REFLEKSE TË NJË FEMINIZMI MODERN POETIK (Vëllimi poetik: “Një gllënjkë dashuri” i Sevëme Fetiqit, edituar nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”) / nga Dr. Zejnepe Alili – Rexhepi

liber seveme

REFLEKSE TË NJË FEMINIZMI MODERN POETIK

(Vëllimi poetik: “Një gllënjkë dashuri” i Sevëme Fetiqit, edituar nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”) 

zejnepe
nga Dr. Zejnepe Alili – Rexhepi

Të vëzhgosh nën dioptrinë e kritikës, pushtetin e vargjeve poetike dhe ngjyrimin emocional të një gruaje, sigurisht nuk është e lehtë, duke njohur botën prej thesari shpirtëror të femrës, ndërkohë që ajo shkruan me pasion, jo vetëm për frymëzimin që merr ndër vite, por edhe me intelektin dhe mjeshtërinë e artit që posedon! Talent i konsoliduar, tani më, gjë që hetohet qysh në shfletimin e poezive të para… Të tillë e njohim poeten, Sevëme Fetiqi! Poete të afirmuar, autore të disa veprave poetike, si: “Kurorë e kaltër” (1985), “Dëshmia e kthimit tim” (1998) dhe “Imazhe të ringjallura” (2012).
Në studimet e deritanishme, nuk mund të pohohet me plot gojë, që janë të shpeshta a të zakonshme analizat vetëm për vetëm, të librave me tematikë dashurie, sepse vetë dashuria nuk qëndron e shkëputur dhe larg preokupimeve tjera të jetës, gjë që reflekton edhe në krijimtarinë shqiptare. Vetëm se, poetja njeh forcën e artit të fjalës dhe këtë ndjenjë e sjell pak më ndryshe, me nuancat e një realiteti të ri shoqëror.

seveme
         Sevëme Fetiqi
“Një gllënjkë dashuri” të S. Fetiqit, do ta emëroja si libër “arkaizmash të shpirtërave të magjepsur”, të cilët rrugëtojnë me një tis profecie…, duke kërkuar me ngulm të zbulohen përmasat e vërteta të kësaj ndjenje të lashtë, sa vetë njerëzimi. Sintetizimi i sferës emocionale dhe thellësia refleksive e vargut, qëndrojnë midis vrullit dhe imazhit të poetes!
Fillimisht, në ciklin nismëtar “Rrjedhë kohe”, si rrjedhim i vetë ndërlidhjes kohore dhe ndjenjës, janë shkruar poezitë: “Mëngjes”, “Pasdite” dhe “Mbrëmje”, të cilat bashkë me përjetimin, e formësojnë idenë e tri fazave të jetës, që janë pjesë e një konceptimi “amalgamë”, megjithëse ato vijnë në përmasa diskurzive. Poetja, arrin që tërë pikëllimin individual ta fshehë përmes një shkathtësie, që haset tek poezia “Natë” për ta ndryshuar tërësisht si formë poetike dhe si ndjenjë tek poezia pasuese “Ëndrrat e fluturës”.
Gjurmimet e poetes ndalen me delikatesë në temën e përjetëshme të dashurisë, miqësisë… Poezia e saj përcjell mesazhin, se beteja e dashurisë kurrë nuk mbaron, veçmas kur akoma ka shkëndija në të, e kur kryeheroinë është një grua dhe nëse ajo është e dashuruar, me këmbëngulje e mbron gjahun e saj. E nëse dallgëzon në këtë ndjenjë të njëanëshme, ajo sërish nuk dorëzohet, tejkalon sfidat, për të triumfuar, betejë pas beteje, andaj thuhet: “dashuria është luftë”! Ndonëse, në ciklin e dytë “Trëndafilat pa gjemba”, ajo aludon në tjetër rrjedhë poetike.
Secila poete është një muzë në vete, meqë vetë procesi i vargëzimit të shkëput, të paktën për ca kohë nga realiteti dhe të mbërthen pushtetshëm nën forcën e imagjinatës! Poezitë e Sevëmes janë vërtet të realizuara bukur! Në poezinë “Kur femra dashuron”, ajo vjen më diskrete në vargje: “…nuk njeh stinë as kohë / nuk dëgjon fjalë as arsye zemra e saj / bie mjegulla në perde sysh / në një shtëpi flenë dashuria dhe xhelozia…”, po nganjëherë edhe transparente: “Kur femra dashuron / hesht deri në dhembje nga humbja / të cilën e mban si kujtim në gji”.
Mirëpo, a ka rëndësi se si shpaloset ndjenja? Sido që të ishte mënyra e të shprehurit të saj, ajo ndjenjë, kurrë nuk ndërroi emër! Gjithmonë, u quajt vetëm – Dashuri! Madje, edhe atëherë kur të fton në labirintet e papritura të fatit, edhe kur të mëkaton si Evën, të njeh me dhimbjen, lotin, mallin…, e më pas: “Ajo jeton me çmendinë nën një kulm / rrëfen ëmbël se është një lule e brishtë / që ka nevojë të ujitet çdo stinë” (Kur femra dashuron).
E përse revolta bëhet pjesë e vargut të kësaj poeteje!? Në cilët ujëra noton ajo, për të shmangur dhimbjen që i rëndon në shpirt, nëpër cilët dallgë të surfojë për t’iu ngjitur bregut? Apo, domosdoshmërisht duhet të përjetojë fundosjen si një Titanik…!? Dhe, në “Festa e të dashuruarve” shkruan: “Ti nuk e di / sa stuhi e valë / u përplasën në limanet e mia…”
A ka gjithmonë dhe në çdo kohë zgjidhje për situatat e krijuara, si: mposhtja e vetmisë, tharja e lotit, ndrydhja e dhimbjes…? Ç’reflekse duhet ndjekur për të njohur forcën e qëndresës?! E në vargjet vijuese, sjell më shumë shpresë: “Sot gjithkund / zemrat bëhen çift / e zemrën time e shpon shigjeta e Amorfit… / Kujtimet e mia dehen / nga kënga Love Story… Zgjohem nga ëndrrat / me shpresën për një festë të re”. (Festa e të dashuruarve)
Nëse i referohemi një thënieje të Charls Bukowskit: “Ishim njerëzit e duhur, në çastin e gabuar”, atëherë për t’u futur në thelbin e këtyre poezive, të mbeten të zbërthesh dhe ca kode personale, simbolika e të cilëve qartësohet vetëm nga konteksti se si janë përdorur ato. Megjithëse, poezia duhet të jetë e qartë, e kapshme, përdorimet poetike të simbolikave të fusin në të tjera sfera zbërthimesh, duke iu referuar deshifrimit të metaforave e alegorive të paracaktuara?
Simbolelet si këto: dielli, qielli, deti, mesnatë e agime, janë domethënëse… “Në portën e pjekurisë vij / t’i shartoj pritjet e mesnatave / me agimet e zgjuara të pafjetura / dashurinë ta ndaj me fëmijët tanë… dhe sa i thellë vjen ky varg: si bukën në sofër / dhe poezinë e përmbyll me vargjet: Nën një kulm të buzëqesh / të qaj me ty dhe të fal” (Nusëria).
Stili i lartë që reflekton vëllimi “Një gllënjkë dashuri” ka feminitet, nuk e tjetërson botën femërore të ndjeshmërisë dhe perceptimit. Preokupimet e përditëshmërisë dhe rëndesat e jetës, vijnë në masën e garantuar…
Poetja, e tejkalon kornizimin e strukturës tradicionale të vargut, gjersa vargëzon lirshëm, pra manovron me vargun e lirë, kështu që veprimet poetike janë linja të deshifrueshme kuptimore. Ajo zotëron ca hapësira të jetës dhe përvidhet në të fshehtat e saj, e kjo e paraqet njeriun me të gjitha përmasat se jeta njerëzore vazhdon të rrjedhë e vrullshme. Transformime njerëzore këto, që i pikas gjetiu, ngjashëm si tek poezia e Sevëmes. Përvijim më të plotë mbi këtë temë sjellin poezitë e ciklit të tretë “Binarët e jetës”, në të cilën autorja ngre kështjellën poetike, me të gjitha mjetet stilistike dhe nivelin ligjërimor.
Gjuha, e cila u qëndron përballë ngjarjeve dhe me shprehje kuptimplote e të bukura, ku shpesh përgjigjet s’jepen hë për hë, por vijnë si një puzzle, ku lexuesi brenda vargjeve, ndihet si në kodet e “Brezit të humbur”, sepse ndeshet me dinamizmin e fjalëve dhe dendësinë e mendimit. Përmes fjalës së shkurtër, por domethënëse e simbolike, të shpie në stilin rrëfimor të E. Heminguejit…, meqë rrëfen qetë, pa trazime shpirtërore të papërballueshme, edhe pse dinamizmi i fjalive të shkurtëra e plot simbolikë, të mban pezull, ndonëse duhet kujtuar gjithmonë që jemi brenda një bote të pasur poetike!
Si tërësi, libri i Sevëmes sjell tingëllimë dhe vlerë të re, të përthyera në subtilitetin e natyrës poetike. Do ta quaja, një histori të vogël, ekspozenë e poezisë së saj, si dhe lakonizmin e vargjeve në një psherëtimë melankolike ose reagim i thellë shpirtëror, i një shpirti të dashuruar gruaje që ngulmon të përmbledhë dromcat e shpërndara të një dashurie, rifreskuar në një spektër krejt individual. Është një libër pretendues ky, që të ndikojë me mesazhin poetik, po aq sa ndjeshmëria e vargjeve që lexojmë në të dhe të jep ndjesi krijimi!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s