CRISTINA PERI ROSSI (Montevideo, 1941)
MUNDËSIA E FUNDIT
Kur u takuam, ajo më tha: «Po të jap mundësinë e fundit. Është një mundësi shumë e çmuar, mos e humb. Mbaje, për ta përdorur kur të vijë koha e duhur. Është gjëja më e mirë që mund të të jap, dhe po e bëj sepse të besoj. Shpresoj të mos më zhgënjesh.» Për një kohë të gjatë, e mbajta mundësinë e fundit në xhep. E përzier me monedha, copa duhani dhe shkrepëse, u bë pak pis; përveç kësaj, ishim aq të lumtur sa mendova se nuk do të më duhej ta përdorja kurrë. Pastaj bleva një kuti të sigurt dhe e vendosa në të. Ditët kalonin të lumtura, të mbrojtura nga zhgënjimi dhe mërzia. Në mëngjes zgjoheshim të gëzuar, të kënaqur që ishim bashkë; çdo ditë hapej si një botë e gjerë, e panjohur, plot surpriza për t’u zbuluar. Gjërat e njohura pushuan së qeni të tilla, duke rifituar freskinë e tyre të humbur, ndërsa gjërat e tjera, si parqet dhe liqenet, u bënë mikpritëse, amënore. Ne endeshim rrugëve, duke vëzhguar gjëra që të tjerët nuk i shihnin. Tashmë, edhe aromat, ngjyrat, dritat, koha dhe hapësira ishin më intensive për ne. Perceptimi ynë ishte mprehur, sikur të ishim nën ndikimin e një droge të fuqishme. Por ne nuk ishim të dehur; përkundrazi, ishim delikatë dhe të qetë, të pajisur me një aftësi të rrallë për t’u harmonizuar me botën. Tashmë me shqisat tona zotëronim një melodi të veçantë që respektonte rendin e jashtëm, pa qenë të kufizuar prej tij.
Një ditë, tejet e lumtur, pa dashje, e harrova atë dreq kuti, ose ndoshta e humba. Nuk mund ta di. Kësisoj, tani që lumturia ka mbaruar, nuk mund ta gjej askund mundësinë. Kjo krijoi konflikte dhe pakënaqësi të tepërta. «Ku e vure?» më pyet ajo e indinjuar. « Shko gjeje! Ç’pret? Mos u vono, përndryshe gjithçka të bukur që patëm, do ta humbasim. Do të humbasim bukurinë dhe kuptimin e jetës.» Dhe kërkova në dollapë, në xhepat e palltos, në sirtarë, në tapiceri të kolltukëve, nën tavolinë dhe shtrat… Por mundësia nuk ishte askund; as kutia nuk ishte. Ishte e mundur që ta kisha humbur gjatë njërit prej çasteve tona të lumtura. Nuk ishte as në dhomën e ndenjes, as në dhomën e gjumit, askund. A thua ta paskësh marrë dreqi?!
Nga mungesa e saj e përkeqësoi shumë dhimbjen dhe mjerimin tonë. Për sa kohë që na mungon mundësia, sikur jemi të lidhur me zinxhir me njëri-tjetrin. Është një lidhje e bërë nga pakënaqësia, apatia, turpi dhe urrejtja. Duhet të pranojmë të vazhdojmë kështu, duke hedhur poshtë mundësinë e një jete të re. Netët tona janë të dhimbshme. Tashmë ndajmë të njëjtën dhomë, ku midis nesh është hidhërimi. Një mur-hidhërim aq i trashë sa na zë frymën dhe na mbyt. Ai njollos mobilet, dollapët, librat dhe shpërndahet në dysheme. Debatojmë për gjithçka, megjithëse të dy e dimë se, thellë-thellë, bëhet fjalë për zhdukjen e mundësisë, për të cilën ajo më fajëson mua. Mendoj se, ndonjëherë, ajo dyshon se, në të vërtetë, unë e kam të fshehur, për t’u hakmarrë ndaj saj. «Nuk duhej të të kisha besuar», ankohet ajo. «Duhet ta dija se do të më tradhtoje.»
Ishte një kuti e gjatë prej argjendi, nga ato që zakonisht përdoren për ë të mbajtur duhan. E kisha blerë në një treg me artikuj të vjetër. Në të futa mundësinë, një gjë e vogël dhe e rrumbullakët. Aty e rregullova me kujdes.
Kanë kaluar kaq shumë vite. Është e mundur që të ketë humbur gjatë një zhvendosjeje, ose ndoshta dikush e ka vjedhur, duke menduar se ishte e vlefshme. Pasi e kërkova kot, pothuajse gjithë ditën, u largova nga shtëpia, për të shmangur shikimin e saj qortues, zërin e saj të urryer.
Tashmë e gjithë lumturia jonë e mëparshme është zhdukur dhe do të ishte e kotë të mendonim se do të kthehet. Gjithsesi, nuk mund të ndahemi. Ajo mundësi fluturake na lidhte dhe na mbante bashkë, tani na mbush me pakënaqësi dhe bezdi, duke përpirë ato ditë të mëparshme, aq të bukura.
Shpresoj që, edhe pse e humbur, në një çast, të shfaqet në një xhep, e përzier me objekte të tjera.
Pastaj një periudhë e trashë, e zymtë, e ndyrë dhe tërë pluhur, do të mbetet jashtë kohe, si ato që përdorin shkrimtarët fillestarë.
Shqipëroi: Bajram Karabolli




























Leave a Reply