HISTORIA E QEPAROIT UNIVERSI I NJË “ALKIMISTI” / Autor JANKO LL. PALI (Mësues i Merituar)

 

liber janko

 

 HISTORIA E QEPAROIT

JANKO LL. PALI (Mësues i Merituar)

 Përgatiti për botim Petraq Pali albin Tiranë, 2003

 Redaktor: Thanas B O C I

Parathenie Vasil Qesari

Design & layout: Suela Kolpepaj

Në Kompjuter: Dhimiter Qesari Petraq J. Pali

Sponsorizues : Petraq J. Pali © Fondi familjar Pali

ISBN: 99927-51-40-1

Shtypur në shtypshkronjën : Dita 2000 albin Tiranë, maj 2003

 

 

 

HISTORIA E QEPAROIT

Botimin e librit “Historia e Qeparoit”, financuar nga kursimet e mia familjare, ua bëj dhuratë bashkëfshatarëve qeparotas dhe miqve të mi kudo që janë nëpër botë,ne masen qind per qind në plotësim të amanetit e dëshirës së tim eti, Janko Ll. Pali dhe për të përkujtuar e nderuar emrin e veprën e tij.

 

 

Petraq

Petraq Pali USA, mars 2003

 

 

 

HISTORIA E QEPAROIT UNIVERSI I NJË “ALKIMISTI”

( Rreth librit “Historia e Qeparoit “ )

 

… Nga vitet e femijënisë sime më vijnë ndër mend vegime të largëta, por tepër të përmallëshme e të paharruara. Fshati ynë Qeparoi, shtëpitë e ngritura majë shkembit e, përkundrejt tij, deti gjithmonë i kaltër dhe ishulli i Korfuzit. Pastaj, kisha, oborri i shkollës, kambaneli, rrapi shekullor në Qafë, rrugicat, kalldrëmet, thollot, shtëpitë përbri njëra-tjetrës e, sidomos, njerëzit e tij të veçantë. Ata burra që ngjanin si personazhe gravurash europiane, mes të cilëve kish jo pak që mbanin kollarë e kapelë republike – shenjë befasuese e endjeve në kërkim të fatit nëpër vende të ndryshme të botes. Ato gra, më të forta se burrat e punëtore sa s’thuhet e, pastaj, ato vajza plot dritë e nur që lëshonin pas një parfum natyral mahnitës ashtu, të veshura hijshëm e me ecje të lehtë, teksa shkonin në meshën e Pashkës së Madhe… … Mes kësaj morie kujtimesh, njëri ka mbetur gjithmonë i veçantë, i gjallë, i plotë, frymëzues e magjik gjer në vdekje. Shembëlli i jetës dhe veprës së çmuar e të pafund të mësuesit të shumë brezave, humanistit dhe eruditit Janko Pali… Të aq shumë brezave sa që mendja të thotë se kish qenë vetë Zoti Fuqiplotë, ai, i cili kish dashur ta sillte atë në jetë, enkas për të marrë përdore në udhët e dijes, jo një por qindra të tillë. E jo vetëm kaq por, që me mendjen e tij poliedrike, të bëhej edhe “skalitësi” i një Historie që për nga mjeshtëria e kureshtja e rrëfimit, i ngjan asaj të një kronikani shembëllor, i cili duket sikur ka jetuar për së gjalli gjithë ngjarjet, episodet, tregimet e rrëfenjat që vijnë nga mugëtira e thellësitë e shekujve. …Ka qenë një natë dimri, kur s’kisha mbushur ndofta as shtatë a tetë vjeç që, me një kandil vajguri në dorë, po zbrisja dalëngadalë rrugën e kalldrëmtë që zbret nga Rushajt më poshtë e, nuk e di pse hodha sytë dhe u përqendrova drejt një ndërtesë e cila mua më dukej tepër e madhe e që quhej Shtëpia e Pale. U ndala aty vetëm për pak çaste e vështrova lart. Mes dritës së zbehtë të henës, vura re bardhësinë e mureve të saj e, më lart, në katin e sipërm, një dritare ku shquhej një dritëz e zbehtë e cila, çuditërisht, më krijoi përshtypjen se ndofta aty ndodhej Mesuesi i cili ishte duke shkruar apo lexuar diçka… … Aso kohe, isha ende fëmijë e nuk e dija e as që mund ta merrja me mend se, pikërisht aty, ndodhej dhoma e punës së Alkimistit të Fjalës ose, thenë ndryshe, ajo të cilën unë do të dëshiroja ta quaja: Universi Krijues i Janko Palit. Se aty mbi një tavolinë të thjeshtë, rrethuar nga rafte me libra, një Njeri kalonte netë të pafund duke menduar, krijuar, shkruar e hedhur prej vitesh e dita-ditës, pa pushim, me pasion, kembëngulje e një vullnet të habitshëm e të mrekullueshëm, kujtimet, poezitë, përkthimet, folklorin, tregimet, gojdhanat e gjithë atë thesar, të cilin pak me lart e quajta, Universi Krijues i tij e ku përfshihet një krijimtari me rreth 80 mijë vargje orgjinalë e, përveç tyre, blloqe e fletore të pafund me përkthime, tregime, rrëfenja, gojdhëna, folklor, punime linguistike, klishe e negativë fotosh, koleksione filatelie, kartolina, togje epistolarë në shqip e gjuhë të ndryshme etj… … Universi i Punës dhe Jetës së Janko Palit !… … Por, të jemi realistë e, së pari, t’i shohim gjërat në sfondin e kohës e pa sensin e idealizimit. Eshtë vërtet diçka e pa imagjinueshme e tepër e rralle që, aso kohe, ( e nuk flitet per vitet e femijërisë sime, por për vite e vite më parë, kur as unë e as fëmijet e tij, ndofta, nuk kishin dalë ende në dritë ), një njeri të kish dijet, pasionin, dëshirën, kembënguljen dhe vullnetin për të qenë ndryshe, krejtësisht ndryshe nga të tjerët. Në atë fshat të humbur të Bregdetit, ku kish shumë vuajtje e varfëri e ku, vetëm natyra e bekuar mund të përcillte e të ngjallte tek ndokush ndjenja, ide, shtysa e hove te tilla frymëzimi, ishte vërtet e pa imagjinueshme që ky Njeri krejt i Veçantë, i cili quhej Janko Pali, t’i kish venë vehtes qëllimin e vështirë, fisnik, orgjinal e njëkohësisht pothuajse të pamundur, për të shkruar, për të krijuar, për të dëshmuar e për të kryer një punë me të vërtetë titanike e cila, pse ta mohojmë, autorit të saj nuk i siguronte as të ardhura e as emër e famë… … Por, atëherë, cila ishte ajo dhunti, shtysë e cilësi, ai mision i magjishëm që e frymëzonte atë Njeri vërtet tepër orgjinal, të kalonte pjesën më të madhe të jetës së tij pothuajse shekullore mbi libra, tekste, manualë e ecniklopedi me penë në dorë, pranë fletoreve të tij ku, në vite, në vite të pafund, përditë, me një deshirë, vullnet, durim e saktësi mahnitëse, ashtu si një Alkimist Flokëbardhe e i marrosur nga Ideja e Shpikjes së Arit Shpirtëror apo, të themi, me sqimën dhe obsesionin pothuajse fanatik të një argjendari skrupuloz e hiper mjeshtëror, të konsumonte lumturisht krejt jetën dhe pasionin e tij, për të skalitur, latuar e radhitur njëri pas tjetrit, stoli e gjerdanë krijimesh të ndryshme letrare plot gurrë vezullues, të cilat përbëjnë sot një thesar të paçmuar ?… …. Them së pari, pa e tepëruar se, në këtë mes, kemi të bëjmë vërtet me individë krejt të veçantë, me njerëz që lindin rrallë e që trashëguan apo patën të lindur një frymë pothuajse hyjnore për të kryer një mision të tillë. Në rastin konkret, me një njeri, i cili shikoi me shpresë e besim, përtej horizonteve të ngushta, të errëta e meskine të kohës. Me një shpirt providencial i cili egzistencën e tij fizike, shpirtërore e intelektuale e “dogji” fisnikërisht nën moton e urtë latine “Scribta menant, verba volant” si dhe me qëllimin tepër human që t’u japë dritë të tjerëve e, sidomos, brezave që do ta pasonin… … Kemi të bëjmë me individë të asaj natyre, të cilët pranuan me tepër dhimbje e pezëm, por pa u dorëzuar, fatalitetin e egzistencës së tyre personale brenda Fatit të Mbrapshtë të Kombit ( izolimin dhe dhunën totalitare ) dhe arritën që, mes acarit e klimës glaciale të regjimit, të mbanin gjallë e gjithmonë të gjelbër Pemën e tyre të Lirisë. Atë Pemë delikate e cila flladitej nga shpirti i tyre rebel. Atë Univers i cili, në rastin konkret të Janko Palit, ( edhe pse i kufizuar brenda shkollës e nxenësve, dhomëzës së tij të punës e pranë një llambe vajguri, aty në një “fshat të humbur” të vetë Humbëtirës ), kish aq shumë horizonte e kufij të paanë. Duke filluar nga filosofët e urtë të Greqisë e Romës antike, nga kujtimet e viteve të kaluara në “Ville Lumiére” e Francë, nga pasioni i përvehtësimit të shumë gjuhëve, zotërimi perfekt i së rrallës Esperanto e gjer në një pafundësi përkthimesh nga shumë autorë. Horizonte që përfshinin gjithë Konstelacionet e Kohëve dhe të Shpirtit. Nga gojëdhanat, rrëfimet, anekdotat, fjalët e urta, folklori epik e lirik, i mbledhur me përkushtim, kengët e doket e trashëgura brez pas brezi në fshat e krahinë e, gjer në hartimin e një serë veprash të mirfillta letrare, gjuhësore e krijimesh të tjera pa fund … … Ja pra, një erë e mire për botimin e Veprës së Tij, kur mësojmë se, ndërkohë që në Tiranë po del nga shtypi libri me krijime poetike “Afër fundit ç’po shikoj”, po bëhet gati të hyjë në shtyp libri i dytë i Janko Ll. Palit, “Historia e Qeparoit”, iniciuar nga Petraq Pali, njeri prej bijve të tij, i cili ka trashëguar me sa duket, plotësisht, sensibilitetin shpirtëror të të atit e, pse jo, edhe dhuntinë e pasionin e vazhdimit të Kengës së Tij. Një fillesë e cila, edhe pse është e vëshirë e plot shtrëngesa nga më të ndryshmet, (sidomos financiare ), urojmë të vazhdojë me botimin e shumë librave të tjerë. Sepse Vepra e Janko Palit është e gjerë, shumë planëshe dhe e larmishme e, padyshim, që do të duhen të botohen, me dhjetëra të tillë…Një gjest i parë obligimi ky i Petraq Palit, jo vetëm për kujtim e homazh të prindit të vet, por dhe më gjerë. Sepse Janko Pali nuk ishte thjesht një Mësues i Merituar, por edhe Mendja e një krijuesi me përmasa të cilat, për fat të keq e për vetë rrethanat kur krijoi e shkroi, nuk pati mundesi të njihet. Një fillesë kjo, e nisur me shumë nderim, punë, përkushtim e obligim e qe ka për qëllim t’i heqë “pluhurin kozmik” këtij Universi të pazbuluar… … Ja pra, një copëz e gjallë nga ai shpirt, nga ata gurrë të çmuar, quajini si të doni : zafirë, brilantë, rubinë apo diamantë, sepse i tille është pa dyshim edhe libri i tij “Historia e Qeparoit” të cilin lexuesi ka fatin e rrallë dhe kërshërine e padurueshme, ta ketë sot në dorë. Por, le ta themi… Ndofta, ndërkohë, duke lexuar këto rreshta, dikush mund të nxitojë ta ndalë “patetizmin” tim e të bejë pyetjen: E, ç’ka këtu, për t’u mrekulluar ?… Në fund të fundit, kemi të bëjmë, thjesht, me një historik fshati… E, unë, do t’i pergjigjeshim, këtij “dikushi” me këto fjalë: – Mik i dashur ! Kjo është historia e çmuar e rrënjëve, e të parëve, e fiseve, e vetë fshatit tonë. Për ne ajo është një Ikonë e Shenjtë !…Ne s’do të kishim, s’do ta gëzonim kurrë atë, pa përkushtimin, punën dhe kujdesin e Janko Palit. Eshtë tepër e vajtueshme e mjerane të mos kesh histori e identitet. Eshtë pothuajse një mallëkim ! Të mos dish nga vjen. Ku janë hedhur rrenjët e tua e të parëve të tu… Sepse, po s’ditëm nga vijmë, sigurisht, nuk dimë edhe ku shkojmë. E, pikërisht, për të mos qenë mjeranë e fillikatë, për këtë mendoi mendjendrituri Janko Pali i cili, me heshtjen modeste e mendjen e tij fisnike, i’u përvesh punës e mendoi për ne e, jo vetëm për ne, por edhe për ata që do vijnë pas nesh e që do të jetojne gjetkë apo Aty, ku vetë Zoti desh e dha bekimin që të bëhej Fshat … … Që aty të ndërtoheshin shtëpi, të bashkoheshin njerëz, të bëheshin dasma, të lindtte pra Jeta e, bashkë më të brez pas brezi, edhe fëmijë që do të bëheshin burra, burra që do të bëheshin pleq, pleq që do të shkonin pastaj varg, si në një kortezh të dhimbshëm mortor, drejt qeparizëve të Lekëkondit e, përsëri, përsëri vogëlushë, vogëlushë të pafund që do të shkelin mbi gurët e kalldrëmeve të Qeparoit e buzë detit të kaltër, duke lexuar Historinë e shkruar nga stërgjyshi i tyre flokëbardhë, i paharruari Janko Pali …

 

Vasil QESARI Francë – prill 2003

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s