Poezi nga William Butler Yeats (1865-1939)
Leda dhe Mjellmi
Vrik dha çukitjen: krahët pa mbledhur
Kofshët e njoma t’vajzës fërkoi
Me shputa t’zeza, sqepin te zverku,
Gjoksin pa shpresë, me gjoks mbuloi.
Si mund ta shtynin gishtat e mekur
Me kofshët hapur, làvdin gjithë pendë?
Si mundej trupi, mjellmit vrullndezur,
Aty ku shtriqej, t’ia ndiente zemrën?
Dridhja në ijët lindjen shkaktoi
Murin e thyer, kullë-çatidjegur
Agamemnoni vdes.
E kapur pisk,
Nga shtazë e ajrit, q’e zotëroi,
A shtoi dijen, fuqinë e thekur
Para se sqepi ta linte lakuriq?
Poezia “Leda dhe Mjellmi” e William Butler Yeats dhe shqipërimi im…
Poema bazohet në mitin e lashtë ku Zeusi (Zë-hësi)merr formën e mjellmit dhe Leda lind Helenën e Trojës (Troje). Poema përshkruan aktin e dhunshëm seksual të Zeusit të pavdekshëm ndaj një vajze të vdekshme dhe eksploron implikimet në ciklet e historisë, qytetërimit dhe marrëdhënieve hyjnore-njerëzore. Poema përdor diktim të thjeshtë, vrull ritmik dhe aludime për idetë mistike dhe ka formën unike të sonetit. Poema konsiderohet si një nga poezitë më mjeshtërore teknikisht të shkruara ndonjëherë në anglisht, e cila arrin të pasqyrojë ngjarje të mëdha në 14 vargje…
Një analizë më e hollësishme për ta shijuar shqipërimin:
Folësi rrëfen një histori nga mitologjia, mbi përdhunimin e vajzës (Leda nga Zeusi, i cili kishte marrë formën e mjellmit. Leda ndjeu goditjen e papritur, nga “krahët e mëdhenj” të mjellmit, të cilat ende rrihnin sipër saj. Ai ia përkëdheli kofshët me “shputat e tij e zeza” teksa zverkun ia kapi me sqep, duke mbajtur “gjirin e saj të pafuqishëm nën gjoksin e tij”. Si mundet, pyet folësi, “gishtat e tmerruar e të mekur” të Ledës të shtynin “lavdin me pendë mes kofshëve të saj të hapura?” Dhe si mundet trupi i saj të ndjente “zemrën e çuditshme që rrihte aty ku shtriqej”? Dridhja në ijët shkaktoi lindjen dhe për pasojë «Murin e thyer, çatinë dhe kullën e djegur të Luftës së Trojës dhe vdekjen e Agamemnonin nga familjarët e vet». Folësi pyet veten, nëse Leda, e kapur nga mjellmi dhe “e zotëruar prej gjakshtazës së ajrit”, e mori njohurinë dhe fuqinë prej tij “para se sqepi ta lëshonte zverkun e saj”.
Skema e rimës ABAB CDCD EFG EFG
Strofa e parë (katër vargje) rrëfen në mënyrë dramatike, me gjallëri dhe me theksim pothuajse Dantesk, historinë e çiftëzimit të një vajze, të vdekshme, dhe një perëndie, të pavdekshëm, ndërsa e para lahej lakuriq në lumë, Zeusi, në formën e një zogu të madh, Mjellm, paraqitet duke i dhënë goditjen e papritur dhe tronditëse vajzës Leda. Zogu që fluturoi mbi të, ia përkëdheli kofshët, duke ia mbajtur zverkun (qafën) me sqep dhe duke e shtypur gjoksin e saj të pafuqishëm me gjoksin e tij. Duhet të ketë qenë një sprovë e fuqishme nervore për vajzën e tmerruar.
Strofa e dytë tregon pafuqinë e Ledës së bukur dhe delikate, e cila iu nënshtrua shfrytëzimit seksual nga Mjellmi (Zeusi, Jupiteri.) Poeti thotë se vajza lakuriq nuk mundi të shpëtonte nga çiftëzimi prej Jupiterit në formën e Mjellmit. Gishtat e duarve të saj ishin të dobët, dhe ajo ishte e tmerruar, kështu që e gjeti veten të paaftë të largonte zogun e madh të bardhë e puplashumë. Ajo filloi të pasionohej dhe kofshët e saj filluan të hapen për të lejuar kryerjen e aktin seksual pa kundërshti. Trupi i brishtë i Ledës filloi të rrihte përbrenda nën vrullin e dëshirës seksuale. Ajo filloi të bashkëpunonte në akt.
Strofa e tretë dhe vazhdimi…. sjell aktin seksual midis Ledës dhe Mjellmës në përfundim të kënaqshëm. Të dy ndjenin dridhjen në ijët. Pra, një zot u çiftëzua me një vdekatare, dhe ngjarja përfundoi fatale, pasi vuri në lëvizje një zinxhir ngjarjesh. Leda lindi Helenën, e cila u bë shkaku i Luftës së Trojës; djegia e çatisë së kullës së Trojës, shkatërrimin e murit të madh rreth Trojës, etj. Më vonë Leda lindi edhe një vajzë tjetër, të quajtur Klitemnestra, e cila shkaktoi tragjedinë e Agamemnonit, udhëheqësi i forcave që shkatërruan Trojën. Më vonë, me kthimin nga lufta në vendin e vet, në Mikena në Argos, Agamemnoni u vra prej gjindjes së vet, gruas Klitemnestra dhe një kushërit të tij. Klitmnestra ishte gjithashtu bija e Ledës dhe Zeusit (Jupiter). Dy vargjet e fundit të sonetit e mbyllin poezinë me një pyetje retorike. Folësi dëshiron të dijë nëse Leda, bashkë me aktin seksual, a mori njohurinë dhe fuqinë fizike të Zeusit, para se sqepi indiferent e ta lëshonte!?
Mendimi Personal
“Përdhuna pjell monstra!” dhe siç e tregon historia, ato sjellin shkatërrim. (Shihni sistemet e dhunës, ku Partia është mbi shtetin, Fashizëm, Nazizëm Stalinizëm, Enverizëm, etj).
Butler e shkroi sonetin më 1923shin, si kundërshtar i paepur i Luftës Civile në Irlandën e tij të viteve 1910-1923.
Por gjuha shkon ku dhemb dhëmbi… te atdheu ynë – Përdhuna e E. Hoxhës mbarsi Partinë dhe polli monstrën “Njeriu e Ri”, dhe vendi shkoi drejt varfërisë ekstreme deri në eksod. Sot, përdhuna e të vetëquajturës “rilindje” ka pjellë monstrat e veta, “Patronazhistin” e, një shkallë më lart, “Aktivistin”. Kësisoj vendi po rrënohet sërish dhe eksodi është galopant.
Shkurt “Përdhuna sjell shkatërrim..!”
Miq të nderuar, le të shërbejmë me dashuri…!
Leda and the Swan
A sudden blow: the great wings beating still
Above the staggering girl, her thighs caressed
By the dark webs, her nape caught in his bill,
He holds her helpless breast upon his breast.
How can those terrified vague fingers push
The feathered glory from her loosening thighs?
And how can body, laid in that white rush,
But feel the strange heart beating where it lies?
A shudder in the loins engenders there
The broken wall, the burning roof and tower
And Agamemnon dead.
Being so caught up,
So mastered by the brute blood of the air,
Did she put on his knowledge with his power
Before the indifferent beak could let her drop?

Shqipëroi: Alfred Kola
Korçë, 12 gusht 2023




























Leave a Reply