgë e ulu atje,
Të jesh i përlotur me trup të lagur.
Të shëtit si uji rreth trupit tënd,
E duart të shkasin ngadalë në sipërfaqe.
Gjithnjë kam ëndërruar të të gjej atje.
Në atë shkumbë të bardhë, ku puthen mallet.
Do të jetë e dielë, si ditën kur ike,
Apo më përcolle, se di, se mbaj mend,
Di që u treta mes lotësh si dallga.
Prandaj nëpër det e thërras emrin tënd!







![Aleksandra Vujisić [Montenegro]](https://atunispoetry.com/wp-content/uploads/2026/11/928261973_2350572135758012_1943544403215100046_n-2.jpg)



















Leave a Reply