PËRDITSHMËRIA DHE RUTINA NË FRYMËZIMET POETIKE
Nga leximi i librit “Malli e brenga” i autorit Fejzi Xh. Ahmeti
Ndërsa kërkojmë të gjejmë motive, largohemi nga gjërat e afërta që i prekim çdo ditë, nga njerëzit e dashur që na rrethojnë. Përditshmëria dhe rutina duken larg frymëzimeve poetike. Por nuk ndodh kështu me poetin Fejzi Xh. Ahmeti. Ai ka sjellë pranë nesh librin me poezi “Malli dhe brenga” botim i Univers.
Në kopertinë e paraqet veten me një pemë madhështore që mund të shihet si trungu familjar, e ndriçuar fort nga dielli (poetik), ndërkohë që horizonti është i kaltër. Ato që bien fort në sy e stonojnë me pamjen janë retë, që shfaqen herë të bardha e herë të zeza në qiellin metaforik.
Autori zgjedh ta nis librin me Mjaltin e mjaltit. Përshkruan momentin e bukur të ardhjes në jetë të nipit Më ngjave si yll/ i zbritur nga qielli/ po ndriçoje dhomën/ kishte lindur dielli. Larg vargjeve të bujshme e ndjenjave të çuditshme, zgjohet shpirti i gjyshit të shohë nipin e sapolindur, që ndriçon dhomën si një diell, sepse dielli ka lindur tashmë në zemrën e gjyshit. Hap pas hapi në libër krijohet e forcohet marrëdhënia gjysh-nip. Jepen vazhdimisht detaje të cilat shpalosin jetën e përditshme dhe e shndërrojnë nipin në “ilaç i zemrës sime”, por japin edhe idenë e vazhdimësisë së sigurt. Më dhe forcë, po edhe shpresë/ s’më vjen keq dhe po të vdes/provova k’të ëmbëlsirë/ s’e mendoja kaq të mirë.
Gjyshi ndjen gëzimin e rritjes së një fëmije, duke kujtuar kohët kur fëmijët e tij ishin të vegjël e ai nuk mund t’i përkëdhelte, sepse ishte turp nga brezi më i vjetër.
Krijohen situata humori, të cilat tregojnë forcimin e lidhjes midis brezave dhe nevojën e bashkëpunimit mes tyre. Nipçe s’po më zinte gjumi/ kërkoj mendjen, po më humbi/ më ndihmo nipçe ta gjej/pa shiko njëherë andej/ ndihmoje pak gjyshin tënd/ të mos mbetet dhe pa mend.
Kënga e parë është nga pjesët më të bukura lirike të librit. Mbështetur te lirika popullore jepet përshkrimi i nipit në përvjetorin e parë të lindjes.
Bukuria jote/është vërtetë e rrallë/ nuk di si ta përshkruaj/nga t’ia nis o djalë..Baluket e tua mor/ti ka prishur era/të keqen e flokut tënd/flokut kaçurrela. Trupi yt i bukur shumë/ rritet si lastar/ të keqen e këmbës tënde/që ecën ngadalë./sytë e tu margaritarë/sytë e tu plot dritë/ të keqen e syrit tënd/ me ata qerpikë/ Fytyra jote e bukur/fytyra e njomë/të keqen e gushës tënde/gushës plot aromë./Buzët e tua burbuqe/belbëzojnë ngadalë/të keqen e faqes tënde/ mafishe e bardhë.
Te poezia Kënga e përsosur, vendosen përballë njëra-tjetrës malli dhe brenga. Notat optimiste që mbushnin gjithë pjesën e parë të librit, fillojnë të ndryshojnë ngjyrën dhe këndvështrimi largohet nga nipi te djali i madh. Djal’i madh e nip i parë/që të dy si në një garë/që të dy futur te zemra/ aty malli aty brenga.
Njerëzit ëndërrojnë në çdo moshë, edhe pse ëndrrat ndryshojnë me kalimin e kohës. Ëndrra e një prindi që do ta shohë fëmijën e tij me pasardhës janë me se të përligjura.
Çdo gjë që e rrethon dhe ka ndikuar në jetën e tij është e dashur dhe e shtrenjtë. Një vend të veçantë zë vendlindja, malli për gjithçka që i përket asaj dhe fëmijërisë … dhe për baltën tënde/ malli më djeg shumë. Po lidhja me vendlindjen i ka rrënjët të thella se aty janë eshtrat e babait dhe të gjyshërve. Kur e sheh të shkretë i drejtohet me zemër në dorë: Ndoshta je mërzitur se të kam braktisur/ po s’të harroj dot/ se ti më ke rritur. Megjithatë kthimi te fëmijëria si një kohë e artë e mbush me nostalgji dhe vlerëson çka humbur duke shprehur me detaje vendet dhe veprimet e kryera te poezia Nostalgji. Natyra me elementet e saj idilikë e thërret autorin në gjirin e saj të njohë e të shpreh kënaqësinë që ndodhet në gjirin e saj.
Ai përpiqet të rrokë edhe problemet shqetësuese që lidhen me personazhet apo ngjarjet që përshkruan. Kështu autori i drejtohet kurorës së ullirit si një burim të ardhurash për shumë familje: O kurorë e bukur/ na ke zgjidhur hall/ kush di sa familje/ veç ti i mban gjallë. Ndërsa te poezia “Kanarina në kafaz” i drejtohet kanarinës si një zog që këndon bukur, por që ka humbur lirinë” Të dha zoti krahë/nuk të dha fuqinë/ të shpërthesh kafazin/ të marrç arratinë. Në të njëjtën kohë krijon paralele me gjendjen e njeriut në këtë botë. Ai ndihet i pafuqishëm për të ndryshuar qoftë gjendjen e njeriut, qoftë gjendjen e kanarinës: Mungon drejtësia/ ç’të bëj kanarinë/ thashë se po mungonte /vetëm për njerinë.
Përditshmëria është një temë që e shqetëson dhe e nxit të krijojë. Aty ndihet i lirë të thotë të vërtetën dhe qëndrimin e tij ndaj ngjarjeve e fenomeneve shqetësuese të kohës.
Kapitullin “Shoqëria dhe politika” e nis me poezinë Ekrani : Shokë na u mërzit ekrani/ na bën kokën dhallë shejtani…ai tregon se si ndikon ekrani në edukimin e fëmijëve(“Shohim dhe humor bajat/ nga fëmijt’ duam edukatë) dhe shthurjen e shoqërisë e cila kërkon me çdo kusht të fitojë statusin VIP paçka se ç’i duhet të pranojë për ta fituar. Poezia mbushet me nota humori, po më shumë me nota ironie për këto ngjarje që mbushin ekranin shqiptar “ Eva dhe Adam i shkretë/ e mbuluan me ndonjë fletë/po kjo sot nuk ka lezet/ këtu e mbulojnë me rrjetë”
E njëjta klimë pushton edhe poezinë “Akademia” ku autori bën një thirrje të hapur për përmirësimin e gjendjes së fshatit dhe ushqimeve të çuditshme që qarkullojnë në tregun shqiptar “Dhe djathi me shkencë të re/ shyqyr që ka niseshte/ të na rrojë ministr’e re/ se blejmë djathë, hamë paluze”. Ai reagon ashpër ndaj të gjithë faktorëve që ndikuan për ta sjellë fshatin në këtë gjendje: “O fshat si s’të desh njeri/tallen, ngrenë akademi/ mjet i punës një veshgjatë/s’të lënë as mizat rehat”.
Nuk mund të mungonte poezia për nënën, në të cilën ngrihen lart tiparet dhe virtytet e saj: buzëqeshur,zemërmadhe, shakaxheshë, gojëmjaltë e fjalëprerë, shpirtvrarë e zemërgjerë, sjell dhe opinionet e të tjerëve trime e grua zonjë, por mbi të gjitha forcën e dashurisë për bijtë e saj: dhe pse cop’ të qe bërë zemra/ ne na mbajte ngrohtë brenda. Në fakt është pamja e një gruaje tipike shqiptare që kryen me dëshirë rolin e saj si nënë, edhe pse jeta e ka goditur shumë. Kjo poezi nuk është vetëm përshkruese, ajo është e mbushur me ndjenja krenarie për nënën dhe jepet si një figurë-shembull për t’u ndjekur. Shihen përpjekjet e një biri për të ecur në gjurmët e saj, për të pasur forcën dhe kredon e saj jetike: thoshje jeta s’ka veç lule. Admirimin që ndien për të e shpreh në vargjet “S’më dhe pak nga forca jote/ nga ajo forcë e pashoqe… apo Kurajua tek ti kish lerë/ edhe vdekjes i dhe vlerë.
Kjo poezi, nëse krahasohet me poezi të tjera të ciklit Malli e brenga mund të shihet ndryshimi mes përjetimit të ngjarjeve jetësore apo mënyra e përballjes me problemet e ditës (qofshin këto edhe familjare), në breza të ndryshëm. Megjithëse vdekja i kishte rrëmbyer disa fëmijë e jeta e kishte qëlluar me gurë, nëna shfaqet si nënë e rrallë/që tufanit diti t’i bëj ballë ndërsa te poezia Kënga e përsosur, babai për sëmundjen e djalit shprehet: e përzë, por s’ikën brenga, më futet përherë te kënga. Nëna shfaqet si shamizeza shakaxheshë që dhimbjen e mban përmbrenda dhe jeta vazhdon për të, ndërsa djali: mbi 10 vjet s’na ndahet loti/ qenkemi dënuar nga zoti. Dy mënyra të ndryshme të përjetimit në dy breza të ndryshëm.
Nuk mund t’i mungonte këtij libri motivi më i lëvruar në poezinë shqiptare, motivi i dashurisë në ciklin Mall dhe dashuri. Ky motiv përshkon dashurinë për jetën e cila është e lidhur me bukurinë ashtu si në lirikën popullore. Autori përdor një shprehje për dashurinë: sa më shumë të japësh/ aq më shumë shtohet, prandaj ai thekson se nuk ka frikë të dashuroj. Arrihet në përfundimin se dashuria është e shumëllojshme që përmbledh jo vetëm njerëzit e dashur, por edhe natyrën me gjithçka brenda saj.
Takimet bëhen te kroi, në stan, nën dardhë dhe kanë elementet e lirikës popullore. Autori i jep fytyrë, zë dhe ngjyra të dashurës së tij. Ai e quan atë thëllëzë mali, njomishte, çamarrokja ime, balukeprerë, sorkadhe, shegë e kuqe majhoshe etj Përshkrimi saj jepet më së miri te poezia Sylarushja Ai tregon vuajtjet që i vijnë nga dashuria e mosprania e saj. Krijohen skena të ndryshme narrative të shfaqjes së dashurisë dhe gëzimin që sjell ajo. Moj çezma në shkretëtirë/ s’mjafton lumi për ta pirë. Dashuria dhe jeta njëjtësohen dhe plotësojnë njëra-tjetrën. Dashuria ka fytyrën e vajzës që përshkruhet me elemente nga natyra.Mollë e kuqe, sheg’ e ftua/ moj e mira gjer në thua/ ç’i k’to naze me mua/ ta dije sa shumë të dua.
Himnizon bukurinë e vajzës dhe ndjenjën që ka për të. Në përgjithësi është një dashuri që gjen përgjigje dhe vajza e djali e shijojnë atë, po ka edhe raste kur dashuria është e parealizuar dhe djali shpreh vuajtjet për humbjen e saj.
Autori përdor strofën katërshe dhe rimë të përputhur apo të alternuar. Ai ofron mundësi për të parë realitetin e një heroi lirik që nuk pranon të bëj kompromis me atdheun e fatin e tij. Gjetjet artistike tregojnë këndvështimin e një autori që nuk resht duke shprehur qëndrimin e tij për ngjarje e dukuri që e shqetësojnë.
U enda me dëshirë mes poezive të librit “Malli e brenga”. Gjeta një botë të mbushur me dashuri për familjen, shoqërinë, atdheun. Çdo pamje kishte një veshje figurative të bukur që të ftonte në një lexim të vazhdueshëm e të thelluar të këtij vëllimi voluminoz poetik.

Nga: Natasha Xhelili




























Leave a Reply