Robert Shkurti
Fragment nga tregimi “Pohim nga Parajsa” i librit “Tregime në dy kohë”
…….Me një klikim të lehtë, u fut në Facebook. Ndër postimet e zakonshme e të zhurmshme, një mesazh i ra në sy. Adresuar nga një emër i njohur — një shoqe e gjimnazit, që si për çudi, mbante të njëjtin emër me të: Entela. E çeli pa menduar gjatë. Por fjalët që lexoi e ngrinë. Sikur koha u ndal aty. Fytyra iu zbardh, pështyma iu tha në gojë dhe zemra i rrahu fort për një çast, pastaj u ndal, si për të dëgjuar lajmin që do ta trondiste.
Indriti ka vdekur.
Vetëm kaq kishte shkruar shoqja. Pa shpjegime. Pa hollësi. Vetëm fjala “vdekje” që i ra si gur mbi shpirt.
E mbërthyer para ekranit, Entela humbi në një heshtje të thellë. Kujtimet nisën të vërshonin si një lumë që kishte thyer digën. Ajo dhe Indriti – bashkë në bankën e fundit të klasës. Në fillim si shokë të zakonshëm, si dy qenie që ndanin hapsirën dhe detyrat e përditshme. Por me kalimin e kohës, diçka kishte ndryshuar. Pa u ndjerë, ai ishte kthyer në praninë që e ngrohte, në një dritë që e tërhiqte përtej shpjegimit.
Çdo mëngjes, sapo mbërrinte në oborrin e shkollës, sytë e saj e kërkonin pa vetëdije. Kur e shihte, zemra i përshpejtohej dhe fryma i bëhej e cekët, sikur i mungonte oksigjeni vetëm nga emocioni i afërsisë së tij. Asnjë nuk e vinte re, por ajo e ndiente nxehtësinë që i përvëlonte faqet. Tisi i kuq e mbulonte fytyrën sa herë ai i fliste, dhe ajo e dinte – po, e dinte – se ndjenjat kishin kapërcyer kufijtë e shoqërisë.
Por tani… ai ishte thjesht një emër në një mesazh të ftohtë. Një kujtim që nuk do të mundej më ta shihte. Vetëm një kujtim.
Me kalimin e ditëve, rrahjet e zemrës dhe frymëmarrja e saj nisën të gjenin një ritëm të ri sa herë që ai ishte aty, një ritëm që i përkiste vetëm pranisë së Indritit. Sikur dikush i padukshëm t’i kishte fshirë tisin e kuq nga faqet me një penel të butë, ajo ndihej më e çliruar, më e sigurt në përballjen me sytë e tij. Kur vinte pushimi i madh, gjithçka që dëshironte ishte të qëndronte pranë tij. Dhe në fund të çdo dite shkollore, ajo gjithmonë ishte e fundit që i thoshte “mirupafshim”, si për të zgjatur edhe pak atë çast të fundit.
Kur ai mungonte, një zbrazëti e ftohtë i zbriste në kraharor. Trishtimi nuk kishte fjalë, veç një ndjenjë të pashpjegueshme humbjeje. Ai mungonte shpesh. Sëmundja e mushkërive dhe reumatizma e kishin bërë shëndetin e tij të brishtë, por asgjë nuk ia zbehte vlerën që ai kishte për të.
Në çdo ekskursion, në çdo shëtitje në qytet, në çdo orë të lirë, shpresa e vetme e Entelës ishte të qëndronte pranë tij. Kur nëna e saj gatuante ndonjë ëmbëlsirë të mirë, ajo i ruante një copë për Indritin. E ndanin bashkë, mes të qeshurash dhe shakave të pafajshme, si dy fëmijë që fshehin një sekret të ëmbël.
Edhe ai e ndiente. Ai e kishte vënë re butësinë, afërsinë, vëmendjen e saj të heshtur. E ndiente dhe e vlerësonte. Gjatë orëve të mësimit, nganjëherë afroheshin aq pranë saqë duart dhe këmbët e tyre preknin njëra-tjetrën pa qëllim. Ajo ndiente frymën e tij, aromën e trupit të tij, një përzierje e pastër, e veçantë, që i mbetej gjatë në kujtesë.
Ai ishte gjithnjë i rregullt: rrobat e pastra, flokët e zinj të krehur me kujdes, fytyra e lëmuar, lëkura e butë. Nuk ishte domosdoshmërisht “i bukur” në kuptimin klasik, por kishte diçka që të tjerët nuk e kishin, një dritë të fshehur në shpirtin e tij, që vetëm Entela dinte ta shihte dhe ta lexonte.
Në vitin e tretë të shkollës së mesme, lidhja e tyre u thellua. Ajo priste. Priste fjalën e parë që do të përmbante gjithë çka ndiente ai. Priste pohimin. Zemra i rrihte më fort në çdo takim. Ai vonohej. Ndoshta nuk kishte guximin. Ndoshta sëmundja e bënte të ndalej para jetës. Por ajo ëndërronte, siç dinë të ëndërrojnë vajzat në atë moshë, me një pastërti që vetëm zemrat e virgjëra e ruajnë.
Pastaj, gjatë pushimeve të verës, fati i takoi rastësisht në qendër të qytetit. Kur ai e pa, fytyra iu ndriçua. Rrezet e diellit kishin lënë një hije të errët mbi të, por ajo dalloi menjëherë një skuqje të lehtë. U përmbajt. Donte të hidhej në qafën e tij, ta përqafonte fort, ta puthte pa fjalë, por u step. Kishte sy që vështronin. Ishin në rrugë. Por më pas nuk i interesoi më. Kishin biseduar gjatë, më shumë se pesëmbëdhjetë minuta. Ai i kishte marrë dorën dhe ia kishte ledhatuar lehtë, aq butë saqë gishtat e tij u ndjenë si një premtim i papërfunduar.
Zemra e saj u përplas fort në kraharor. Gjoksi lëvizi nën këmishën e bardhë me një ritëm të vrullshëm. Ndjeu se si kopsat e saj rrezikonin të këputeshin nga frymëmarrja që i dridhej. Vuri re sytë e tij që rrëshqisnin mbi trupin e saj. Dhe për një çast të çmendur, dëshiroi t’i ndjente duart mbi të, përkëdheljet e tij, ngrohtësinë e paduruar. U skuq edhe më shumë, por kësaj radhe nuk e dinte nëse ai e kishte vënë re.
Kur u ndanë, dorë për dore, pëllëmbët e tyre ishin të lagura nga emocionet, jo nga vapa.
“A thua të ketë qenë shenjë dashurie?” – kishte menduar ajo atë ditë, ndërsa ndaheshin me përqafimin e munguar dhe dorën që ende i dridhej lehtë nga prekja e tij………….







![Aleksandra Vujisić [Montenegro]](https://atunispoetry.com/wp-content/uploads/2026/11/928261973_2350572135758012_1943544403215100046_n-2.jpg)



















Leave a Reply