Tregim nga Behare Daja Kasa

 

NJË KAFE E PAGUAR ME KUJTIME 

Ka nxënës që i harron sapo mbyllet dera e klasës. Ka të tjerë që, edhe pas shumë vitesh, mbeten diku në një cep të kujtesës, jo sepse ishin më të mirët në mësime, por sepse lanë pas një buzëqeshje, një pyetje, një batutë, një copëz të vogël nga vitet tona si mësues.
Para shumë vitesh, në vitet e mia të para të punës si mësuese, kisha një nxënës që nuk shkëlqente në mësime. Ishte një nga ata nxënësit mesatarë, që nuk të bënte të shqetësoheshe shumë, por as të mburreshe me rezultatet e tij. Ndonjëherë e shihje duke dhënë përgjigje të sakta, herë tjetër duke humbur vëmendjen, ndonjëherë duke harruar detyrat, e herë-herë duke u përpjekur të shpëtonte me ndonjë përgjigje të sajuar.
Kur dilte në dërrasë, e dinte përgjigjen… ose të paktën kështu mendonte ai.
-Cila është kryefjala?- e pyeta një ditë teksa ishte ngritur me dëshirë në tabelë e përpara kishte fjalinë.
Shikonte herë fjalinë e herë mua.
-Zyshe, po ta them me sinqeritet, kësaj fjalie i ka ikur kryefjala,- përgjigjej me humor. S’ka…
-Ndoshta të ka ikur ty kryefjala nga fjalia, por fjalisë nuk i ka ikur, e ka aty, kujdes pyetjen që drejton për ta gjetur,- i përgjigjesha po me sensin e humorit që niste.
Por fëmijët nuk maten vetëm me nota.
Koha kaloi. U mbyllën vite shkollore, u hapën klasa të tjera, erdhën nxënës të rinj dhe kujtimet u vendosën njëra mbi tjetrën, si fletët e një libri që nuk e hapim më shpesh.
Dhe një mëngjes, pas rreth njëzet vitesh, jeta më bëri një surprizë të vogël.
U ula në një kafene për të pirë kafenë e mëngjesit. Ishte një mëngjes i zakonshëm e nuk prisja asgjë të veçantë. Kamarieri solli kafenë dhe, kur bëra të nxirrja portofolin, më tha:
-Kafeja është e paguar.
E pashë me habi.
-Nga kush?
Kamarieri ktheu kokën nga një cep i lokalit.
Ktheva edhe unë kokën.
Një djalë po më shikonte dhe ma bëri me dorë. U ngrit nga vendi dhe erdhi drejt meje me një buzëqeshje, që çuditërisht, ma solli menjëherë përpara syve atë djaloshin e vogël të bankës së shkollës. Tiparet i kishte po të njëjta. Sy të qeshur e mjaft gazmorë e buzëqeshje të paqtë.
Më përqafoi.
-Zyshe!
Në atë përqafim sikur u mblodhën njëzet vite.
E pyeta për jetën, për punën, për familjen. Më tregoi se punonte si kuzhinier në një lokal me emër. Ishte bërë profesionist( e ndiqja dhe nga fotot që postonte), dhe dukej krenar për atë që kishte arritur.
Pastaj, me atë humorin e dikurshëm, më tha:
-Kryefjalën edhe sot nuk di ta gjej mirë, zyshe, le që e kam harruar fare… por gatimet ama, i bëj më mirë se ti!
Qesha me gjithë zemër.
– Këtë ta pranoj, -i thashë. -Për kryefjalën do të të falja prapë një notë edhe sikur koha të rikthehej, por për gatimet duhet të të jap më shumë se dhjetë!
Qeshëm të dy.
Dhe teksa e urova për atë që kishte bërë me jetën e tij, mendova se sa pak dimë ne, mësuesit, për rrugën që do të marrin fëmijët që kemi përballë.
Në ditarin e klasës ai mund të ketë qenë thjesht një nxënës mesatar. Ndoshta një notë gjashtë, ndoshta një detyrë e pambaruar, ndoshta një emër që nuk e veçoja dot nga shumë të tjerë.
Por jeta nuk është një ditar.
Ajo nuk i vendos njerëzit në kolona me nota, si në regjistër, e në fund të vitit t’i nxjerrësh një mesatare ndoshta edhe fiktive. Dikush mund të mos jetë i mirë në matematikë, dikush mund të mos gjejë dot kryefjalën edhe pas njëzet vitesh, por mund të ketë duar të arta, një zemër të mirë, një talent që pret vetëm momentin për të dalë në dritë.
Atë mëngjes kuptova edhe diçka tjetër.
Ndoshta ne, mësuesit, mendojmë se jemi ne ata që u japim diçka nxënësve. U mësojmë rregullat, datat, autorët, fjalët dhe mënyrën si ndërtohet një fjali.
Por ndonjëherë janë ata që na mësojnë neve.
Ish-nxënësi im nuk më kujtoi se si gjendej kryefjala. Më kujtoi se nuk duhet ta gjykojmë kurrë një fëmijë vetëm nga ajo që arrin në bankën e shkollës. Më kujtoi se pas një note mesatare mund të fshihet një talent i jashtëzakonshëm. Dhe mbi të gjitha, më kujtoi se një mësues nuk e di kurrë se ku do ta çojë jeta një nxënës.
Mund ta takosh pas njëzet vitesh në një zyrë, në një spital, në një skenë, koleg në një shkollë tjetër…ose në një kafene, ku ai të paguan një kafe dhe të thotë me krenari:
-Kryefjalën ende nuk e gjej mirë, zyshe… por di të bëj diçka shumë mirë.
Dhe ti buzëqesh.
Sepse në atë çast nuk sheh më nxënësin që dikur ulej në bankën e fundit. Sheh njeriun që ai u bë. Dhe ndoshta, për një mësues, nuk ka dhuratë më të bukur se kjo: të të kujtojnë pas kaq shumë vitesh jo për notën që u dhe, por për dashurinë me të cilën i mësove.
Kafenë atë mëngjes e piva me një shije tjetër. Me shijen e buzëqeshjes.
Ishte thjesht një kafe, por ishte një kafe e paguar me dashuri e mirënjohje.
Dhe disa kafe, sado të thjeshta të jenë, të mbeten gjatë në zemër.

@Behare Daja Kasa

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

November 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
30  

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

ARCHIVE

Terms List