Poezi nga Odise Kote

Poezi nga Odise Kote

KËNGA E HESHTJES …

Duruam flakët që dogjën pemën,

duruam zjarrin që shembi strehën,

duruam cikmën që thau eshtrën,

duruam erën që ngjethi shpresën …

gjymtuam ëndrrat, gjakuam vetveten,

e ribëmë të vërtetën me heshtjen …

.

Kurrë nuk e patëm të plotë gëzimin,

as shiun e ylbertë verës, as dimrin.

As diellin, as muzgun, as vesën e brymën,

të panginjur ëndjet, të pangrohur frymën,

përgjysmë lumturinë, mërzitjen, hidhërimin,

mësuam heshtjen, kushtin e vazhdimit…

.

Të vetmet që kishim në tepri të plotë,

pengimin, absurdin, kotninë e kotë,

zemërimin e ndrydhur, shtrëngatën në gotë,

fajtorë dhe kur s’ishim, gjithnjë ne fajtorë,

fjalët i latuam si vetë heshtjen tonë.

.

Drobitur në agim, të pagjumë ndaj mesnate,

kurrizit kamzhik, drejtësi plot mëkate…

I besuam Heshtjes, mikeshës së vjetër,

kuptuam, kumbon më fort se çdo gjë tjetër…

.

LUMI QË PËRMBYT SHPËRFILLSHËM …

Si del ashtu prej ëndrrës? Harruar naze e ledha,

rrëmbimthi rrëzuar tokës, deri në agim.

Kapërthyer eshtrat, trembur korija e vjeshta,

dridhet nga të puthurat, kafshimet egërsisht.

.

Ç’lumë i vrullshëm përmbyt shpërfillshëm,

frikëra morali, gardhet gjëmbaçë të etikës.

Pasioni uragan s’pyet për pozën a gjestin e hijshëm,

nduk e thith pas zakonit, kokërzat e thithkës.

.

Shpërthejnë aroma epshi, shtrirë këmbë të ngrohta,

kërleshur, fërkuar, në gjethnajën shtruar si dyshek.

Ç’zjarr përvëloka, prej majës të thoit te koka,

që kodet e mirësjelljes s’i njeh, i gris dhe i djeg…?

.

Barbar, i pagdhendur… ! Thuaj ç’të duash!

Gjurma kafshimi në vesh, supit dhe në ije.

Si shegë të çara afshesh, gjakuar, ndriçuar,

përndritin dhimbjethellat, zjarrthe bukurie…

.

Rihyn sërish në ëndërr, ashtu dhe e nis ditën,

me lumin që përmbyt shpërfillshëm…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s