Poezi nga Eva S. Ceca

 

URREJTJA NUK DI TË GËZOHET

Ka njerëz që nuk gëzohen kur dikush i shpëton vdekjes.
U duket e tepërt kjo mrekulli,
ky mjek,
kjo dorë,
kjo mundësi,
ky fat që paska trokitur në një derë që nuk ishte e tyre.

“Çfarë fati!”, thonë me buzëqeshje të ngrirë.
“Një tjetër do të kishte ikur fare,
do të ishte tretur, harruar, shuar…”

Dhe e thonë me një keqardhje aq të ëmbël,
aq të përzemërt,
sa vështirë ta dallosh
ku mbaron mëshira
dhe ku fillon urrejtja.

Ka njerëz që nuk durojnë gëzimin e të tjerëve.
Një çift që qesh — diçka nuk shkon.
Një grua që lulëzon — sa do t’i zgjasë?
Një fëmijë që rritet — sa vuajtje e pret?
Një njeri që ngrihet — kush e ndihmoi?
Dhe, nëse nuk gjejnë një faj, ia sajojnë.

Çfarë fati!
Gjithmonë dikush tjetër ka fat.
Gjithmonë dikush tjetër shpëton, dashuron, fiton, përparon.

Vetëm se fati, me sa duket,
ka harruar të konsultohet me ta
përpara se të bëjë një të mirë.

Ka njerëz që dinë të marrin.
Një dorë,
një derë,
një fjalë,
një mundësi,
një emër,
një vend.

I marrin me të dyja duart,
i mbajnë fort,
i çojnë larg,
pastaj kthehen e pyesin:
“Kush? Unë? S’më ndihmoi kush!

Dera paskësh qenë e hapur.
Rruga paskësh qenë e shtruar.
Dora? Nuk mbahet mend.
Emri? Gjithmonë u ka përkitur.
Dhe një ndihmë që dikush ua dhuroi
tani u duket sikur ua kishte borxh.

Por kujtesa e tyre ka një rregull:
për mirësinë — pak vend,
për fyerjen — një bibliotekë.
Për ndihmën — mjegull,
për një fjalë të keqe — dëshmi, datë, orë.

Dhe asgjë nuk humbet,
asgjë nuk falet,
asgjë nuk del nga arkivi
kur duhet të ushqehet një mëri e vjetër.

Pastaj vijnë fjalët e ëmbla:
“Të dua të mirën”,
“Të gjitha i meriton”.
Sa të bukura këto urime!
Sa të pastra tingëllojnë!

Vetëm se, diku pas buzëve,
një tjetër llogari vazhdon:
sa ke marrë,
sa ke fituar,
sa larg ke shkuar,
sa lart je ngritur
dhe, mbi të gjitha,
sa pak të kanë mbetur për të rënë.

Por mbajeni larg shqetësimin.
Nuk kanë nevojë të të shohin të rrëzuar.
U mjafton të të imagjinojnë.
Kanë fantazi të pasur
kur bëhet fjalë për fatkeqësinë e tjetrit.

Dhe nëse një ditë të shohin të shpëtuar,
do të pyesin pse pikërisht ti.

Nëse të shohin të lumtur,
do të kërkojnë çmimin që ke paguar.

Nëse të shohin të qetë,
do të dyshojnë se çfarë fsheh.

Çfarë fati!
Prapë ti.
Prapë drita në dritaren tënde.
Prapë një derë që hapet,
një lajm i mirë,
një mëngjes që të gjen gjallë.

Sa e padurueshme duhet të jetë kjo botë
për atë që nuk di të gëzohet!

Unë lutem
që asgjë e tyre
të mos na prekë.

As urrejtja, as zilia,
as ajo buzëqeshje e lëmuar
që u rri mbi fytyrë si një maskë e qepur keq.

Le të numërojnë fatet e të tjerëve.
Le të matin dritën me hijen,
gëzimin me humbjen,
jetën me atë që mund të kishte ndodhur.

Le të presin që dielli të perëndojë
mbi shtëpinë e dikujt tjetër.

Unë kam kuptuar një gjë:
disa njerëz nuk kërkojnë të kenë dritë.
Nuk duan as hënën, as yjet,
as një shkëndijë për veten e tyre.
U mjafton të shuhet ajo e tjetrit.

Dhe kur të vijë nata,
kur dritaret të ndizen njëra pas tjetrës,
kur dikush të kthehet në shtëpi i shpëtuar,
kur dikush të përqafojë fëmijën,
kur dikush të thotë: “Sa mirë që je!”,
ata do të jenë aty, me atë habinë e tyre të vjetër:

“Çfarë fati!”

Dhe nata do të vazhdojë.
Hëna do të ndriçojë.
Bota do të gëzohet diku.
Vetëm ata do të presin
që të fiket një dritë.

© Eva S. Ceca
Shkëputur nga libri “ANA E ERRËT E HËNËS”

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

2,301,252 hits

November 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
30  

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

← Back

Thank you for your response. ✨

ARCHIVE

Terms List