E DIVORCUARA / Tregim nga Vladimir Muça

E DIVORCUARA

 

Tregim nga Vladimir Muça

U pamë për të fundit herë, por ajo kaloi shkarazi me sytë përdhe. Ishte 31 dhjetori, një ditë jo e zakonshme, një ditë kur ajo duhej të merrej me gatimet e darkës të fund vitit, një ditë kur mblidhej rreth gëzimit familjar, mes haresë pambarim të fëmijëve e shikimin dashuror të babait të tyre.
Ishte një ditë e cila turfullonte si të çarat e lisave djegur nga rrufetë, si fërshëllima e degëve të xhveshura nga cingërima e fraqtë e erërave që vinin grykës së Milotit. Ato pak rreze diellgrisura nuk premtonin asgjë në fletën e re të ditarit, grisur nga egërsia e kohës.
Ajo ikte ashtu kokëulur, duhej të ndahej nga e shkuara, por nuk mund të ndahej nga vetvetja. Ku të shkonte në këtë fund dhjetori ku ngado gjarpërinjtë e ndasisë, nxirrnin dhëmbët e helmët kryqëzimeve e skutave në përgjim..? Ku të ngrohte shpirtin me ndjenjësinë prindërore..? Ec e bëj ballë shakullimave kur erërat çmenden dhe në tornado gllabërojnë gjithçka.
S’ka mbet më asgjë nga kori i lutjeve: o hënë bëhu mburojë e shigjetave që lëshojnë yjet. E divorci, mes këtyre shigjetave, në kaleidoskopin e jetës së mrrolur, vjen si spektri i zi i dy jetëve.
Në udhëkryqet e botës kish harruar ajo urtësinë e plakut të moçëm: ” se burri komandon trupin dhe gruaja, mendjen”. Femrat , në tërësinë trupore e shpirtërore janë mbretëresha por hera- herës, në çaste të thyera, kthehen në skllave të dëshirave të tyre.
Tani ajo shkon me shumë burra, thjeshtë për interes. Zemra e saj tani kishte më shumë dhoma se sa një bordell. Ec e ndale tërbimin e shpirtit të fëmijëve pa nënë..! Ikja e saj ish në atë ditën e fundit të tetorit, në ditën kur nuset e fundit dalin me ngut nga derëlindja e makinat gjysmë të zbukuruara marrin jerm drejt një dere të re, me ngutjen se mos mbyllej sezoni i nuseve.
Ajo iku diku, ngarkuar në shpinë si gur pendimi të kaluarën e saj të dyshimtë, ikte fryma e saj, por trupi kokëfortë qëndronte në vend me ato sytë e çaplyer, pa kurfarë rregulli optik. Në dorë mbante një qese plasmasi dhe me dorën e lyrosur trazonte kazanin e plehrave si rremimtarët në një grumbull skorjesh minerale.
Mundohej të mblidhte në ato hedhurina trishtimet e përjetuara, çastet e shikimeve të grisura, fustanin e nusërisë të përbaltur nga ajo ikje marramendëse mes një shiu të përbaltur si nga një pluhur vullkanik.
Me atë ikjen që i ngjante shakullimës që e ndjek tani këmba- këmbës, me epshin e egërsisë së egër të prostitutës që në humbëtira të skajshme të merr frymën.
Eh vallë! Ku vajti gjithë ajo dashuri..? Eh, dashuria! Ajo shpesh herë bëhet si fëmijtë çamarrokë, shumë gazmorë, por qejfmbetur. Po s’ja mbajte derën hapur ajo ikën kokë ulur dhe shumë e inatosur.
Ahere, në netët e errëta për të divorcuarën, një natë e vetmuar është më e tmerrshme se sa tridhjetë ditë të humbura. Tani sa herë e merr malli për fëmijët, vatrën e ngrohtë të këtij fund viti,ajo kafshon gjymtyrët e fraqit të egër e nga një rrymim në shpirt i merren mendtë, koka me flokët e zhulosur nga grimi i mundimeve, i tundet si nje kambanë nën tingujt e mortit të saj.
Përtej egërsisë së kësaj ere, thellë- thellë, fshihej trishtimi i përhershëm, qante dhe hëna e grisur, mes shkarpave të degëve të thyera të pemës së jetës familjare të saj.
Ajo kishte harruar nën dritën e semaforëve se hera- herës dashuria është e verbër, ecën kuturu nga cikloni i ndjenjave; merr dhe glaukoma gjatë një bashkëjetesë nën kudhrën e karaktereve të ndryshëm, por martesa është ajo që i sjell shikimin.
Rreth kazanit të plehrave, në “gostinë” e këtij fundviti, një lehje e trishtueshme si shtëllungë mjegulle ngrihej mbi të. Si yje xhuxhë nëpër detin e tërbuar të mallëngjimit, si shikim kozmik, vinin lotët e një nëne që vajtonte fatin e shembjes të mureve familjare.
Qysh kur braktisi fëmijët e mori rrugën e prostitucionit, kish mbetur trup e shpirt e kafshuar. Fëmijët i la atje në fshatin e bukur të lindjes me ngrohtësinë e gjyshërve. Mos vallë tani ajo harroi se nënat, endrrat e tyre i realizojnë në endërrimet e fëmijve!?
Që ahere ajo pa, se sa shpejt iu mblodhën rrudhat në ballë sa herë kur djersitej në epshe shtazarake apo në kërkim ushqimi në fundkazane. Sa herë që djersa merrte vragë faqeve hapej nga një brazdë në shpirtin e saj, hapej e nuk mbyllej më kurrë.
Këto rrugë po ia lëronin shpirtin e plagosur aq keq sa dhe kujtimet e mbjella me duart e saj, peng që nga koha e rinisë në gjimnaz, po humbnin si yjet në një oaz të tharë. Tek shihte vehten në sytë e një buçeje aty pranë, se njihte më as veten. Po ikte nga vetvetja si një e këputur rrrëfan, po dilte nga fraqi i mbramë dhe s’po bëhej më njeriu-vajzë nuse, e të kthehej në atë portë ku menteshat e ndryshkura, si ajo qajnë e qajnë. Si në një mjegullnajë, i merr erë rrobave të nderura të kujtesës, varur në shtyllat e brymta të një mëngjesi bukëvalë.
Pranë trakullores të ndryshkur me njolla gjaku, akoma gjallonin gjurmët e gishtrinjëve të saj. Pritnin ato gjurmë të zgjonin tingullin e një mirseardhjeje, thirmën e dëshirueshme: Mama! Mama?
Por sa herë ajo shihte atë trakullore në një cep të rrugës, qante shpirtvrarë dhe me perspektivën e një zogu qyqeje shikonte folenë e braktisur në lisin e oborrit, shihte pemët që gjethonin në kopshtin e fëmijërisë.
E divorcuara filloi të flasë me veten, por asnjëherë nuk foli për atë arkëmort të shpirtit, të cilin e kish varrosur ditën kur zogjtë e shpresës cicërinin në derën prindërore.
Tani, diku larg, në dunat e shkretëtirës, duket një mirazh nxirësirë që i përngjante hijeve të zeza të pastrueseve, që fshijnë dhe pisllëkun e hijeve që len pranë koshave trupi i saj.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s