Poezi nga Sinan Vaka
PRANË KISHËS
Duke ecur shikoj kaluarthi pa ngutje
Pranë kishës përgjërues kalimtarë,
Shpirti im është bërë për lutje
Brigje gjoksi mi djeg duke qarë.
Kam një ëndërr nga kohët me frikë,
Kam një dhimbje besimi të tharë,
Kam një prift e në shpirt e kam mik,
Kam një jetë me Zotin paparë.
Rrojmë e rrojmë pa mendim kësaj bote,
Qeshim, qeshim me zemrat pa falje
Turbulluar gjithçka duket ” jote ”
Pakuptuar jetojmë në tallje.
Duke ecur shikoj prej së largu
Mikun tim me besimin e Hyjve ,
Ndizen rrugës e njerëzve së paku
Vezullime dhe rreze prej syve.
Pranë kishës ngrej sytë dhe zhbiroj,
Gjindja mbush hapësirën në shesh ,
Mikun tim përshëndes dhe mendoj
Ai kthen, sedërton, pastaj qesh …
FQINJA
Si fryma e fantazmës larg dëgjohet
A si triumf i terstë i kotësisë,
Një shushurimë që ndërgjegjes zgjohet,
Një ankth i madh në shpirt të njerëzisë.
Vëzhgoj i etur nga dëshira e jetës
Dhe yjet rrok në shpirt i ngazëllyer,
Por tkurrem dhe i falem së vërtetës
Ky zë fantazme vjen i mallëngjyer.
Ndoshta dikush që gdhihet dashurive
S’e ndjen jehonën që pushton çdo kat,
O ndoshta unë ndjehem larg lirive
Me fatin tim të mbrapshtë këtë nat’.
E ndjej pra shushurimën prapa derës
Mundohem të bërtas a të them fjalë,
Por enkas kuptoj tingujt e pranverës,
Kur fqinja ulëret ” shyqyr je gjallë “!
GOTA E VERËS
U ngrita herët në mëngjes
Me kollë veten po përmend
Pastaj bërtima si këndes:
“Kjo botë e keqe nuk ka mend”.
Një shall të vjetër i hedh supit
Lëviz i moçëm pas çdo eshtre
Dhe për ti ikur lehtas trupit
Ngjitem si dreq i çdo gënjeshtre.
I zbehtë nga zbehtësia e ditës
E ndjej në gjoks si ngërthen kthetra
Një astmë që më mbyt dhe dritës
Ndërsa më shfaqen penë e letra!
Lakejtë e shpirtit si ushtarë
Vrapojnë ku i komandon
Më sjellin ujë nga spitharët
Dhe dashuri ku ajo rron.
Dhe tinguj mbledhin gjithandej
Dhe sjellin erë lashtësie
Dhe ngjethma frike nëpër dej
Dhe tramundana e gjëma zie.
Dhe veten tënde sjellin motesh
Të ri në mode e nënë kapelë
Një mike pranë dhe përlotesh
Të sjellin thikën që shpon thellë.
Dhe afron mbrëmja lot në faqe
Dhe s’u kuptua e vërteta
Kjo ditë nuk më solli paqe
Madje ç’kam humbur, nuk e gjeta.
Të paktën shikoj vetes pranë,
Për heshtje ndërsa përcjell erë
Me ngushëllim vargjet mjeranë
Dhe mbushur plot një gotë verë.







![Aleksandra Vujisić [Montenegro]](https://atunispoetry.com/wp-content/uploads/2026/11/928261973_2350572135758012_1943544403215100046_n-2.jpg)



















Leave a Reply