Një “ Curriculum vitae “ poetik ( Shënime për librin poetik të shkrimtarit Skënder Temali “Curriculum Vitae…” ) / Nga Fatmir Minguli

 

DSC02713

 

Një “ Curriculum vitae “ poetik

( Shënime për librin poetik të shkrimtarit Skënder TemaliCurriculum Vitae…” )

U përpoqa të lexoj jetën edhe me

                         nëntekstet e saj “

                                Skënder Temali

                             ( nga faqja e internetit )

Fatmir-Minguli

nga  Fatmir  Minguli

Ndeshem për herë të parë me një libër të shkrimtarit shkodran Skënder Temali. Por duke u njohur me botimet e tij mëson se është autor i dhjetra librave me poezi, tregime ,novela, romane . Tek i bëj një shikim të shpejtë këtyre botimeve vërej se me këtë shkrimtar ndodh një kurbë parabolë ndryshe nga shumë të tjerë. E ka filluar me poezi krijimtarinë e tij ,ka vazhduar me prozë dhe përsëri i është “vënë “ poezisë. Eshtë pikërisht dhe libri i tij i fundit me poezi që po analizoj dhe që titullohet “Curriculum Vitae…”.

Një titull zyrash, do të thonte dikush. Për nga forma ashtu duket, por po të hysh brenda mureve të udhës së jetës të këtij shkrimtari do mendosh ndryshe. Do mësosh pak a shumë për jetën e një shkrimtari shkodran që nuk i ka lëvizur themelet nga qyteti i tij , themele të forta do të jenë e që nuk lëvizin kollaj. Kanë fryrë erëra edhe të forta për t’a çuar atë drejt Tiranës, kryeqytetit të letrave shqipe,”aty ku bëhet emër” por nuk kanë mundur të trondisin shkrimtarin, ashtu si dhe adashin e tij Skënder Drinin, shkrimtarin tjetër shkodran.

Në parathënien e Skënder Temalit në këtë libër midis të tjerave thuhet “ Se sa ia kam arritur në këtë gjysmë shekulli krijimtari , dyshoj. Dyshoj tek vetvetja, dyshgoj tek krijimtaria ime dhe, më në fund, dyshoj edhe tek dyshimi im.” Shumë pak shkrimtarë thonë kështu, prandaj ai është kundër Narcisëve poetë e prozatorë.

Poezitë e këtij libri i kushtohen fisit të tij, një argument më shumë për të besuar në sinqeritetin maksimal të Skënder Temalit shkrimtar. Një modesti reale, një vetmohim i denjë për njerëzit me të kaluar, ku më të vërtetë rëndësi ka emri , por më shumë rëndon mbiemri.

Poezitë e tij janë fletë e një ditari sa intim aq dhe i hapur ndaj shoqërisë, ditar që e fillon me poezinë themelore “Takim me lexuesit” :

S’kam për t’ua thenë kurrë atë që doni,

Se përse shkruaj e kam pyetur kaq herë vehten

E ka 50 vjet

Që s’e kam marrë përgjigjen!

Skënder Temali është tejet i guximshëm në poezitë e tij sepse flet hapur ndaj shumë negativiteteve në shoqërinë e sotme shqiptare, duke filluar me poetët që veshin akoma kostumet e e pandryshueshme të Pushkinit, Eseninit, Kadaresë , Agollit etj. Ai komenton bestsellerat duke perifrazuar figurën poetike që është perlë në guackë e që peshon sa njëqind bestsellera.

skender

             Skënder  Temali

Në poezinë “ Pa çmime” ai trajton maninë e çmimeve të pafund të festivaleve poetikë anë e mbanë trojeve shqiptare si panaire ku luftohet nga disa për t’i përlarë e për të mbushur muret e dhomave të gjumit plot me korniza.

Prandaj me të drejtë ai krijon poezinë leitmotiv “Pse” ku filozofia e “pse” – së është evidente në shoqërinë e sotme dhe jo vetëm në poezi , ku analizohet pasoja dhe jo shkaku. Libri “Curriculum vitae… “ i Skënder Temalit është një pyetsor denoncimesh por tejet intelektual, një pyetsor që në radhë të parë i drejtohet vetes, duke e vënë atë , veten e tij, në peshore e më tej duke parë pasqyrimin në reagimin e shoqërisë , ambjentin rrethues e gjithçka tjetër rreth tij.

Skënder Temali me këtë libër të kujton Danten që merr përdorë Virgjilin e që e shoqëron nëpër rrathët e “ Komedisë Hyjnore”, por ndryshe Skënderi ka marrë përdore ndërgjegjen e tij dhe kërkon pozicionin ku ndodhet në shkallët e kësaj shoqërie. Eshtë kjo maksima më e lartë që poeti e kërkon dhe e ndërton me ngulm shpirti.

I gjithë libri është një biografi me strukturë të shpirtëzuar poetikisht duke vënë dorën e djathtë në zemrën e tij. Kjo duket fare bukur në poezinë “Pak biografi” ku rëndësia e të kaluarës duhet envidentuar nga kushdo shqiptar që e ka një të kaluar sepse ajo është pjesë e historisë së vërtetë dhe jo ajo që shkruajnë persona ndoshta pa të kaluar. Dhe Shkodra ngrihet krenare ,simbol i atdheut dhe fisit të tij.

Çdo fis

E ka një lis

Por ç’e do,

E ka edhe një pis,

Që si kalinë

Bythën pushtetarëve ua lëpinë.

Lisat dhe pisat “

Kësisoj libri me poezi “Curriculum vitae “ tejkalon udhën e jëtes së autorit e vjen e shndrohet në një vademekum atdhetar, duke trajtuar edhe Bogdanin, De Radën , kalanë e Rozafës, Tano Banushin, Bunën e Drinin e kështu me radhë. Në libër gjinden një larmi temash të ndryshme që kanë elasticitet e që xhirojnë me një lehtësi të çuditshme nga një vend në tjetrin nga një lloj njeriu të tjetri. Këto poeti i bën pa u mërzitur duke ndjerë një kënaqësi supreme të shpirtit ç’ka tregon pjekuri të plotë jo vetëm poetike.

Në shumë poezi , një vend të posaçëm , madje një vend nderi zenë hokatarët me famë shkodranë si tek poezia “ Gaztorët e qytetit tim” , një poezi hymn për poetët popullorë shkodranë ku “ SHkodra ka patur gastorë përjetë/më pijetarët e pijetarëve,/për meze kishin një barcoletë/me spec djegës ndaj pushtetarëve.”

Dhe çuditërisht po t’i shohësh me vëmendje nga ana teorike poezitë, gjen aty një aromë të këngëve popullore shkodrane, një kombinim interesant të rimës më vargun e lirë. Kjo e thekson më tepër origjinalitetin e këtij shkrimtari.

Në shumë poezi ndjehet pikërisht dhe ajo qesëndisje për njerëz negative si servilët apo poetucët, për ngjarjet e mbrapshta të pushtetarëve, qesëndi që është tipike shkodrane.

Skënder Temali është kryetar i klubit të shkrimtarëve në Shkodër, një grupim i këndshëm i krijuesve shkodran, ku roli i tij patjetër që është spikatës. I lidhur me jetën sociale jo vetëm si pedagog por dhe aktivist , shkrimtar dhe Ambasador i Paqes ,antar i këshillit Kombeëtar të Federatës për paqe Universale.

Ai ka marrë edhe një çmim special në Padova të Italisë , me tregimin “Këpucët e turpit”, në një konkurs ndërkombëtar ku konkuronin qindra autorë.Konkursi u organizua në vitin 2001 nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Cristalida”.

Për librin e tij me poezi “Curriculum vitae…” mund të shkruhet shume, por dhe për autorin e saj.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s