Tregim nga Alma Zenellari
 
 
IKJET…
 
Vajza me flokët e gjatë ngjyrë mjalti mbaroi telefonatën dhe ashtu me sytë përdhe dhe një buzëqeshje të stamposur, iu kthye zotërisë që kishte përballë.
” po ç’t’i bëj asaj gjyshes që kam kètu, pa edhe unë s’do kthehesha më…”
Burri i dha të drejtë dhe vazhdoi bisedën që kishte nisur . E folura e tij nuk di pse më tingëllonte e ashpër, e thatë dhe fjalët që i mbivendoseshin sikur kërcisnin si ashkla të mprehta që binin përdhe me forcë.
“Po ç’do bëjnë këtu tê rinjtë aman, këtu vetëm pleqtê mbetën ,nuk e sheh?
Vajza tundi kokën në shenjë miratimi . Era frynte mbi fytyrën e saj që kish filluar të kuqëlohej pikërisht mbi mollëzat e faqeve. Flokët e gjatë i lazdroheshin supeve e herë herë ajo i largonte me duar thuajse e bezdisur nga harlisja e tyre.
E pash në sytë e kaltër . Ajo më buzëqeshi me dashamirësi sikur donte të më pohonte se ai kishte të drejtë. E kush po rri këtu!
Pastaj më pyeti mua – po ti kë pret ?.
“Vajzën ” i them dhe sytë i hodha nga rruga sikur vërtet nga njëri skaj i rrugës do shfaqej ime bijë .
“Ka ardhur me pushime? Më pyeti sërish vajza me flokët e mjaltë dhe sytë shkëlqimtarë , me siguri që duhet ta njoh.
“Mbase , i them, qyteti ynë i vogël, është “.
Ndërkohë hyra në autobusin e linjës dhe i zura vend time bije. Pas meje hyri edhe vajza që priste . U ul afër meje. Fytyra e saj më bëhej tepër e njohur .
“Pa hë, i them, sikur do të më thuash diçka ?
“Po ja , tha ajo , unë të njoh ty , të njoh shumë mirë. Ti je poete, punon në bibliotekë. Të kam pëlqyer gjithmonë kur vija me shoqet dhe merrnim libra. Dhe e di pse?. Sepse ishe e vetmja që na trajtoje si të ishim fëmijtë e tu. Nuk na flisje vetëm për librat, por na pyesje edhe si ndiheshim emocionalisht.
Në sytë e mi ti ishe personi më i ditur. Të kam pas idhull.
Foli gati pandalesë.
Unë qesha. “Vërtetë?!… e pyeta me një ndjenjë habie.
“Po “, ma ktheu ajo.
“Lëri këto ,ç ‘kishe ndërmend të më thoshe.”
Ajo uli sytë si e zënë në faj. Pastaj ia nisi.
“Po ja, mu duk sikur nuk të pëlqeu kur po flisja me atë burrin.
“Aspak, i thash. Ti ke të drejtën tënde”.
“Po ja, si thua ti, a ka të ardhme më në këtë qytet?. Këtu edhe kur ishim ne s’kishe me se merreshe. As punë , as argëtim, asgjë. Të rinjtë hanë thonjtë lokaleve. Po këtu është kot.
“Kjo nuk është tërësisht e vërtetë, megjithëse për ty tashmë s’ka fort rëndësi. Po a s’më thua për çfarë studion ?.
“Po ja unë vet doja dizajn, por mami më tha e ç’është ky dizajni, degë është kjo? Bëj moj ndonjë farmaci apo infermieri që të kesh mundësi të ikësh. Dhe ja tani vazhdoj shkollën pèr infermieri. Sytë i kam për Gjermani,- përfundoi ajo ligjërimin.
Qesha hidhur dhe si me shaka iu ktheva – kur të plakem s’kam ku të të gjej, të më shërosh .
Edhe vajza qeshi : po ke të drejtë, të gjithë po ikin po ta mendosh.
“As mjek s’do kemi-, vazhdova unë. Thjesht do kërkojmë nga një vizë pèr t’ju kërkuar ju nëpër botë, pèr të na shëruar shpirtin.
Ndërkohë ime bijë u shfaq ndanë rrugës dhe po më kërkonte me sy.
” Më duket se ajo është goca jote, m’u drejtua vajza me flokët ngjyrë mjalti e me sytë e kthjellët. ” Po “, gati mërmërita. Zbrita nxitimthi nga autobusi dhe i dola përpara vajzës sime.
“Mami ,erdha unë ” mu drejtua ime bijê me një buzëqeshje plot dritë . Por sa të niset autobusi eja pijmë një çaj”.
Më kaloi dorën pas krahut dhe ashtu e ngrohur nga prania e saj hymë në lokalin e terminalit. ” Sa shumë njerëz paska foli vajza. Sa mirë sa ngrohtë, vazhdoi ajo dhe hoqi xhupin.
E pash në sy. Sa shumë ishte rritur kaq muaj larg meje. Më dukej e bukur e shëndetshme .
Kur ajo filloi të rrufiste çajin e ngrohtë, i lëmova fytyrën me gishta me një ndjenjë të thellë malli, që s’guxoja t’ia shprehja.
Folëm deri sa erdhi koha pèr të rendur drejt autobusit . ” Eja i them, vendin e ke afër asaj vajzës me floket e gjatë.
“Mirë mami”.
Më dha një përqafim të shpejtë dhe zuri vend. U përshëndeta dhe zbrita pa dëshirë, e malltë, e pangopur me erën e sime bije. Ajo ngriti dorën mbi xham të dritares ndërkohë dhe vajza tjetër po më përshëndeste.
Autobusi u largua dhe unë e lash shikimin tim të varur mbi dritaren ku qëndronte vogëlushja ime. Qëndrova e pafjalë deri sa pamja u zhduk plotësisht nga sytë e mi. Një ndjenjë plogeshtie dhe malli më mbertheu aty për aty. Ngrita jakën e gëzhupit dhe bëra tutje. Një erë e ftohtë brisk frynte sikur donte të më çante me thonj fytyrën, gishtat, lëkurën të më thante lotët që më dilnin nga shpirti.
Në rrugë lëviznin me ngut disa makina të vogla dhe disa kalimtarë. Dhe atë çast s’di pse më trazuan fjalët e vajzës sykaltër, ” po kètu s’ka më njerëz, të gjithë po ikin…, ç’t’i bëj asaj gjyshes që kam vetëm pa, edhe unë s’kam pèr të ardhur më…
Këto fjalë më bëhej sikur po m’i thoshte edhe ime bijë në çdo ardhje të beftë, në çdo ikje të nxituar të saj, gjatë fundjavave të ngarkuara. Fjalë që një ditë do t’më bëjnë, të më pikoj zemra, gjak.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

2,303,852 hits

February 2023
M T W T F S S
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728  

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

← Back

Thank you for your response. ✨

ARCHIVE

Terms List