Poezi nga Rexhep Shahu
Kam tjetër fat
Zoti i ndezi yjet në qiell
Të ma tregojnë udhën nëpër natë
Por unë s’kam sy të shoh dritat e Zotit
Kam tjetër fat.
Tjetër fat i shkrova vetes në jetë
Telemaku t’më kërkojë e Penelopa t’më presë
Edhe në vloftë si llavë vullkani uji i detit
Pse doni ju, s’do të vdes.
S’më lënë gjethet e blirit të vdes
Netëve në dritare fëshfërijnë për ne
Kur bëjmë dashuri si të çmendur
Dhe përroi këndon këngë të re.
Kam tjetër fat për veten, fat tjetër
Të shkruar me lotë në gur
Zoti le të çmendet po desh atje lart
Të mos i ndezë yjet kurrë.
***
Po vdes kjo mbrëmje kështu ngadalë
Me sy të përlotur se s’erdhe ti
Po vdes siç vdesin orët dhe yjet
Por si vdes mbrëmja ti nuk e di.
Po vdes kjo mbrëmje po vdes për ty
Dielli i gjallë po mbytet në det
Për mungesën tënde nata mban zi
Zi të gjatë një jetë.
Po vdes kjo mbrëmje dalëngadalë
Deti nga dhimbja më hyn në gji
Si ta shëroj detin që s’thotë asnjë fjalë
Si ta shëroj detin pa ty.
Lutem që varret t’i bëjmë të mëdha
Lutem që varret t’i bëjmë të mëdha
Të mëdha sa shpirti ynë që lutet
Që bie në gjunjë e lutet për trupat tonë
Që i burgosim në varre të vogla.
Lutem që varret tona t’i bëjmë të mëdha
Në malet e mallit t’i çojmë varret
T’i heqim nga fushat e rrafshta të kujtimit
Varret duan rrënjë të thella sa malet.
Lutem që varret t’i bëjmë në shpirt
Të mëdha sa shpirti të mëdha
Sa lutjet e mia për ty plot dritë
Sa rrënjët e jetës, sa mendimi.
Nga libri “Kjo verë mërzie”, Rexhep Shahu



























Leave a Reply