Poezi nga Erica Jong
POETI I PËRSOSUR
Ai thotë se është një poet i përsosur.
Jeton vetëm, me bashkëshorten e tij të përsosur.
Ndonjëherë ata as nuk flasin,
Pra, “komunikojnë” në mënyrë të përsosur.
Ai jeton vetëm, kënaqësitë e tij më të mëdha janë
Llullat, librat e tij, gruaja që i rri prapa,
që shpesh do ta pickonte, të qeshurën e saj të dëgjonte;
Ai ka një dashuri të përsosur për botën femërore.
Ai shkruan rrallë, duke mos pasur besim te gjuha si
një mjet i ngathët, i pabarabartë me mendimet e tij.
Dhe e përdor aq rrallë sa mundet
(Padyshim për ta ndëshkuar për të gjitha mangësitë).
Por kur shkruan, e mban dorën të sigurt,
(Në parim, meqë fjalët janë armike).
I tret, pastaj imiton të vetat,
një lloj alkimie letrare.
Ai është me fat që ka një muzë të hatashme.
Një muzë e gjallë, e cila gatuan në mënyrë frymëzuese;
Dhe ndonjëherë pas një ushqimi ambrozial,
Ai do të rrëmbejë penën, duke thurur me ethe
një poemë të përsosur, duke përshkruar me hollësi
sallatën, verën, mishin e tiganisur në gjalpë.
Dhe, duke e lexuar, gruaja e tij ëndërritëse pranon
që çdo varg kundërmon aromë përsosmërie.
PËR X-in. (ME PUTHJE FLUTURAKE)
Po dëgjoj se nuk do të biesh në dashuri me mua,
sepse vij pa asnjë garanci,
sepse një ditë mund të largohem për një trill
dhe do të të lë shkretan, të braktisur, të zymtuar.
Nëse është kështu, ç’kuptim ka të jetosh?
Në jetën e çmuar ti do atë që nuk mund të shpëtojë:
dhe nëse do të më qepesh sa të ikësh për lesh,
Është gjithçka kot se koti, se një ditë i vdekur do të jesh.
Bëj një shkëputje të mirë për ca vite.
Vër veshoke, i dashur, vër pambuk në veshë.
Përderisa krimbat do të shijojnë gjuhën që shijon verën,
mos e pëlcit rrushin në qiellzë.
Me ca kujdes, zemra jote e vocërr do të jetë ende e tërë
ditën kur do të vijnë të marrim shpirtin tënd apatik.
Dhe si ajo prostituta, Jeta do të të japë goditjen e fundit,
Ti do të kesh këtë ngushëllim përfundimtar:
do t’i kërcasësh gishtat i shkujdesur teksa rrëzohesh
dhe “asqë ma ka ndier fare për ty ndonjëherë!” do të thuash.
BOSH
… Kush mund ta matë nxehtësinë dhe
furinë e zemrës së poetit të kapur
dhe ngatërruar në një trup gruaje?
– Virginia Woolf
_______________________
Çdo muaj është
kujtesë e zbrazëtisë
kështu që je në harmoni
me harpën e trupit tënd,
të shpërndarë në klavikordin
e gjithë nervave të tua
dhe godet gjakun blu
si gishtërinjtë e dërrmuar
të gruas pianiste
të rrahur nga dashnori i saj xheloz.
Kush ishte ajo?
Dikush që unë e shpika
për këtë poezi,
dikush që e përfytyrova…
Po ç’rëndësi ka kjo,
ajo jam unë, je ti…
të lidhura në atë goditje të trupit,
të alivanosura nga gjaku i humbur
tek lëviz në metronom
bosh, bosh, bosh.
Pa dobi.
Gjaku është më i trashë
se rrënjët e pemëve,
më kokëfortë se poezia ime,
më barok se muzika e saj vrastare.
Ajo e praron qiellin mbi kokën e Virgjëreshës.
I bën zambakët të bardhë.
Përpiqu të vraposh
Gjaku të ndjek ende nga pas.
Përbetohu për fëmijët,
kërko një dhomë më të qetë
për të praktikuar preludet dhe fugat e tua
në piano,
gjaku mblidhet;
përfundimisht vërshon mbi ju të dyja.
Nënshtrohu.
Fëmijët qajnë dhe muzika është jeta jote.
E dashur, ti je lindur për t’u gjakosur
ose të bëhesh e fortë gur.
& zemra thyhet
sidoqoftë.
Shqipëroi: Irena Dono






![Aleksandra Vujisić [Montenegro]](https://atunispoetry.com/wp-content/uploads/2026/11/928261973_2350572135758012_1943544403215100046_n-2.jpg)




















Leave a Reply