Poezi nga Xhemal Gora
BISEDË ME ZOTIN …
Unë, nuk do të lutem…
Nuk besoj…
Por edhe në se je vërtetë
askujt nuk ia ke dëgjuar lutjen
dhe nuk ke mundur
përjetësisht ta mbash këtu…në këtë jetë…
Ti…atje lartë…ke punë të mëdha.
Vetmija jonë këtu
shekujve mundësi të tjera kërkon…
Atë…të vogëlin…të padukshmin
të përjetëshmin shteg,
(Do të ketë…edhe pse tani nuk ka…),
në kërkim edhe të një shqise, që na mungon…
Nëpër gozhdë shekujsh
shpirti na lëngon urave të mallit,
zvarritemi në jetë,
por ne do ta gjejmë…
do ta gjejmë atë shteg
që të ketë një kthim…
Freski flladi në një buzëqeshje që lind…
Gurgullim rrëkeje në një ëndërr që premton…
Pikëla vese nëpër rreze mbushur besim dashurie…
Ylber shpresash nëpër psherëtima dëshpërimi fatkeqsh…
Vetëtima drejtësie nëpër vërshime dhune…
A cicërima zogjsh nëpër lotë fëmije…
Tinguj drite të pelerinës së ndezur
nga hiri i këtij shpirti… në përëndimin tim…
KJO E ÇMENDUR ERË
Fustanin t’a mori era,
u valëzua dhe u ngrit lart.
Djemtë, tek panë linjat e tua,
u mahnitën, të përgojuan
dhe vunë merak.
Po me mua, ç’ndodhi…
Eh, ç’ndodhi me mua…
të njoha që ishe Ti.
Mbrëmë, një puthje
ne gjysm’ erresire ta pata vjedhur,
por s’dija, ç’thesare fshihje në brendësi.
Po me mua ç’ndodhi,
kaqë shumë të të dua...
Të zbuloi era, kjo e ç’mendura erë...
Te port’ e gjimnazit,
më ç’mendi dhe mua,
të të pres në krahë,
mbrëmja kur të bjerë.
DUHAN MORTI --
Malet, pa zë, vajtonin hapësirave blu.
Qiejve digjej dhimbja ngashërimave.
Poshtë strehët e aeroportit kullonin…
Trupit të Kombit shkëputeshin yj,
Ecnin si për mort…
Udhëve të botës të ndrijnë diku…
Atij pragmëngjesi shpresëthërrmuar,
Mendime të zymta rrëshqisnin udhëmjerimit.
Dashuria…gëzimet…mbi shtrat malli merrnin udhë.
Degë lisash me vete, tërhiqnin filiza dhe djepa,
Ecnin kokulur mbi rënkim,
Kohëve thur e çthur…, thur e çthur…
Votën e tyre shtruar për mjerim…
Në ikje, shpatmalesh linin firmën, nëpër lot.
Majë kështjellash kujtimet varrosnin rrëzë lisash.
Helmuar zhgënjimit,
Shpresën duke kërkuar nëpër botë…
Zbritur nga kohët homerike,
Amanetet anë udhëve, shterur loti.
Plisat, drithëruar, gjoksit shkulnin lavdinë…
Malet rrënjë rrapesh shekullorë,
përuleshin në heshtje,
Rënkonin dhe këmbenin duhan morti…
E pazakontë vinte dita,
Ankthi përzier trishtim vërshonte udhëve,
Mjegulldhimbja, pezull mbi qytet.
Mjerimi pushtuar gjelbërimin,
Nga gjethet e zverdhura pikon shtruar…
Strehëve të aeroportit rrjedhin ditë netë…
Makinat xhamzeza çojnë qeveritarët në zyra,
Çajnë ujrave të dhimbjes që s’shterin
Udhëve të mjerimit me protestues
Dhe radhëve pa fund… policësh të blinduar.
Leave a Reply