SKAMANDËRI, PRINCI DARDAN – MBRET I KAONISË DHE I SHQIPËRISË SË POSHTME / NGA ARTUR VREKAJ

 

SKAMANDËRI, PRINCI DARDAN – MBRET I KAONISË DHE I SHQIPËRISË SË POSHTME

u2_arturvrekaj

NGA ARTUR VREKAJ

Dardanët e Trojës e ruanin zakonin e lashtë të fiseve në Dardani (Iliri) nga kishin ardhur, që fëmijëve tu vinin emra që të kujtonin male, vëndbanime, heronj të trojeve të tyre, lumenj apo edhe emrat e perëndive që thirreshin po në gjuhën e tyre të trashëguar Pellazge.

Sa herë që flasim për Luftën e Trojës mëndja na shkon tek Skamandëri (Helenus), i vetmi princ Trojan që mbeti gjallë e mbretëroi në Epir, në Shqipërinë e Poshtme. Në Trojë njërin nga lumenjtë ku u vendosën mërgimtarët Dardanë në Azinë e Vogël e quajtën Skamandër që sipas gjuhës Shqipe (Pellazge) nënkupton një njeri që nuk ka më ëndrra. Lumi Skamandër quhej edhe lumë i zotit, djalë i Zeusit.

Sipas arkeologutHeinrich Schliemann mësojmë më shumë për këtë lumë, pasi ai e verifikoi në Trojë bazuar edhe në poemën epike të Homerit, Iliadën.”Këtu (në malin Gargarus) një korije dhe një altar ishin shenjtëruar për Zeusin. Dhe kur Skamandër është përcaktuar si djalë i Zeusit, ku tjetër duhet të jenë burimet e tij vetëm se në Malin Gargarus? Në imagjinatën e poetit lumi dhe lumi i zotit përzihen bashkë në një personalitet të vetëm dhe origjina e të dyve është referuar siç ishte, tek i madhi zot-mot, në Malin Gargarus.”1)

“Skamandër u derdh në Hellespont (Dardanele), në drejtimin lindor…”2)

Kështu, sipas emrit të lumit hyjnor u thirr edhe princi Skamandër që në shkrime studimore është i njohur si Helenus. Ai është djalë i Priamit dhe Hekubës, mbretit dhe mbretëreshës së Trojës në Azinë e Vogël. Skamandëri ishte binjak me Kasandrën që ishte priftëreshë në kultin e Apollo në Trojë. Çuditërisht, më i besuar për konsulta fetare nga banorët Dardanë apo edhe nga heronjtë e luftës së Trojës, si vëllezërit dhe kundërshtarët ishte Skamandëri.

“Një traditë thotë, se emri origjinal i Helenus ishte Skamandër (Skamandrius) dhe ai mori emrin Helenus nga një fallxhor Trakian, që gjithashtu, e instruktoi atë në artin profetik.” 3)

Skamandëri përshkruhet nga Homeri tek Iliada si “lord (zot) dhe luftëtar”.4)

Përgjatë luftës dhjetëvjeçare të Trojës Skamandëri ishte një nga katër kapitenët e luftës jashtë mureve të qytetit të Trojës bashkë me dy vëllezërit Hektorin, Aleksandrin dhe kushëririn e parë, Enean. Në një nga tentativat për të zbrapsur anijet e kundërshtarëve ai plagoset nga Menelau në dorë.

Homeri na jep në librin e gjashtë të Iliadës vlerësimet e Skamandërit për Hektorin dhe Enean si udhëheqësit kryesorë të forcave ushtarake që mbronin Trojën.

Këshillat që ai i jep Hektorit dhe Eneas:” për të mbajtur frontin (jashtë mureve të Trojës), për të takuar njerëzit kudo, si dhe që të organizoheshin shpejt pranë portave” (5) tregojnë për largpamësinë e Skamandërit si luftëtar dhe njeri i besuar për profecitë e tij, të cilin Hektori e respektonte si të tillë.

Pas vdekjes së Aleksandrit,në vitin e nëntë të luftës, Skamandëri dhe vëllai i tij Deifobus u përplasën se kush do ta merrte për grua Helenën dhe pasi me atë u martua Deifobus, Helenus largohet për në malin e shenjtë Ida ku kapet dhe merret si i burgosur nga pala kundërshtare e Trojanëve.

Kur u muar i burgosur në kampin kundërshtar Skamandëri përdori profecinë si dhuratë që e kishte, me të cilën ai ishte i pajisur të predikonte rënien e Trojës dhe rreziqet e kundërshtarëve në kthimin e tyre.6)

Ka disa versione për largimin e tij nga qyteti i Trojës dhe kapjen e tij nga Odiseu në vitin e nëntë të luftës. Njëri nga këto shpjegohet si më poshtë: “Trojani Skamandër kur u kap në betejë me Odiseun zbuloi se Troja mund të bjerë vetëm kur Filoktetes dhe Pirro bashkohen me Mikenasit e të tjerët. Thesaliani Filoktetes u soll prej Lemnos ku ishte abandonuar pasi ishte plagosur dhe kur e rimori veten prej plagës nga Makaon, me harkun dhe shigjetat e Herkulit plagosi Aleksandrin. I riu Pirro, gjithashtu, u soll prej Skiros në Trojë dhe ai i shtyti Trojanët prapa brenda mureve të tyre. Objektivi tjetër i forcave kundërshtare të Trojës ishte të posedonin Palladium, një statujë e Pallas Athena, e cila kishte qënë në qytet për disa breza dhe ishte dhuratë e Zeus ose e Athena. Prezenca e saj në Trojë siguronte imunitetin e qytetit nga sulmet. Kundërshtarët e Trojanëve ishin këshilluar nga Skamandëri të merrnin Palladium. Skamandëri ishte i mërzitur me Trojanët, sepse atij nuk ja dha dora e Helenës pas vdekjes së Aleksandrit.”7)

Disa autorë vënë në dukje bashkëpunimin e Odiseut me Helenën për të marrë informacione të vlefshme për marrjen e statujës Palladium dhe qytetit të Trojës.

Kur ishte i larguar në malin Ida, Skamandëri informoi (Trojanët) njerëzit dhe miqtë e tij se ai nuk e la vëndin e tij (Trojën) nga frika e vdekjes, por nga sakrilegji se Aleksandri e vrau Akilin në tempull si dhe u tregoi atyre për kohën dhe rrethanat në të cilat Troja mund të bjerë. Si predikues i Zeusit, ai i respektonte shumë vëndet e kultit. Janë bërë tre vrasje në tempuj: e Akilit nga Aleksandri dhe e mbretit Priam nga Pirro në tempullin e Apollo në Trojë si dhe vrasja e Pirros në tempullin e Delfi e organizuar nga Orestët.

Pas rënies së Trojës, Pirro e mori rob Skamandërin bashkë me kunatën e tij, Andromakën, gruan e Hektorit që vrau Akili. Për të vendosur për rrugën e kthimit, për të qënë të sigurtë, ai e këshilloi Pirron që të ktheheshin me tokë nëpërmjet Trakës dhe Thesalisë pasi udhëtimi me det mund të sillte rreziqe prej stuhive. Dhe Pirro e besoi.

Pasi arritën në mbretërinë e gjyshit të Pirros, Skamandëri i sugjeroi Pirros që ai duhet të ngrinte një mbretëri tjetër larg gjyshit të tij. Kështu, ata u vendosën në Epir, në zonën ku mbretëruan Mollosët. Duhet të kemi parasysh se në këtë sugjerim të Skamandërit kanë ndikuar edhe lidhjet njerëzore të çfarëdo natyre qoshin ato tregtare, komunikuese prej lëvizjes së emigrantëve apo bazuar edhe në origjinën e tyre të njëjtë që egzistonin midis Pellazgëve Dardanë të Trojës dhe atyre të Europës kontinentale. Pas disa kohësh, Pirro e la të lirë Skamandërin dhe i dha për grua nënën e tij, Didaminë, gruan e Akilit.

Pausians (i.II.1) përmënd se “Pirro u vendos në Epir në përputhje me orakujt e Skamandërit dhe ai kishte me Andromakën: Molosin, Peleus dhe Pergamus.

… dhe Pirro i dha atij (Skamandërit) për grua mamanë e tij, Didaminë.”8)

Skamandëri ndërtoi Butrintin, një qytet-kështjellë, në Jug të Shqipërisë së sotme, në formën e një kurore peme të mbrojtur mirë nga muret dhe nga ujërat.

Pas vdekjes së Didamisë, ish-gruas së Akilit me të cilën nuk pati fëmijë, Skamandëri mori për grua Andromakën me të cilën pati 3 fëmijë Pirro kur u kthyen pas luftës së Trojës dhe u vendosën në Epir.

Skamandëri e quajti Kaoni të gjithë zonën që kishte në zotërim për të kujtuar vëllanë e tij, Kaonin. “Kaoni ishte djalë i Priam që ishte vrarë aksidentalisht në gjueti nga Skamandëri. Sidoqoftë, ka shumë mundësi që ky emër kishte rrjedhur nga fisi i vjetër Pellazg i Kaonëve.”9).

Skamandëri ishte themelues i dy qyteteve: Butrintit dhe Kaonisë (prej vëllait të tij Kaon).10)

Në një nga tabletat e gjetura në Janinë që i drejtohen tempullit të Dodonës cilësohet një kërkesë nga “Qyteti i Kaones”.11)

Buthrotum ishte kryeqëndra e Kaonisë, qyteti i dytë më i dëgjuar pas atij të Dodonës që ishte kryeqëndra e Pellazgjisë ku shkuan pelegrinë heronjtë Pellazgë më në zë të luftës së Trojës. Emri Buthrotum, Butrinti i sotëm, rrjedh sipas një legjende të lashtë që thotë se Skamandëri sakrifikoi një buall të sigurohej për hyrjen e tij në vëndbanimin e ri. Bualli i plagosur notoi në gjirin e Butrintit dhe eci pastaj në breg, në drejtim të kodrës ku sot është kalaja. Në pjesën lindore të qytetit antik të Butrintit në qemerin e gurtë të një porte shohim edhe sot një buall të gdhëndur në të.

Buthrotum është edhe Troja e dytë në bregun Mesdhetar që mrekulloi kushëririn e tij, Enean, rrugës për në Itali. Enea u mrekullua kur pa luanë në hyrje si në Trojë, kullë vrojtimi që të kapte çdo lëvizje të papritur të armikut, një mur rrethues që vështirë ta rrëzoje etj që i kujtonin atij vëndlindjen e tyre. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri Enea e quajti Butrintin “Troja e Vogël”, sepse kalaja ishte ekzaktësisht si në Trojën e baballarëve të tyre.

Ja çfarë mësojmë nga poema epike Eneida e Virgjilit, e cila dokumenton vizitën e Eneas në Shqipëri. “”Duke ardhur përgjatë bregdetit të Epirit dhe duke ardhur tek gjiri i Kaonisë, ne zbritëm afër Butrintit, një qytet kodrinor. Skamandëri i kish kërkuar Pirros ti jepte Andromakën, i cili e dha përsëri në njerëzit e saj.Enea ndjeu një dëshirë të fortë e të mrekullueshme kur fliste me Skamandërin të mësonte se si kishte ndodhur e gjitha kjo. Historia e Andromakës jepet prej vetë asaj:” Kur Pirro donte për grua Hermionën e Ledas, më dha tek Skamandëri dhe më bëri grua skllave të një skllavi.” Virgjili na jep edhe të dhënën e kalimit të zotërimeve të Pirros pas vdekjes tek Skamandëri që krishtëroi fushat Kaoniane dhe e quajti të gjithë vëndin Kaoni sipas Kaonit të Trojës dhe rindërtoi Trojën, një kala shumë e mbajtur përmbi këmbët e kodrës.””12)

Gjithashtu, tek Eneida ne mësojmë edhe për orakullin që Skamandëri i konsultoi kushëririt të tij të parë Eneas që do të vazhdonte rrugën për në Itali.

Skamandëri dha këshilla për dhuratat që duhet të barteshin deri poshtë tek anijet e Eneas. Dhuratat ishin prej floriri, argjëndi dhe sende bakriprej Dodonës dhe midis tyre një helmetë e cila kohë më parë i përkiste Pirros.13)

Virgjili prezanton se Enea zbriti në Itali shtatë vjet pas rënies së Trojës.14) Kjo e dhënë na siguron se Skamandëri e bëri ëndrrën e ringritjes së Trojës shumë shpejt bazuar edhe në mençurinë e tij, por edhe të Pellazgëve vëndas të Kaonisë.

Marrja në zotërim e të gjithë Epirit nga Skamandëri është e lidhur me vdekjen e Pirros, djalit të Akilit. Kur Pirro u kthye nga lufta e Trojës ai deklaroi për grua Hermionën,vajzën e Menelaus që ishte bërë grua e Orestit, djalit të Agamenonit, kushëririt të saj, pasi ja kishte premtuar Menelau në Trojë, nëse do të kapej Troja.

Martesa e mëparshme e Hermionës me Orestin përpara se ajo të bëhej grua e Pirros është njohur nga Virgjili (Aeneid,III,330.) Nga ana tjetër, Homeri thotë se Menelaus ja premtoi Hermionën Pirros kur ishte në Trojë dhe celebroi martesën pas kthimit të tij në Spartë. Kështu Pirro ja rrëmbeu Hermionën Orestit dhe “për këtë arsye ai u vra nga Orestët në Delfi“.15)

Pas kësaj ngjarjeje në tempullin e Delfi, Skamandëri u bë mbret i Epirit. Skamandëri pati një djalë me Andromakën që e quajtën Kestrin.Kestrinë quhej qyteti (Filati i sotëm), krahina, një degë e lumit Kalama, si dhe një port në Epir.

Kolonia e Kaonisë u zgjerua pasi Kestrinus, djali i Skamandërit themeloi një qytet, Kestrinën në breg të lumit Kalama, 12-15 milje nga derdhja e tij. Fronti i asaj pjese të Kaonisë mori emrin Kestrinë dhe fshati kryesor, gërmadhat që quhen Palea Venetia duket të jenë quajtur Ilium ose Troja në kujtim të themeluesve të tyre.16)

Fisi i Kaonëve zotëroi të gjithë vijën bregdetare të Epirit dhe u bë mburojë e Epirit.

Duke ju referuar një tradite të Argives Skamandëri është varrosur në Argos. Pausanias ii.23.17)

Kaonët, që i mësojmë nga Strabo (VII.324), ishin njëherë njerëzit luftëtarë më të fuqishëm të Epirit deri sa Mollosi pas tyre fitoi epërsi përmbi fiset e këtij vëndi.18)

Me mbretin Skamandër merr kuptim edhe atdhedashuria që u shpreh në përngjasimin e kalasë së Butrintit me atë të Trojës, si dhe me emërimin e vëndbanimeve në Epir si dhe përtej detit Jon, në Itali sipas traditës Dardane, Pellazge.

Tek Skamandëri shquhet besimi fetar, predikimi i Zeusit dhe qëndresa e Trojës edhe me luftën e tij heroike. Me emrin e tij zë fill një histori që pleks fise Pellazge, emra gjeografikë dhe mbretërish dhe më së shumti ka vlerë ruajtja e linjës Trojane dhe konsolidimi i themeleve të Epirit si një vënd i shenjtë i Pellazgjisë dhe themel i kështjellave të pamposhtura. Këtë e tregon edhe pastërtia Pellazge për disa mijëvjeçarë e Epirit që vërteton edhe sot vijueshmërinë Pellazgo-Ilire-Shqiptare.

Kur Skamandëri ishte duke vdekur mbretëria e Epirit ju dhurua Mollosit, djalit të parë të Pirros me Andromakën.

Kështu Epiri, e gjithë kjo pjesë e Pellazgjisë përgjatë detit Jon ka për banorë që lashtë Pellazgët jo vetëm me Dodonën, por edhe me vëndbanimet e hershme të fiseve më të dëgjuara Kaone, Mollose e Thesprote, etj që shkruan histori të lavdishme qëndrese prej ardhjes së princit Dardan Skamandër e deri në luftën e Dytë Botërore me Labërinë dhe Çamërinë.

Lënda

1) Ilios: The City and Country of the Trojans, Heinrich Schliemann,faqe 58

2)po aty, faqe 676

3)Dictionary of Greek and Roman Biography and Mythology,Vol.2, William Smith, (Eustathit ad Homer.p663), faqe 371

4)The Iliad of Homer, përkthyer nga Richard Lattimore, rreshti 583,faqe 287

5)po aty, rreshtat 80-81,faqe 100

6)A Smaller Classical Mythology: With Translations from the Ancient Poets, and questions upon the work, William George Smith,faqe 214

7)Troy and Her Legend, Arthur Milton Young, faqe 7

8)Apollodorus: The Library, Volume 2, Apollodorus, faqe 250-251

9)A Commentary, Mythological, Historical, and Geographical on Pope’s Homer and Dryndes Eneid of Virgil, faqe 415.

10)Judah Scepter: A Historical and Religious Perspective, Brian Arundell of Wardour Howard, faqe 29.

11)The oracles of Zeus Dodona, Olympia, Parker, faqe 261

12)The Aeneid of Virgil, përkthyer nga C.Day Lewis, faqe 68-69

13) po aty, faqe 73

14) A New Classical Dictionary of Greek and Roman Biography,mythology and geography, William Smith, faqe 20

15)Apollodorus: The library, vol 2, Apollodorus, faqe 253

16)Travels in northern Greece, Vol.4,William Martin Leake, faqe 176

17)Dictionary of Greek and Roman Biography and Mythology, Vol.2, William Smith, faqe 372

18)A geographical and historical description of ancient Greece, John Anthony Cramer, faqe 94

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s