Poezi nga Josif Gegprifti

 
Poezi nga Josif Gegprifti
 
 
Kujtoj…
 
Sa vargje kam shkruar si i marrë,
Për një “ndjenjë” që ka ikur larg,
Që më digjte dikur si zjarr
Dhe tani më shfaqet në çdo varg.
 
Kujtoj ca gjëra me mall,
Nga koha e bukur me rini,
Të dua, këtë të ëmbël fjalë,
Pse s’ja thashë as vetë s’e di!
 
E di, që ti vargje ke shkruar,
Për kohën kur qëndronim pranë,
Tani s’dimë ku jemi, jemi harruar,
Se jetët kështu na u ndanë.
 
Në jetë shumë gjëra harrohen,
Këtë e dimë mirë unë e ti,
Se janë dhe ca gjëra që kujtohen
Me mall e me shumë dashuri.
 
Kujtoj…
 
 
Pranvera e dashurisë
 
Gjashtëdhjetë
Pranvera i mbusha,
Por më e bukura
ishte
Pranvera që të njoha ty,
Pranvera e dashurisë tonë
Që e kam përjetë në sy,
Dhe mbetet lokomotiva
E të gjitha pranverave tona.
Për ne
Çdo pranverë,
Është si pranvera e parë
Dhe pranverë kam në shpirt
Sa herë të kam pranë
Ty o Dritë.
 
 
 
Kopshti s’është si më parë…
 
Sa herë shkruaj vargje për ty,
filloj e nis udhëtimin tim,
dhe menjëherë mbrij aty,
ku zemra më rreh me nxitim.
 
Në kopsht, asgjë s’ka ndryshuar,
veç heshtja kudo është shpërndarë,
besoj se tashmë e ke kuptuar,
pa ty, kopshti s’është si më parë!
 
Me sytë e mi gjithandej të kërkoj,
të përfytyroj e të mbaj në sy,
zgjas dorën e lehtë të ledhatoj,
dhe më duket sikur ti je aty!
 
 
 
Vështrim poetik
 
Në atë mengjes
Të qetë plotësisht,
Vështrimin tim,
E kishte përpirë një natyrë
E pastër mrekullisht.
 
Malet e gjelbëruara
Shtriheshin përgjatë bregut të liqenit
Dhe një mjegull gri,
Si një mantel kish rënë
Mbi shpatullat e tyre.
 
Më pas,
Vështrimi im
Tretej mbi liqenin e argjendëruar,
Nga rrezet e diellit mengjesor
E plot ndriçim.
 
Valët e liqenit
Vinin me rradhë qetë,qetë
E treteshin në breg.
 
Lart në qiell
S’kish asnjë re,
Ato ishin zëvendësuar nga sgalemat
Që silleshin vërdallë
Si balona mbi liqen.
 
Me vështrimin mbërthyer në këtë peizazh,
Buzëqesh,
Frymoj lirshëm
Dhe pëshpëris…
 
Sa bukur…!
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s