Poezi nga Agim Desku
CILIT T´I PËRKAS
-Emri im më i përgjakur në hartën e Evropës
L.Haxhijaj-
Nuk e di
Në e di Zoti
Nëse i përkas tokës
A ferrit
Lindjet
A m´i pagëzuan
Para vdekjes
Për vdekjet
Nuk flas
Çdo ditë ferr i kam
Lindjet dhe vdekjet
I kam të parakohëshme
Sot nëse shpëtoj
Më mallkojnë të gjallët
Si të jetoj
Kur s´kam asnjë vend
Për varr
Duhet të takohem
Zoti im
Të dytë të jetojmë
Njëjtë
Më nxjerr nga jeta e ferrit
Ozonit më ngrit
Aty ku i krijova
Dashuritë e dhembjes
Për pak më çmenden
Thelësitë titanikiane
Njeri nga ne duhet zbritë
Në tokë.
Vdekja të mos na barazon
Emrin tonë
Pafajësisht që jetova
Errësirës së ferrit.
Dritarët nuk hapen
Për asnjë pulëbardhë deti
Evropë më fal vetëm një varg
Poeti.
DETI
Njerëzit e mi
A fjetët mjaft këto ditë dimri
Unë kisha me thënë
Koha është më u zgjue
O sot o kurrë ma
Ne ende flejmë
Poetët e kanë zënë Olimpin
Neve na ka zënë gjumi i thellë
Ma i thellë së vet deti
Ma i gjërë së krejt sipërfaqja e tij
Edhe kur Bajlozët vijnë
Dhe bëjnë kërdi në këto anë
A ngjajmë në durimin e detit
Në fundosjen e Titanikut
Si të një flete dushku
Kush ngjanë
Për rreth nesh janë demonët
Që bota i toleron.
Ç’ REBEL MË BËRE POEZI
Në portën tënde kisha liri të hy
T’ia lexoj shpirtin e poetit një jetë të tërë
Ç’mu desh të hyja tek ti poezi
Më mirë e kam pasur të rri si fëmijë
Në një botë të buzëqeshur plot dashuri
Ku secili poet do të donte të ma kishte lakmi
Dhe kështu të isha shokë me diellin
Rrënjët e mia me shpesh i kisha vizitue në Durrah
Kisha udhëtue me fluturat drejt yjeve
Me kalorësit e Venedikut i kisha kryqëzue shpatat për dashurinë e vërtetë
I besoj vetes se kisha dalë hero i gjallë
Ndoshta dikush do më thoshte se kjo është përrallë
E them kah del shpirti se ty poezi të kam si jetën
Askund tjetër sikur tek ti nuk e gjej të vërtetën
Për këtë e them ç’mu desh të hyja tek ti
Apo.më ke prangos me fuqinë tënde prej mbretëreshe
Dhe me merr me vete ngado që udhëton
M’i fal fjalët më të bukura për jetën të krijoj
M’i sjell engjëjt pranë edhe kur qiellit i mungojnë
Më bën ta dua jetën dhe të shndërrohëm në Ufo të padukshme
Sytë e mikes m’i bën pikturë të Mona Lizës
Shqipêrinë e Fishtës me ty çdo ditë e kam në mendje
Dëshmitare të kam kur vargun e krijova mbrëmë për ty hyjni
Nëse vdes para meje toka është fajtore
Unë s’do vdisja para teje as për një mijë dashuri
Ç’kuptim pastaj ka jeta kur s’të kam ma në poezi
Kush do më bëhet varg o fjala ma e bukur për ty
Në legjendë do të shndërroj te të kam gjithnjë pranë
Me vdekjet do të luftoj ti të mbetësh gjithnjë mbretëreshë e gjallë
Ta kem fuqinë tënde titanike në secin hap të jetës edhe vetëm si përrallë
KUR VIJNË ENGJËJT
Lasgushiane
Kur vijnë engjëjt e pyeta hënën
Ajo më tha
Me ta flet çdo mbrëmje
Më mua rrinë në shoqërinë time
Për ty flasim në secilin varg
Jemi engjëj dhe bëhemi dritë
Aromë e përqafim përmallimi
Vetëm lot të lumturisë i duam
Sa botën e sa buzëqeshjen tënde
Të faqes së etur të shkruar në varg
Në gjeth trëndafili
Atëherë më duket së flas me ty
Jam më afër zemrës që m`i dërgon engjëjt
Këtu sikur e shoh botën më të bukur
Ndër lule të secilës aromë
Këtu sikur shoh bukurinë ndër vite
Si vjen krahëhapur tek Drini im
Ku shuajmë etjen për largësitë
Për cuname deti të djajëve të krisur
Për rebelimin tim dhe për çdo gjë ngapak
E shuajmë etjen
Kur vijnë engjëjt e pyeta vargun
Më tha
Ti je vetë engjëlli që e do vargun
Kur e ushqen me shpirt
Dhe i shkruan hymne
Për fjalët kur m`i fale
E pyeta miken kur vijnë engjëjt
Më tha jam vetë engjëlli
Që të rri në secilën fjalë edhe të pathënë
Aty më ke si lotë përqafimi
Si ëndërr përmallimi
Si vargun më të dashur
Dhe si aromë trëndafili
Aty më ke si Piramidë e shkruar
Si fjala ime ,PO që vdes për të
Si mbrëmje me hënë
Si mars i pritjes
Si lule pranvere e secilës aromë.




























Leave a Reply