Poezi nga Ermira D. Ifandi
GJUHA ME GANXHA
Shkruaj
të pathënat
e fjalës.
Të padukshmen
e hijes
mbi humusin
e çngjyrosur
të dashurisë.
Pafajsinë
e gurit
kur thyhet
në gjuhët
me ganxha
të njeriut,
që ka humbur
edhe gjurmët.
Shkruaj,
të mos humb
identitetin.
GJOL PA BALTË
Krahët
e një larve
në mollë të kalbur,
gënjejnë.
Fluturojnë
brenda një gjoli,
ku mungon
edhe balta.
PA MONTAZH
Absolutja
ka metrazhin më të shkurtër,
të një filmi.
Kur bie perdja,
në dysheme
rri e pret
një skenë
që nuk u montua.
Të vërtetën…
dikush e merr
e vendos
në vend të gënjeshtrës.
Mbetet,
ajo që zgjodhëm
se ka ndodhur.
SORRAT
Është shuar
pulsi i mendimit.
Kandili i arsyes
s’ka më vaj.
Askush
s’përvesh mëngët,
lëpijnë fundërrinat
nëpër sallone.
Sorrat e ndërprenë proçedurën.
Preja frymon ende
me sy të dalë.
@E. D. Ifandi
Athinë, 2026



























Leave a Reply