Poezi nga Ajne Ibërhysaj
NË SYTË E MI MUND TË SHKRUASH VARGJE
Nëse të dua më shumë se dje
Ti mos u habit
Dridhjet e shpirtit më tundin.
Sot, mes meje dhe teje
Një vijë e hollë shtegtimi ere na vesh
Si një pikturë mëkatare që luan me ferr
Heshtja e zhurmshme
Akull e zjarr në sytë e mi.
Brenda nesh
Një flakë e brishtë zjarri na zhvesh
Ndërsa digjem nga etja e hijeve tona të murosura
Duke i mbledhur me duar
Copëzat e jetës
Të dua si ditën që ikën
Nga se e djeshmja merr ngjyrë dheu
Shkërmoqur në buzët tona.
Ti e di
Në sytë e mi mund të shkruash vargje
E të vish netëve me hënë
Që ta sjellësh letrën e shkruar me ngjyrën e puthjeve.
Leave a Reply