Anaïs Nin
Kalendari poetik: Anaïs Nin (1903-1977)
Shkrimtarja amerikane Anaïs Nin u lind në Neuilly-sur-Seine, Francë, më 21 shkurt 1903. Babai i saj, pianist kuban me prejardhje spanjolle-katalane, nëna këngëtare kubane me prejardhje franko-daneze. I ati braktisi familjen kur Anaïs ishte 11 vjeçe; pas kësaj e ëma mori fëmijët dhe u vendos në Nju Jork. Vepra e saj më e njohur është ‘Ditarët’, me karakter erotiko-biografik. Ja dhe shqipërimi im sot, në 120 vjetorin e lindjes së saj:
NDONJË JETON KËSHTU…I MBROJTUR
Ndokush kështu jeton, i mbrojtur, në një botë të brishtë
dhe kujton se vërtet jeton.
Pastaj lexon ndonjë libër, p.sh., ‘Dashnori i Lady Chatterley’, ose…
ose bën një udhëtim…
dhe zbulon se deri tani nuk ka jetuar, në gjumë letargjik ka qënë.
Shenjat e letargjisë janë të lehta për t’u dalluar:
e para – shqetësim i vazhdueshëm,
e dyta (kur letargjia bëhet e rrezikshme
çon deri në vdekje) – mungesa e kënaqësisë.
Kjo është e tëra.
Duket si sëmundje e lehtë, e padëmshme.
Monotoni, mërzi, vdekje.
Miliona njerëz bëjnë këtë jetë,
ose vdesin kështu, pa e ditur.
Punojnë nëpër zyra. Ngasin makinën. Dalin në piknik
me familjen. Rritin fëmijë.
Pastaj ndërhyn mjekimi “i rastësishëm”, dikush, ose një libër,
një këngë, që i zgjon prej letargjisë,
prej vdekjes i shpëton.

© shqipëroi Maksim Rakipaj




























Leave a Reply