Poezi nga Rami Kamberi
NGA PELLAZGIA TE PELLAZGIA
Në ag të kohërave, kur Evropa s’kishte emër,
Kur dielli shkëlqente, mbi malet dhe mbi dete,
Një popull, fliste me atdheun e vet me zemër,
Pellazgët – të parët, nën qiellin plot ngjyra jete.
Ata që flisnin me Perënditë mbi tokë e gur,
Që vargje skalitën nëpër shkëmbe për lirinë,
Me gjuhën që rrodhi si gjaku nëpër flamur,
E u bë far në errësirë, për gjithë njerëzinë.
Pastaj u ngrit një fis, si mal nëpër stuhi,
Me burra – trima, të kalitur nëpër fisnikëri,
Ata që s’u trembën nga asnjë perandori,
Ilirët – që jetonin me besë dhe me urtësi.
Me mbretër dhe mbretëresha, nga Bardhyli deri te Teuta,
Me kurorat e nderit, jo vetëm të artit dhe të krenarisë,
Mbi dete sunduan, nëpër trojet ku këndonte lyra e lahuta,
Si gjuha e stërgjyshërve, nëpër fushëbetejat e lavdisë.
Kaluan shekuj e shekujt, u shfaq edhe Arbëria,
Me kështjella e manastire, me libra dhe shpresë,
Kur murgët e priftërinjtë, shkruanin si lind liria,
Me gjuhën nën hijen e shpatës, si burrat me besë.
Si Skënderbeu kur ngriti flamurin kuq e zi,
Me shqiponjë të zezë dhe shpirt prej lirie,
Përballë sulltanëve, nga Evropa deri në Azi,
Si odeon i dheut, qëndisur me zë dashurie.
Derisa nata ra, mbi trojet shqiptare,
Nën perandorin, ku zëri shqip mbeti gjallë,
Në këngët e lahutës, nëpër abetare,
Si gjuha e nënës, shkruar nga fjala në fjalë.
Derisa erdhi koha, me pena të mprehta,
Si Naimi, një komb që e zgjoi nga jermia,
Me fjalët: Shqipërisë – po i kthehet jeta,
Vëllezër, e bekuar na qoftë – Shqipëria.
S’ishte e lehtë këtë tokë ta çlirosh,
As ta ruash nga armiq e tradhtarët,
Luftëra, ndarje-gjuhën ta harrosh,
Përsëri kërkonin nga ne barbarët.
Përsëri luftuam, për çlirimin e Shqipërisë,
Të bashkohemi, s’na la tradhtia shekullore,
Ramë, nën prangat dhe robërisë e tiranisë,
Përsëri mbetëm, pik e pesë trojeve të Arbërisë.
Sot nga Pellazgia deri te Shqipëria,
Nga gjurmët në gur, te shkrimet në letër,
Një komb ecën – me plagë, si krenaria,
Me sytë ardhmëri, me hartën e vjetër.
SHQIPTARE MOJ
Ti nuk je thjesht një emër, një trup në hije,
ti je lum jete që rrjedh nga lashtësitë,
je zëri i atdheut, je drita nëpër agime lirie,
je udha ku koha s’i humb fisnikëritë.
Në gjak ke zjarrin e kullave të krenarisë,
në sy e ke paqen e dashurinë që të trimëron,
ti ecën, dhe toka merr frymë me erë të lirisë,
je kënga e hutës që këngën se ndryshon.
Kur burrat lodhen në betejat e lirisë,
kur robëria mbytet në gurët e qëndresës,
ti je grua që mbjell lulet e dashurisë,
je odeone atdheu që lëviz plisat e besës.
Ti je fortesë karshi stuhive të robërisë,
je dallgë që godet, rrufetë derdhur qiellit,
je forca që s’kërkon leje prej perandorisë,
je grua që di të matet edhe me rrezet e diellit.
Në sytë e tu shoh epoka që ngritën si lisa,
si fëmijë që lindin në heshtje për ardhmëri,
je nënë, je shoqe, je udhërrëfyese ndër plisa,
hyjni që i jep formë jetës, për një Shqipëri.
Çdo hap i yti lë dritë pas vetes,
si lum që shkëlqen nëpër dritën e hënës,
ti i ndjek rrjedhat – ti je si sytë e jetës,
je grua që ecën përpara, si zemra e nënës.
NËNË
Në shikimet e tua e gjeja dashurinë,
E në shpirtin tënd, një botë të qetë.
Fjalët e tua, ma jepnin lumturinë,
Ti ishe e më mbete gjithçka në jetë.
Kur bota më lodhte e më linte në terr,
Ti më përqafoje, pa thënë asnjë fjalë.
Me buzëqeshje i shuaje zjarret si ferr,
Me shikimet tua më bëje të jem gjallë.
Nënë, më ishe si zemra që rreh pa pushim,
Si lutjet më të shenjta, nëpër dhimbjet e mia.
Sikur drita më e praruar, nëpër çdo agim,
Si vargjet më të bukura, që m’i ruan poezia.
E DI
Ti e ke zjarrin dashuri në zemër
Shikimet në sy, t’i lexoj, kur ecish qetë e qetë
Për këtë zjarr, të duhet një emër
Ta qëndisësh shpirtin, të mbetesh, lule në jetë
Sa herë të shoh, kur fluturon maleve e fushave si flutur
Me agun e mëngjesit, dhe me dritën e hënës pa u ndalë
Me shikimet, që i kërkojnë sytë, që të mbetesh e lumtur
Sa herë buzët, mes belbëzimeve, të qepen, për një fjalë
Ti e ke zjarrin dashuri në zemër
Që do të merr flakë, si trup pështjellë në pëlhurë
Për këtë zjarr, të duhet një emër
Ta qëndisësh shpirtin, të mos mbetesh, skulpturë.







![Aleksandra Vujisić [Montenegro]](https://atunispoetry.com/wp-content/uploads/2026/11/928261973_2350572135758012_1943544403215100046_n-2.jpg)



















Leave a Reply