Tregim nga Rezarta Gagani

 

Aromë levandoje 

Mjafton të heqësh tapën e një shisheje kolonje dhe, për një çast, të duket se që nga fëmijëria jote paska kaluar fare pak kohë. Për ta njohur atë aromë më duhet edhe sot më pak se një frymëmarrje. Kam besuar se, ngaqë i njihja mirë njerëzit e mi, do ta vija re kur të nisnin të plakeshin dhe do të kisha kohë të mësohesha. Kur rrija përballë tim eti, për mua kishte më shumë rëndësi të dalloja në fytyrën e tij nëse ishte gati të më kundërshtonte. Atë shprehje ia njihja prej vitesh. Sa herë i dilte në fytyrë, unë e merrja fjalën aty ku më kishte mbetur dhe vazhdonim bisedën. Po të më kishte pyetur dikush si më dukej im atë, do t’i kisha thënë me bindje se ishte po ai. Dhe do të kisha pasur të drejtë për diçka tjetër nga ajo për të cilën më pyeste.
Gjyshi im ishte berber. Deri në moshën shtatëdhjetë e nëntë vjeç qethte tek-tuk ndonjë pensionist të lagjes. Krenohej që dora nuk i dridhej. S’kishte më nevojë të punonte, po i vinte mirë që njerëzit vinin ende të qetheshin tek ai. Duart i mbanin gjithmonë erë Levando. Për shumë kohë më është dukur se ajo kolonjë mbante erë gjysh.
Kur fliste për shëndetin e vet, ai e kishte zakon të përmendte dikë tjetër. Njërin e kishin lënë këmbët, një tjetër nuk njihte më njerëzit e shtëpisë. Ishte edhe një bashkëmoshatar i tij që kishte dhjetë vjet në shtrat. Sa herë vinte fjala tek ai, gjyshi na e thoshte ç’kishte ndër mend të bënte po t’i binte edhe atij ai fat.
— Po u bëra edhe unë si filani, do të pi një grusht me ilaçe e le të vete në Vasilikua!
Gjyshin e besoja. Në atë moshë njerëzit ende uleshin para tij dhe ia linin kokën në dorë. Edhe mua më dukej se një dorë aq e sigurt duhej t’i bindej përherë.
Rreth të tetëdhjetave nisi të hutohej. Harresat e para ia vumë moshës. Na leverdiste sidomos e nesërmja, kur ai e mbante mend fare mirë atë që një ditë më parë e kishte harruar. E merrnim si provë se dje ishim shqetësuar më kot. Kështu ia dolëm të mos shihnim ndonjë ndryshim të madh deri ditën kur dy djem të rinj na e sollën në shtëpi.
E kishin gjetur në lagjen e tij të vjetër. Kishte dalë të kërkonte shtëpinë e fëmijërisë, nënën dhe vëllezërit.
Lagjen e kishte gjetur. Kur ishte nisur, kishte menduar se për ta parë të ëmën i mjaftonte të gjente shtëpinë. Kur u kthye te ne, mori vesh edhe një herë se e ëma dhe vëllezërit kishin vdekur.
I mbaj mend sytë e tij të mëdhenj, blu, kur e kuptoi. U kishte ikur gjallëria që ua njihja. Sa herë kishte harruar ndonjë gjë e pastaj i qe kujtuar, ne ishim gëzuar. Atë ditë, për herë të parë, më erdhi keq që iu kujtua.
Pak nga pak edhe kurrizi iu kërrus. Nuk qethi më njeri. S’mbaj mend kur e ndjeva për herë të fundit erën e Levandos tek ai. Më pas zuri shtratin, ku mbeti deri në fund të jetës. Për Vasilikuan nuk foli më.
Im atë trashëgoi zanatin si gjyshi dhe stërgjyshi. Punoi pothuajse pa pushim gjithë jetën dhe, për aq kohë sa edhe duart e tij mbanin erë Levando, mua s’më binte ndër mend se ajo erë më kishte munguar te gjyshi.
Me tim atë bëja shëtitje të gjata. Për shumë gjëra nuk binim dakord. Më pëlqente liria që kishim për ta lënë një bisedë përgjysmë. Mund t’i ktheheshim një herë tjetër, sidomos po t’i vinte ndër mend ndonjërit prej nesh një përgjigje më e mirë. Kur qëllonte të flisnim për plakjen, ai e ulte zërin, ndonëse ishim vetëm.
— Nuk dua të plakem keq. Nëse ndodh, do t’i jap vetë drejtim.
Edhe gjyshi kishte folur me po atë siguri. Nuk ia thosha këtë tim eti. Po ta bëja, do të më duhej të pranoja, aty duke ecur përkrah tij, se edhe mua më trembte pleqëria e tij.
Sot im atë rri ulur në një qoshe. Duart i janë rrudhur shumë. Ka ditë kur ulem pranë tij e do të më mjaftonte të më kundërshtonte për ndonjërën nga ato gjëra për të cilat dikur kam bërë çmos t’ia ktheja mendjen. Më merr malli edhe për bezdinë që më shkaktonte kur këmbëngulte në të vetën.
Ndonjëherë largohem me përshtypjen se kemi kaluar bashkë një pasdite të trishtuar. Po të më pyesnin nga e kuptova që im atë ishte i trishtuar, do të tregoja sa më kishte munguar atë ditë të flisja me të.
Ka edhe ditë kur më zemërojnë ato duar që punuan një jetë dhe tani mezi i shërbejnë. Diku duhet ta kem besuar se gjithë ajo punë do t’i njihej për diçka. Pastaj e kap veten duke parë si rri, sa mund të lëvizë, sa i përgjigjet asaj që ndodh përreth, me një vëmendje që nga jashtë fare mirë mund të merret për përkujdesje. Po mundohem të marr vesh ç’më pret mua.
Kur përpiqem të përfytyroj plakjen time, e marr fshehurazi me vete mendjen e sotme. Trupin jam e gatshme ta lëshoj shumë më kollaj. E shoh veten të kërrusur, duart të pafuqishme, dikë që më ndihmon të ngrihem. Brenda asaj gruaje jam vendosur unë, me gjykimin tim të paprekur, dhe vërej me kthjelltësi të admirueshme gjithçka që paskam humbur. I kam lënë vetes edhe aftësinë për t’u fyer po të flasin për mua në praninë time.
Në plakjen më të keqe që arrij të përfytyroj, vazhdoj të kem fjalën e fundit.
Edhe për gjërat që mund të harroj kam parashikuar diçka: do të më marrë malli për to. Po të më shuhet një pasion, e përfytyroj veten duke e ndier mungesën e tij. Më duket e natyrshme, derisa më shkon mendja se mund të vijë një pasdite kur të jem mirë pa diçka që sot e quaj pjesë timen. Atë grua e kam më të vështirë ta njoh. Me sa duket, i paskam lënë një kusht edhe për të qenë mirë: të vazhdojë t’i mungojë ajo që dua unë.
Më zë inati kur mendoj se një ditë mund të them me gjithë mend «s’më mungon» dhe ta kem fjalën për diçka pa të cilën sot mezi e përfytyroj jetën time. Edhe atëherë do të jem unë që flas. Por tani që po e shkruaj, ende di çfarë dua. Ende mund të vendos. I betohem vetes se nuk do ta lë kohën të më zhveshë nga kjo forcë. Do ta kuptoj kur të vijë çasti. Do t’i jap vetë drejtim.
Për një çast i besoj vetes. Pastaj dëgjoj ç’po them.

@Rezarta Gagani

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

November 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
30  

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

ARCHIVE

Terms List