Poezi nga Miltiadh Davidhi
Ditë me Diell
I shkundën degët muzgjet,
E u mbuluan me dritë,
Mbi trotuare zbritën yjet,
Pleqtë dhe fëmijët.
E para meje u çel
Një hapsirë plot me ngyra;
Më e bukur duket dita,
Se çdo ditë;
Më të qeshura
Duken sytë dhe fytyra.
Rrugët nisën të vallzojnë,
Me një fllad të ngrohtë,
Shpirtrat nisën
Që të këndojnë,
Dhe, pse, s’i dëgjojmë dot.
Me një bluzë të kaltër qielli
Dola të shëtisë,
Të shikoj si buzëqesh dielli
Në sytë e rinisë.
Të shkund plogështin e dimrit
Dhe ngricat nga kjo jetë,
T'i gëzohem këtij çasti,
Si një diamanti të vërtetë.
Gjethet
Era pushoi, e gjethet të lodhura,
Fjetën degëve me ëndrra zogjsh.
Në rrugët e Modenës,
Pemët ngjiten
Nëpër kate qiejsh,
E syri rrugëton në ngjyrën e blertë,
Nëpër tunele hijesh e drite.
Hëna e yjet s’mund të zbresin,
E t’i shikosh
Nëpër asfalte të lagur,
Nga mjegullat e shirat;
S’mund t’i shkelësh
Me shojet e mendimeve
Të përgjumura;
Si lenë kurorërat e blerta.
Eh, Qielli mbeti
I dashuruar në përjetësi,
Me lëvizjet tunduese, e provokuese,
Të gjetheve, të njoma,
Pa arritur t’i prek nga largësia
Me duart e ëndrrave të tia,
Dhe t’i përkëdhel,
Si copëza shpirti të pavdekshme.
I dashuruar mbeta dhe unë
E shpirti im,
Me këtë qytet të gjelbër ëndërrash.
Zgjimi ynë i parë
U zgjuam t’i themi heshtjes: mirëmëngjes!
Bollë heshtëm. Heshtja
Ishte një guaskë, një vezë,
Një rrumbullakësi barku,
Tani dolëm jashtë në hapësirë, në liri.
U zgjuam të thyejmë heshtjen,
Të mësojmë të lëvizim.
Çudi! Po hëpësira, sërish
Paska formën e një guaske,
E të një veze?!
Vetëm nga veza u krijuaka bota?!
U zgjuam dhe i thamë heshtjes:
Mirëmëngjes! Por, ajo,
S’na u përgjigj fare!
Kaluam nga heshtja në heshtje,
Nga guaska më e vogël e errët e pa dritë,
Në një guaskë më të madhe,
Me vetëm natën, natë,
Dhe me gjithë ditën diell e re.
Në dreq forma e vezës
Dhe thyem heshtjen më fjalë,
Kuptuam, që tani jetën tonë,
E kishim vet në dorë për ta ushqyer,
Dhe jo më guaska nga dolëm,
E as guaska
E universit të pafund.
Ky besoj,
Ka qenë zgjimi ynë i parë, por, jo i fundit.
Modena, 2026
Leave a Reply