Libra te rinj : Një marinse koreanoveriore (Rreth librit jetëshkrimor të Kim Hyun Hee) – Përkthyer në shqip nga Lefta Hito / Përgatiti materialin Bardhyl Selimi

Libra te rinj : Një marinse koreanoveriore

Rreth librit jetëshkrimor të Kim Hyun Hee

Përkthyer në shqip nga Lefta Hito

Shtëpia Botuese “Lilo”, Tiranë 2004

Mikesha ime, zonja Lefta Hito, më dhuroi para dy javësh një libër të përkthyer nga ajo. “Është një histori e jashtëzakonshme”. më paralajmëroi. Bëhet fjalë për një vajzë të bukur koreanoveriore që u ushtrua me vite nga Shërbimi i Fshehtë i vendit të saj për të kryer akte terroriste, e bindur që i shërbente atdheut dhe Partisë Komuniste. Por, pasi e kreu aktin, e rrëzoi një avion pasagjerësh me punëtorë jugkoreanë që ktheheshin nga vendet arabe, u pendua thellësisht duke e kuptuar se sa i rremë ishte përfytyrimi i saj për “botën kapitaliste” në krahasim me “botën socialiste” të Koresë së Veriut. Të 115 viktimat nuk ngjalleshin më, mëgjithatë “regjimi kapitalist” i Koresë së Jugut e fali Kimin duke i mundësuar asaj një jetë të re në botën e lirë.

Libri është vetëjetëshkrimi i vajzës në fjalë, i treguar thjesht, me çiltërsi, me vërtetësi dhe njerzi.

Unë kam patur rast të takoj koreanojugorë esperantistë që kanë vizituar vendin tonë dhe jam befasuar nga bota shpirtërore e tyre, me shumë gjera të përbashkëta edhe me shqiptarët, si respekti për familjen, për të moshuarit, për fjalën e dhënë. Dëshira e tyre e kahherëshme ishte ribashkimi paqësor i vendit. Këtë parrullë e kanë në majë të gojës edhe udhëheqësit koreanoveriorë komunistë. Madje, në vitin 1950 ati i tyre, Kim Ir Seni, ndërmori një sulm ushtarak aventuresk pa paralajmërim ndaj Koresë së Jugut ku ende ishin forcat ushtarake amerikane. Ushtria e tij përparoi deri në thellësi të vendit, hyri edhe në Seul dhe ishte gati të merrte edhe Pusanin, skajin juglindor. Sikurse më tregonte zoti Astrit Leka, veteran lufte, i tërë “Kampi Socialist” ishte në ekstazë, sepse po zgjerohej më shumë. Ҫdo ditë në zyrat shtetërore mbi hartën e Lindjes së Largëme, aty ku ndodhej Koreja, vendoseshin flamuj të vegjël në pikat ku kish përparuar ushtria e Kim Ir Senit. Por atëhere kur mendohej se edhe Pusani do binte, gjenerali Mac Artur e sulmoi Korenë e Veriut nga deti në verilindje dhe përparoi drejt Phenianit. Kjo e detyroi Kim Ir Senin ta zbythte menjëherë ushtrinë drejt veriut.

Dihet se atë kohë ndërhyri edhe Kina Popullore dhe më në fund u rivendos paqja dhe dy vendet mbetën në kufijtë e mëparshëm, sipas “paralelit 38”..

Që atëhere Koreja e Veriut zhvillon propagandë dhe veprimtari të ethshme kundër gjysmës tjetër të atdheut, që sot është bërë një forcë ekonomike botërore, e krahasueshme me Japoninë dhe Gjermaninë. Tensionet vijojnë të ekzistojnë dhe në Korenë e Jugut janë gjithnjë të shqetësuar nga ndonjë sulm i pabesë nga Veriu. Megjithatë përpjekjet për ribashkim nuk rreshtin.

Edhe miqtë e mij koreanojugorë ma shprehnin këtë shqetësim. Profesori So Gilsu, moshatar i imi, organizoi para disa vitesh në Seul në kuadrin e Kongresit Botëror të Esperantos një Konferencë ndërkombëtare për të mbledhë opinione rreth mënyrës së ribashkimit të dy Koreve. Shembulli i Gjermanisë është frymëzues dhe i përshtatshëm. Sepse njëra Gjermani ishte e pasur dhe tjetra e varfër, njëra kapitaliste dhe tjetra socialiste. Kur u dobësua socializmi në Lindje, u bë i mundur edhe ribashkimi i Gjermanisë që pati edhe një kosto financiare.

Edhe Shqipëria me Kosovën mund të ribashkohen, tani kushtet janë mbase më të favorëshme, pasi edhe në dy vendet është i njëjti regjim pluralist. Miqtë jugkoreanë vizituan me interes edhe Kosovën të shoqëruar nga unë.

Le të kthehemi te libri “Lotët e shpirtit tim”, të dhënë në përkthim kaq rrjedhshëm dhe bukur nga zonja Lefta.

Kim Hyun Hee isite gjimnaziste, I ati ishte funksionar i Ministrisë së Jashtëme. Disa vite familjarisht kaluan në Kubë, në ambasadën koreanoveriore atje. Kimit i tërhoqi vëmëndjen ndryshimi i madh që vuri re në atë vend socialist, jo aq të zhvilluar, në krahasim me vendin e saj ku edhe vaji për gatim ishte lluks, ku nuk kishte supermarket dhe llojshmëri mallrash, ku në makina lëviznin vetëm funksionarët e lartë, ndërsa avionin dhe vizitat jashtë shtetit nuk i shihnin as në ëndërr mbi 99 % e koreanoveriorëve, ku edhe veshjet prej najloni ishin një rrallësi.. Në vendin e saj nuk përktheheshin as librat për “Hirushen” dhe “Një mijë e një netët”, sepse mjaftonin veprat e zgjedhura të Kryetarit Kim Ir Sen!

Kur u kthye në atdhe, ajo nisi studimet në fakultetin e gjuhës japoneze. Pikërisht këtu e rekrutuan shërbimet e fshehta. “A je gati të japësh edhe jetën për Partinë?”- e pyetën.

Cili thosh “jo” atëhere, sepse edhe edukimi që në kopësht ishte thellësisht ideologjik. Ata i thanë se ajo mund të shërbente jashtë shtetit, mbase edhe të ofronte trupin e saj ndaj personave që do ishin objektiva të Shërbimit të Fshehtë,,,Vite të tëra Kimi u ushtrua në kushte të rrepta fizike dhe psikologjike si një marinse e vërtetë.

Detyra e parë jashtë shtetit ishte vendosja e një bombe me sahat në bordin e një avioni të Korean Air (Flug 838), që do fluronte nga Abu Dabi për Seul. Rezimi i avionit ne prag te Lojrave Olimpike 1988 ne Seul do ishte nje minus i madh per ate vend! Pasi nga frika shume vende do t’i bojkotonin  Lojrat ne fjale. Për këtë qëllim ajo do shoqërohej nga një agjent i vjetër dhe do përshkonte një itinerar të veçantë maskimi nëpër Europë (Vienë, Bagdat-Abu Dabi-Bahrein-Romë). Bomba do vendosej në avionin korean që udhëtonte nga Bagdati në Abu Dabi e mandej në Seul. Në Abu Dabi dy agjentët koreanoveriorë do zbrisnin për të marrë të nesërmen një avion për në Bahrein e mandej për në Romë. Objektivi u realizua, bomba e llogaritur të shpërthente pas nëntë orësh e shkatërroi avionin diku në Tailandë. Por kur dy agjentët mbërritën në Bahrein mbi ta u hodhën dyshime nga shërbimi i fshehtë i atyshëm, në bashkëpunim me shërbimin e fshehtë të Koresë së Jugut. Në momentin e arrestimit, të dy gëlltitën një kapsule cianuri të vendousr në një cigare, por vetëm i vjetri vdiq, vajza Kim mbijetoi në sajë të ndërhyrjes së ndihmës së shpejtë. Që atëhere ajo u mbajt e dyshuar për shumë ditë deri sa u dërgua me avion special në Seul ku hetuesit vendas arritën, pas përpjekjesh psikologjike dhe profesionale (pa tortura dhe shtrëngime) ta mposhtin.

Këtu ndikoi fuqishëm njohja nga afër e agjentes koreanoveriore me realitetin e gjysmës së atdheut të saj, ku njerëzit e lirë në çdo aspekt kishin arritur një mirëqenie të lakmueshme.

Sa bukur e përshkruan ajo mënyrën e zgjedhjeve në vendin e saj, që na kujton neve, shqiptarëve, të kaluarën socialiste. F

F 155

Prej javësh para zgjedhjeve zhvilloheshin manifestime, parada, fjalime që bënin thirrje për pjesëmarrje masive. Në ditën e zgjedhjeve njerëzit dilnin në rrugë në orën 7. Bandat muzikore krijonin një atmosferë festive. Ҫdo i ri në moshën 17 vjeç detyrohej nga ligji të votonte. Zgjedhësi i regjistruar merrte një letër ku shkruhej me stampë “PO” dhe kalonte nëpër një korridor ku ishin tre punonjës të zgjedhjeve. Afrohej para portretit të udhëheqësit Kim dhe nderonte me përkulje. Aty ishte një enë ku zgjedhësi e hidhte letrën me stampën “PO:. Po të mos e hidhje letrën më “PO: aty do të thosh se ishte kundër. Kjo vrojtohej rreptësisht. Zgjedhjet bëheshin një herë në katër vjet.”

Kurse në Seul agjentja dëgjonte në restorant njerëzit që flisnin për pozitë dhe opozitë, shanin ndonjë politikan, pa u trëmbur. Sigurisht kjo ishte e papërfytyrueshme në Korenë e Veeriut!

f.163

Unë rilinda, shkruan Kim, fëmija që ishte rritur si ithtare e Kim Ir Senit, vdiq në aeroportin e Bahreinit. Ngadalë, shumë ngadalë, një person tjetër zuri vendin e saj. Seuli e solli këtë fëmijë të ri në jetë.

f. 165

Orët e shtrënjta, lodrat cilësore, këpucët dhe veshjet elegante. Kjo në Korenë e Veriut ishte krejt e pamundur. Për të blerë qoftë edhe një orë dore, kushtonte sa të ushqeje familjen për pesë ose gjahtë muaj.

f. 168

Në Korenë e Veriut gratë kishin merak për burrat e tyre që pinin shumë alkohol. Se në këto raste ata mund të flisnin marrëzira dhe për këtë mund të paditeshin. Një fjalë e gabuar në pije e sipër mund ta rrënonte gjithë familjen. Atë menjëherë do ta shpinin në kampet e punës në veri.

f. 173

Në restorante në Seul habitesha me gjithë ato lloje ushqimesh. Në Korenë e Veriut që prej dhjetë vitesh nuk kisha parë proshutë. Nëna e quante me fat që një ditë gjeti në treg shalqi.

f. 175

Më shpunë te një shtëpi e vjetër fshatare. Oborri nuk kishte portë dhe ne u drejtuam te hyrja. Nuk pamë njeri. U çudita kur në kuzhinë pashë dy frigoriferë dhe një telefon. Kishte rrymë elektrike dhe televizor. Këto nuk i gjeje te ne në veri.

f.182

ishte një tragjedi kombëtare që njerëz me të njëjtën prejardhje dhe me të njëjtën histori, duhet të jetonin si popull i ndarë. Ne kishim të njëjtën gjuhë, të njëjtat doke e zakone. Megjithatë duhet t’i hidheshim njëri-tjetrit në grykë për ta mbytur!

f. 197

Unë do të vë të gjitha forcat e mija për të ndikuar në ribashkimin e dy Koreve. Mbajta referate dhe dhashë intervista, në të cilat e vërteta mbi Korenë e Veriut dhe sunduesit e saj të dilte hapur. Kam udhëtuar në Rusi, Hungari, Austri, Indi, Kinë etj por në asnjë vend nuk pashë që njerëzit të jetojnë më keq se në Korenë e Veriut!

Kim Ir Seni dhe familja e tij nuk kanë bërë gjë tjetër veç i kanë grabitur popullit korean kulturën dhe të drejtat e tij për një jetë në liri e lumturi. Ata kanë ndarë një komb dhe i kanë shkaktuar popullit të tij një dëm të pandreqshëm. Është me të vërtetë një tragjedi e përmasave epike.

Konspektoi Bardhyl Selimi, 25 shtator 2020

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s