Tregim nga Ramiz Gjini

 

GJURMË XHINDI NË BORË

Pas gjith asaj rruge të gjatë, – pat vajtur në një vend të shenjtë, që të lutej për të larguar xhindet e të shoqes, – Lef Tromara, nuk kishte si të mos ndjehej i gëzuar që hyri në katund njëherësh me errësirën e natës. Se nata, mor’ zotni, po të zuri në udhë, t’i hedh në qafë banorët e saj, xhindet, pa kurnifar shkaku. Ata dinë t’u bien veglave muzikore dhe të të kubisin me ndonjë simfoni të magjishme. Kësisoj, të qorrollepsin e të fusin në jermi. Pastaj të ngrenë pezull mbi tokë e të shpien tutje ku fillojnë grykat e errëta të përrenjve; ku uji rrjedh ngadalë nëpër gurë, përmes një zhaurime të lehtë, të vazhdueshme. Të tërheqin zhankthi shpatinave me dushqe e fier të thatë që fërgëllijnë nga era dhe ku nuk ka dritë. Atje ku, vetëm nganjëherë më të rrallë, shfaqet në qiell hëna e zbehtë; ku nata ka një tjetër botë, një botë në errësirë, të frikshme, një botë që nuk ke pse ta shkelësh, të hysh në të; sepse nuk është për ty; u përket vetëm xhindeve.
Lef Tromara i di mirë ku shtrihen kufijnt e kësaj bote plot me mistere e xhindë të padukshëm, ndaj dhe nuk i shkel ato kufij. Për atë, kjo botë, nis nga fundi i kopështit të tij, – aty ku mezi arrin ndriçimi i pakët i llampës së oborrit, – e deri tutje lart, ku kreshtat e maleve prekin horizontin. Pra, nata, u përket xhindëve gjer në kufijt e dritës. Këto gjëra i din mirë Lef Tromara, por ja që nuk i din Alba, e shoqja e tij e bukur, me të cilën, na u martua këtu e katër vjetë të shkuara.
Herën e parë, xhindet e pushtuan Albën në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. U nis të shkonte te Kroi i Belinit për të mbushur një bucelë me uji dhe nuk u kthye më. Prit e prit njerëzit e shtëpisë, por ajo s’erdhi që s’erdhi. Atëherë, dolën ta kërkonin.
Kish rënë nata; një natë jo fort e errët, sepse që lart në qiell ndriçonte hëna; por, s’qe dimër, sidozot e sot që ka rënë borë. Qe verë, fund korriku më duket, por kjo nuk ka fort rëndësi. Alba nuk mundi të kthehej në shtëpi atë natë.
E gjetën të nesërmen, jo shumë larg shtëpisë, në një livadh, shtrirë mes një kopi tërfili të kositur, teksa flinte! Në fytyrë i kishte rënë një nur aq i bukur nusërimi, sa u erdhi keq ta zgjonim. Tre kopsa të këmishës, i qenë këputur prej gufimit të gjinjve. Një javë rresht i pat ikur goja. Vetëm qeshte. Qeshte si e marrosur nga lumturia!
Pas një jave, ajo nisi të ndërmendëte pak gjëra, mes të cilave një simfoni. O zot, sa e bukur pat qenë për Albën ajo simfoni! Aq e bukur sa e kish pas ngritur peshë me gjithë bucelën e ujit! Kjo histori u përsërit edhe herë të tjera, me pak ndryshime, sigurisht, por ishte, pothuajse e njëjta gjë.
Pranverën që iku, i pat ndodhur kështu: në mes të natës, ndërsa flinte në krevat me të shoqin, i cili është burr mjaft i ndershëm, dhe për më tepër quhet Lef Tromara; pra, ndërsa flinte bashkë me të si i ka hije një gruaje, që kurrë s’i harron detyrimet bashkëshortore, erdhi dhe e mori një xhind. Dhe ndodhi vetëm për faj të saj, sepse nuk e dëgjon të shoqin kur i thotë se nuk është mirë të flesh me dritën fikur, kur të ka pushtuar, qoftë vetëm një herë të vetme ndonjë xhind.
E nxorri, pra, nga krevati e jashtë, nën qiellin e hapur; dhe e hodhi në kopështin plot me trëndafilë të Toni Litës. Lefi nuk dëgjoi të çelej as derë, as dritare! Të gjithë u pataksën nga kjo ndodhi.
Në kopësht, e detyroi të këpuste gjithë trëndafilët, t’i shkërmoqte me duar e t’i shpërndante gjatë natës nëpër rrugë. Madje, një sasi petalesh, ajo vajti e i hodhi në një pusetë të madhe ku ndahen degëzimet e ujit të pishëm për shtatë katunde.
Të nesërmen, qindra njerëz shkelën mbi petale trëndafili e pinë uji disi me droje, sepse dyshuan në ndonjë magji. Por, hajde ta gjeshë çfarë magjie ishte ajo!
Ndërsa i afrohet shtëpisë, Lef Tromarës, për çudì, na i dalin para një palë gjurmë në borë!
Në gjithë atë qetësi nate dimërore, ku bora është shtruar gjithandej; dhe banorët janë mbyllur në shtëpi, një xhind paska shkelë borën; ka lënë gjurmë çizmesh gjer në kufijtë e dritës, është kthyer një çast prapa dhe ka ndaluar nën hijen e errët të një gështenje! Duket që, diku ka ecur ngadalë, e diku tjetër, ka vrapuar! E kupton Lef Tromara, sepse, aty ku ka vrapuar, distanca nga njëra gjurmë tek tjetra, është më e gjatë.
Lef Tromara, bëhet kurjoz. Don të dijë, ku ka shkuar ky gjind dhe çfar ka bërë?! Ai shikon që, ato gjurmë çizmesh në borë janë të freskëta; dhe për më tepër, ajo që është më e keqja, vijnë nga errësira! Pikërisht kjo e fundit nuk i pëlqen Lef Tromarës.
Me veshët pipëz e me një ndjenjë frike në zemër, duke u përpjekur të shikojë mirë, ai nis t’u bjerë pas gjurmëve. Pastaj shikon që, këto gjurmë, kanë ndaluar në kufijtë e dritës, përballë shtëpisë së tij, aty ku soset ndriçimi i zbehtë i llampës së oborrit! Ka një mister në këtë mes; dhe ky mister e tërheq Lefin drejt një fundi, ku ndoshta, mund të zbulojë një punë xhindi.
Lef Tromara, vendos t’i ndjekë ato gjurmë për sa kohë do të jenë brenda kufijve të dritës; sepse, nëse gjurmët do t’i braktisin vendet e ndriçuara, do të kalojnë kufiririn e dritës e do të futen atje ku errësira bëhet më e dendur; dhe ku bora duket nëpër natë si qefini që i kanë veshur një të vdekuri, atëherë prit pak, mor zotni! Lef Tromara, nuk ka shkalluar t’u bjerë pas; sepse ato gjurmë, mund ta tërheqin tutje, larg. Mund ta tërheqin gjerë ku nisin grykat e përrenjve që zhurmojnë frikshëm, e ku xhindet, zbresin për të pirë uji e për të larë ato fytyrat e tyre të tejdukëshme. Por jo; sepse gjurmët e xhindit, shihen përgjatë ledhit të arës së tij, ku është edhe caku i fundit i dritës. Pastaj, xhindi është hedhur nga ledhi dhe ka rënë në kopështin e Toni Litës. Aty, duke ecur rreth porenit të madh me ferra ku në mbrëmje bëjnë shamatë harabelët derisa t’i kaplojë gjumi, ka mbërritur te shtëpia e vjetër dhe e braktisur e Lefit. Prej aty, shikohet dritarja e dhomës së shtëpisë së re, ku ai fle me Albën, të shoqen e tij të bukur.
Në këtë shtëpi të vjetër, e shoqja mban zairetë e vjeshtës: ftoj plot erë të këndëshme, mollë, arrë, qepë, hudhra, si dhe kolitë e barit e jonxhës së thatë.
Gjurmët e shpien Lef Tromarën te dritarja e anës së pasme të shtëpisë së vjetër; një dritare kjo, gjysëm e shkallmuar, me kanatet e kalbur nga lagështina e viteve, pa asnjë xham.
Për çudinë e tij, gjurmët janë ngjitur në pezulin e dritares, ku era ka situr një shtresë të hollë bore. Pra, s’ka pik dyshimi, që xhindi, ka hyrë në shtëpinë e tij të vjetër! Por, brenda në këtë shtëpi-karrakatinë është errësirë, mor zotni! Është errësirë e thellë, kupton ti?! Ndaj Lef Tromarës nuk ia mban të kalojë kufirin e dritës, për t’u futur në një errësirë kaq të thellë. Të kishte, të paktën, vetëm pakëz dritë ku ai ta shikonte xhindin; të shikonte edhe pozicionin e tij të luftimit; dhe do të shikonit ju pastaj, ç’far trimi i çartur është Lef Tromara. Po dritë s’ka; dhe përpos kësaj, Lefit i bëhet se dëgjon atë zhaurimën e lehtë, të pafundme, gjer në amëshim të përroit të thellë. Në kokë i shkrepin dy mendime: xhindi dëshiron të luajë me të, pse Lef Tromara është burrë i urtë si delja e Zotit; dhe, përpos kësaj, ka edhe një grua të re e të ëmbël, të cilën e don pa kurrfar xhelozie. Dhe mendimi i dytë: xhindet i kalojnë netët e dimrit në fshat, ku nuk fryn veriu ashtu siç fryn grykave e rrëpirave plot shkurre e fier që fërgëllijnë nëpër natë, duke lëshuar gjithandej një piskamë të vajtueshme. Pra, vijnë në katund e struken rrëzë mullarëve me barë, apo në shtëpitë e braktisura për të kaluar natën; pastaj, në mëngjes zhduken. I merr errësira me vete. Sepse xhindet, mor zotni, e kanë frikë dritën, ashtu si Lef Tromara ka frikë errësirën.
Ndërsa ka qëndruar i mbështetur njësh me murin, Lefi zgjat kokën me kujdes dhe përpiqet të shikojë xhindin në errësirën aty brenda; por, nuk shikon asgjë. Vetëm dëgjon si përleshen frushujt e erës që hyjnë përmes dritareve pa xhama dhe i bëjnë fijet e barit të thatë e gjethet e kashtës së misrit, të fërgëllijnë duke lëshuar tinguj të një simfonie. Të një simfonie, ku lozin gjithë veglat muzikore të botës e flasin dashnorët me fjalë të magjishme poetësh. Ai është i bindur që, këtë simfoni e dirigjon xhindi i që ka hyrë aty brenda, ndaj i vjen të thërrasë; t’i thotë që është futur në një shtëpi të huaj; dhe, nëse ia mban, le të dalë jashtë, mor’ zotni! Të dalë jashtë, ku ka pakëz dritë; dhe ku mund të matet trimëria në mënyrë të ndershme. Po zëri nuk i bindet Lefit; sepse pikërisht atë çast, ai dëgjon një tjetër zhurmim, një zhurmim të ngjashëm me atë që bëhet në një sallë kur muzikantët ulin veglat të gjithë njëherësh e lëvizin karriget për t’u çliruar, pasi për minuta të tëra, kanë luajtur, ta zëmë, një simfoni të Mozartit. Atëherë, Lef Tromara, nxjerr nga xhepi i pantallonave një armë, që do ta tmerronte xhindin: një çakmak të madh me benzinë. Ai zgjat krahun brenda dritares për t’ia ndezur xhindit sa më pranë hundës. Por, çakmaku nuk ndizet! Nuk ndizet, sepse i fry xhindi, mor zotni! I fry sapo Lef Tromara e shkrep guximshëm.
Dhe si për dreq, i vjen sërish në vesh, ajo zhaurima e lehtë, e vazhdueshme, mistike e ujit që rrjedh në përrenjtë grykave të thella; vajtimi i erës nëpër shkurret që fërgëllijnë tutje larg, ku nata është më e errët; dhe ku vetëm nganjëherë më të rrallë, shfaqet një hënë si vetull e hollë gruaje. Një hënë që, memzi përcjell në tokë një dritë të zbehtë.
Lef Tromara ngrin i mbështetur pas murit, i pafuqishëm , i pushtuar nga një frikë e panjohur! Pastaj, si e ka mbledhur për një çast veten, nis të ecë ngadalë rrëzë murit anësorë; del në pjesën e përparme të shtëpisë ku ka pakëz më tepër dritë; e ku shikon mbi borë një palë gjurmë të tjera më të vogla, të freskëta: gjurmë gruaje!
Janë gjurmët e së shoqes, Albës, e cila, padyshim, mor zotni, ka hyrë brenda shtëpisë së vjetër, për të marrë ndonjë kokërr mollë. Mollë të ëmbla që ajo i pëlqen shumë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

2,301,168 hits

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

← Back

Thank you for your response. ✨

ARCHIVE

Terms List