Juan Gustavo Cobo-Borda
Kalendari poetik: Juan Gustavo Cobo-Borda (1948-2022)
Poet, gazetar dhe diplomat kolombian, sot, më 10 tetor, do të mbushte 77 vjeç. Poezitë e tij të para, si rrëfente vetë Juan Gustavo, ishin thjesht kopje të dobta nga Neruda, kurse librin e parë, gjithmonë sipas tij, e botoi në vitin 1974 me paratë që mori hua nga e shoqja. Më pas, pati një librari të vetën në qendër të Bogotas, u bë botues dhe u emërua n/drejtor i Bibliotekës Kombtare.
Në vitet 1975-83 shërbeu si atashe kulturor në ambasadën e Kolombisë në Argjentinë, Madrid dhe ambasador në Athinë. Ndërroi jetë në Bogota, më 5 shtator 2022.
Librat e tij janë përkthyer në disa gjuhë; ja një poezi e tij në shqip që përzgjodha sot për ju:
ERA JOTE
Era jote,
e forta, e papërballueshmja
erë e dashurisë,
e paprekur mbetet
ndërsa puthjet
fluturojnë në gazmendin e tyre
dhe trupi lëngështohet i gjithi.
Era jote ama,
deri në palcë futet.
Deri në atë vend të fshehtë
ku bën folenë dëshira
që na shtërngon
pjatat e drekës
t’i lemë paprekur
dhe sërish të vallzojmë
drejt shtratit
vdekur urie
nga dashuria.
© shqipëroi Maksim Rakipaj




























Leave a Reply