Pozaet Qose (Albania)
***
Një ditë nuk do të jem dhe kjo nuk është ndonjë çudi as për mua dhe as për këdo tjetër.
Druaj se vetëm pas këtij çasti do të peshohet si duhet ç’kam bërë, pasi ata, që do të lexojnë rastësisht vargjet e mia, do të jenë relativisht më të sinqertë në gjykimin e tyre për to, ngaqë, fatmirësisht, nuk kanë asnjë lloj njohjeje me personin që i ka shkruar.
Koha, pastaj, do të bëjë të vetën; do të fshijë ç’ka për të fshirë e do të ruajë ç’do t’i pëlqejë kujtesës së saj.
Sigurisht që, për këtë përzgjedhje, jam unë ai që kam projektuar madhësinë dhe jëtëgjatësine e ekzistencës sime, kur t’i kem dredhuar jetës e të jem kthyer në një epitaf të heshtur.
Që andej, me pëshpërimimën e barit e shenjtërinë e dheut, nuk do të harroj asnjëherë t’u them “Faleminderit!”, të gjithë atyre miqve të çmuar, që patën dëshirën e durimin dhe gjetën kohë të thoshnin ca fjalë për shkrimet e mia. Qoftë përherë e bekuar kujtesa për ta!
T’I MBLODHA HAPAT
Nga qenë e s’qenë, t’i mblodha hapat,
Si mblidhte gozhdë dikur Lej Feni.
Mes tyre ti, porsi pulëbardhat,
Çukisje dritë, të trembje terrin.
Eh, trëndafil t’u bë secili,
Petalet çelur mu në zemër,
Si plasje zemre, thirrje gjiri,
Për të të nxjerrë ty nga një ëndërr!
Të mirët hapa u bënë kupa,
Ku piva sytë e tu të bukur
Dhe nisi ëmbël këngën buza,
Ku asnjëherë ti s’ishe kukull.
Nga qenë e s’qenë i mblodha unë,
Si dritën mbledh një katarakt.
Të jesh Lej Fen, një goxha punë,
Kur mbledh thesare poshtë e lart!
ËNDËRRIM NDRYSHE
Mbylli sytë dhe shihe dhembjen time
Sa e bukur është në egërsi,
Si një vetëtimë në fund gremine,
Si një sy, që dritë kthen përsëri.
Mbylli sytë dhe shihmë nga errësira
Si dikur, kur isha buzagaz,
Kur i bëja gjithë gjembaçët lira
Dhe kumbonte melodi e lashtë.
Mos i hap, se do t’i humbësh pamjet,
Do të mbetesh si një manastir,
Ku përzihen vdekjet edhe gjalljet
Dhe në fund lind hiri plot me hir.
Mbylli sytë dhe prapë më shih mes territ
Se si ndrij, o Zot, më shumë se ar,
Duke të sjellë këngën përmes helmit,
Si një shenjë të mënçur për të marrë.
KËPUCËT E TUA TË KUQE
Këpucët e tua të kuqe
Shpesh flakë e ndezin udhën,
Deri sa bëhen dridhje supesh,
Kur zemra nis fal buzën.
Këpucët e tua të kuqe,
Një flakërimë të fshehtash,
Dhe dy fjalorë shumëgjuhësh lutjesh,
Shfletuar prej kometash.
Ti rri mbi to e s’trishton kurrë
Nga djegia e të tjerëve.
Kur e kupton se je bërë shkrumb,
Të ndez vetëm një prekje.
Pej tyre, zjarri je vetë ti,
Shetit si ankth i ndezur
Dhe atë ngjyrë e shpall plot hir
Ankand të blertë në mjegull…
POEZI PËR TY
Një gjethe po të nis, ti shkruaj ç’të do zemra,
Veç mos e shih si dridhet, se kthehesh vetë në pemë.
Në sytë e saj të gjelbër lexo me mijëra emra,
Që era i ka shkruar prej qejfit a në pezm.
Aty dhe udhë e fjetur gërhimash thur rrëfime,
Me ca stërkala puthjesh, mbuluar fund e majë.
Një gjethe po të nis… kjo është e fshehta time,
Që çel në ledha shkurti dhe frymën jep në maj.
Mos thuaj se harresa, me çapëza prej dhelpre,
Më bëri bir për shpirt, më mbylli në bodrume,
Se, ja… të gjente ty kjo Doruntinëz gjethe,
E nisa gjumëprishur, si farfuri fatlume.
Dy krahë që fëshfërijnë, i bëhen degë së voglës,
Ia fshijnë të zymtën vjeshtë, që fsheh në gji të vet
Dhe fjalët çelin sytë, si lulet sipër kodrës,
Rreth teje zënë lodrojnë, si bletët, valët, retë…
LUMTURI MOSKUPTIMI
Më sheh, më prek, si fugë drite,
Më thyen si një bisk.
Më bën valltar mbi një teh thike,
Më vret, më ngjall sërish.
Më mbush me tinguj të pëflakur
Që ishin fshehur larg.
Ma zbukuron çdo pikëz gjaku
Me ngjyrat, ankth e plagë.
S’kuptoj pse bën kështu me mua,
Por ndiej se s’jam më lëndë,
Kur më pushton ti, hije- grua,
Mallkim-bekim, që çmend.
S’më mbetet shenjë hidhësie
Nga moskuptimi terr,
Por rrathë të krisur lumturie,
Që priten, pa u prerë…
KLON SIZIFI
Prej lartësisë, nga ku me ngrite,
Më hodhe poshtë, si zog të vrarë.
Mbarim i trishtë i një kronike,
Që këmbën ters e hoqi zvarrë.
A i isha bërë unë kohë e zymtë,
A koha vetë qe bërë përçart,
S’e ndava dot në shpirt të tymtë,
Me gjysmën ditë e gjysmën natë?!
Por sytë më mbetën pikëluar
Andej nga nisi rënia fat,
Si shpirt i trembur, i dyzuar,
Me gjysmën ditë e gjysmën natë.
Dëshira prapë më merr për dore,
Të shkoj ku isha lart dikur,
Dhe pse sërish, si një flok bore,
Do rend drejt tokës, i pazhurmë.
BËRË PREJ PASTHIRRMASH
Ah, ç’zjarr të digjet syve, si lutje e pasosur,
Të zbret në mes të trupit, si lavë e nxehte vullkani!
Këndon me gjuhë fëmije rënkimin e plagosur
Prej thonjve të dëshirës, si shtjellë e marrë tsunami.
Prej saj ti frymë merr, pohohesh vesë e ndritur,
Në fatin tënd prej femre, që prush ta ndez fustanin.
Kur çlodhjen e kërkon në lodhjen e djersitur,
Ti emrin tënd të vetëm atëherë ke tsunamin.
Pohohesh prej pasthirrmash, që dritë çlirojnë e prehje
Dhe sheh se ç’fshehin qiejt në terre të misterta.
Jeton, pa e vrarë mendjen, si fllad i ëmbël vere
Dhe puthjet mbledh në kupë, si mjaltë rrëkesh të qelqta.
Ah, ç’zjarr të digjet syve…! Nuk qenka pjellë shkretimi,
Që të shfarosë e nëmur çfarë toka mbjell prej fryme.
Me diellin paska ardhur, bekim i dlirë blerimi,
Pasthirrmat, në sirena, t’i kthejë nga prushi i syve.
EPOPE NJERIU
Përmbi gjirin tënd më ndali dora,
Si një varkë, që kthen gjithnjë në breg.
Herë është frymë e mardhur nga dëbora,
Herën tjetër sy, që heshtur djeg.
Thimthin prek dhe retë afrohen ëmbël
Të krijojnë në tokë një mozaik,
Që pikon si ëndërr dhe si zhgjëndërr,
Që mëkon guximin nëpër frikë.
Ah, ky gji, si shtjellë e brydhët drite,
Botën e përkund andej-këtej,
Si anije, kredhur në mahnitje,
Orë që lind e fundin nuk e njeh!
Përmbi gjirin tënd e vura shpirtin,
Shpirt i dhashë e mora prej tij shpirt.
Në pension e nxora dhe Sizifin,
Vetes i dhashë jetë të pakufijtë.
MONOLOG I PATHËNË GRUAJE
I mjeri ti, si s’vure mend një herë,
Por fjalëve humbet, si në një pyll
Dhe s’bëhesh dot i pasur si të tjerë,
Kur vetes i dhurojnë të fatit yll!
S’të mbaj mëri për kohën e padhënë,
As që më ndave copash në shumë gra,
As për një akullore të pangrënë,
Që, shkrirë në kupë, pikoi si bla-bla-bla.
Ta kam dhuruar faljen me gjithë shpirt,
Kur ti shastisjes shkon me kaq dëshirë,
Kur dallëndyshes, strehës së shtëpisë,
I flet çdo çast, si mikes më të mirë.
Veç nuk e di a do më dalë ndërmendja
Që, i pafrymë, kur larg të shkosh një ditë,
Të dalësh varrit, sapo të bjerë mbrëmja,
Si një lugat, ndër flakë poezish?!
Shkëputur nga libri “Gjashtëdhjetë…” i Pozaet Qose, botim i Shtëpisë Botuese “ADA”
Përgatiti materialin: Roland Lushi







![Aleksandra Vujisić [Montenegro]](https://atunispoetry.com/wp-content/uploads/2026/11/928261973_2350572135758012_1943544403215100046_n-2.jpg)



















Leave a Reply