Tregim nga Edmira Xhaferi
O zot, aty je???
I pasqyruar në shkëlqimin e xhamtë, biseda me veten e dërgoi diku larg…
Përballë tij, në anën tjetër të xhamit , ndihej aroma e njohur e bukës së ngrohtë, avujt e të cilës i përziheshin me tingujt e pianos që e kishte shoqëruar atë mëngjes në cepin e rrugës , nga e cila kalonte çdo mëngjes për tja paraqitur ditës vuajtjen e tij.
-Kam uri….më hahet….kam që dje pa ngrënë…dhe nëpër mendje i kalonin të qarat e vëllezërve të tjerë që i kishte lënë atë mëngjes në shtepi, ashtu, të sëmurë e të braktisur..
-Eh, si t’ja bëj? Kam uri…. Nëna ime….-dhe lot të nxehtë i rridhnin faqeve..
-Ajo….- edhe mendimet ia kishin ngrirë lotët.
– Ajo ….. nuk e di a ka mbaruar punë…
Dhe mendimet i përziheshin me nënën e tij, atje tej, në spital.
-Ajo….nuk e di a do mundet sot të jetë mirë…,-dhe në mendje i erdhi nata e mbrëmshme ku nëna e tij, ashtu, e shtrirë në shtrat, përhumbej , ndërsa zëri i saj nuk e kishte tingullin e tij të zakonshëm.
-Sa të ngrohta duhet të jenë ato bukë, sa më ka marrë uria…, dhe zëri i vetvetes i klithte uri.
Dhe qëllimthi futi duart në xhepat e paarnuar me shpresën se ndoshta do i kishte mbetur ndonjë qindarkë, ndërsa vështrimi i ishte përzierë me ato pak njerëz që blinin bukën e ngrohtë të furrës, xhami i të cilës ndante urinë e djalit me mundësinë të ushqehej sadopak….
-Vetëm dy hapa larg jam…kam uri nga ato të fortat, të paimagjinueshmet, nga ato të tejskajshmet….cfare duhet të bëj?
Dhe dilemat po e mbysnin…
-Po ime më? Ku duhet të jetë vallë? Ende atje? Në spital? Po vëlletërit? Ato duan bukë……dhe me duart e tij të vogla fshiu lotë të uritur.
-A duhet?-pyeti veten duke iu përgjigjur padashje mendimit që i erdhi në çast në mendje….-A duhet? Nëna më ka mësuar të mos jem ky…., më ka mësuar të jem i kujdeshëm….të siguroj jetesën drejt…. Po sikur të mos jetë rruga e duhur? Po sikur nëna të më qortojë? Po sikur të më godasë?……Nuk e di ku është ajo….
Dhe nëpër mendje atë çast pa nënën e tij që rrinte e shtrirë dhe pa jetë në shtratin e spitalit. Dhe lotët tashmë i dukeshin sikur kishin ngrirë nëpër fytyrën e tij.
-Jo, -u përmend më pas, – ajo duhet të jetojë….
Dhe me një forcë të brendshme, siguroi hapat të futej brenda. Aty një burrë barkmadh, që ndoshta ishte edhe pronari i furrës së bukës po e shihte me ca sy të zjarrtë…..
-Po tani? -i tha vetes.-Çfarë duhet…..dhe duart i depërtoj thellë në xhepat e paarnuar…
Në çast shikimi i ngriu dhe mendja iu bllokua. Asgjë instikt njerëzor nuk i punonte më, asgjë. Thjesht ndjeu që po i merreshin mendtë…..
Pas pak minutash, nëpër rrugët e qytetit të zinte syri një djalë tetëvjeçar që endej si i marrë me dy bukë në duar…..
-Nënë, si je? U ktheve në shtëpi? A të dhëmbin duart? Po gjymtyrët? Nënë….
Dhe nëpërmend i vinin të pasqyruara librezat ku shkruheshin saktësisht datat dhe vulat e spitalit….ditët kur nëna ushqente fëmijët me gjakun e saj e ndërsa kthehej në shtëpi dergjej e sëmurë me damarët e copëtuar nga gjëlpërat dhe zemrën e sakrifikuar për jetën e fëmijëve të saj….
-Nënë…..jeto për ne, të lutem…..më prit se sot të kam sjellë unë për të ngrënë….
Teksa me duart e vogla fshinte lotët e ngrirë , duke iu marrë fryma vraponte për tek kasollja e tij, aty ku jeta i dhuronte sadopak çaste të lumtura…
EDMIRA XHAFERI
05. 08. 2023.




























Leave a Reply